Në bashkëbisedimin me drejtuesit e strukturave të Partisë Demokratike dega 6, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u ndal tek ngjarja kriminale e vrasjes se Ardit Gjoklajt dhe në veçanti tek mbrojtja që Edi Rama u jep vrasësve. Kjo ngjarje dhe sjellja e kryeministrit në raport me të akuzuarit për vrasje, të cilët ndonëse në kërkim shfaqen në aktivitet të qeverisë, theksoi zoti Basha është fytyra e vërtet e shtetit të Edi Ramës dhe e faktit se ky kryeministër nuk shqetësohet për interesin e qytetarëve por vetëm tek xhepi i vet.
“Kjo qeveri prej ditës së parë i ka shërbyer vetëm interesave të veta. Ky kryeministër nuk e ka pas mendjen dhe nuk e ka mendjen tek interesi qytetar por vetëm tek xhepi i vet. Këtu shembujt i keni të shumtë. Ju keni shembull dramën e familjes Gjoklaj. Pasi ndodhi vdekja tragjike e Arditit ka vetëm heshtje, ka vetëm heshtje dhe fshehje të fajtorëve. Po si ka mundësi që një njeri që i thotë vetes që po bëj shtet, shkaktarin e vdekjes së një 17-vjeçari në rrethana makabre, të shpallur në kërkim pas presioni të opozitës e nxjerr në krah me deputetët e vet në inaugurim. Çfarë do të thotë kjo?! Do të thotë fshehje të krimit, që është krim më vete. Kjo do të thotë heshtje për krimin, që është krim më vete. Pse e bën këtë?! Sepse për të Ardit Gjoklaj ka zero vlerë. Sepse për Edi Ramën qytetarët shqiptarë kanë zero vlerë. Ndërsa krimineli, i akuzuari për krimin ka vlerë të madhe sepse është ai që çon zhagën me lekë, lekë të cilët ai i merr, dorë më dorë shkojnë tek Kryeministri. Dhe përdoren një pjesë për të blerë vota, për të blerë pushtet.”
Lideri i opozitës theksoi se në qeverisjen e Edi Ramës jo vetëm që nuk u mbajt asnjë premtim por ka një përkeqësim kudo, në ekonomi, në shëndetësi, në arsim, në rend dhe siguri. Sepse interesi i Edi Ramës janë paraja dhe pushteti të cilin e garanton dhe shpreson se do të vijojë ta garantojë me lidhjet me krimin.
“Çfarë mund t’u thotë për reformën në shëndetësi? Shëndetësia është në ditën e vet më të zezë për shkak të një qeverie që paratë e taksave të shqiptarëve që duhet të shkonin tek shëndetësia i vjedh me të ashtuquajturën koncesione.
Kujt i thotë reformë në arsim? Ka lënë 20 mijë maturantë në pasiguri totale. E kanë bërë pjesën e tyre, kanë dalë me nota me mesatare të shkëlqyer dhe në vend që të venë në bazë të meritë-preferencës atë që meritojnë, ky tallet. Se për të nuk ka rëndësi mirëqenia e njerëzve por vetëm pushteti.
Gjithçka për pushtet, për pushtet lidhet me krimin, për pushtet i hapi krimit krahun dhe e mbushi Shqipërinë me drogë. Dhe kur del Cataldo Motta e rrëzon gënjeshtrën e tij dhe thotë droga nga Shqipëria ka pësuar rritje, kemi një bum të trafikut të drogës nga Shqipëria sepse autoritetet shqiptare nuk bashkëpunojnë më me autoritetet italiane, hesht s’e s’ka çfarë të thotë sepse kjo është e vërteta e di i madh dhe i vogël, dhe sot e di Europa, e di SHBA. Ky është një kryeministër që i hapi derën kriminelëve në pushtet, i hapi derën duke i emëruar deputetë, kryetarë bashkish, drejtorë të mëdhenj. Pastaj iu hapi të gjitha shtigjet, iu dha të gjitha mundësitë që një shtet ka për të kultivuar drogën dhe tani pazaret i ka me drogën, s’ka më kontrate me qytetarët.”
Njoftim për media i Partisë Demokratike, 18 tetor 2016