Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dëgjoi dhe bashkëbisedoi me drejtues të strukturave të Partisë Demokratike të Matit. Në këtë takim, zoti Basha u njoh me shqetësimin e madh të banorëve për kultivimin e drogës. Trafikantët i marrin gratë dhe të rinjtë si skllevër me sy të mbyllur dhe i çojnë të punojnë në arat e kanabisit, nën mbrojtjen e drejtuesve të policicë që ndajnë me ta paratë e drogës. Kjo gjendje, theksoi kryetari i Partisë Demokratike është pasojë direkte e inkriminimit të shtetit. Kriminelëve dhe trafikantëve që i futi në Parlament dhe administratë, Edi Rama u hapi rrugët e drogës ndërsa qytetarëve u la si alternativë varfërinë, emigracionin ose punën si argat në arat e kanabisit.
“I hapën dyert krimit, i kandiduan për deputetë, i futën në Parlament, i bënë kryetar bashkish. Por nuk u mjaftuan; i bënë drejtorë në administratë, i bënë shefa komisariatesh e drejtore krimesh si këtu në Burrel. Efekti kulminant i kësaj politike të pastër të inkriminimit të shtetit është mbulimi i gjithë sipërfaqes së vendit nga droga.
Mbulimi i vendit me drogë është projekt politik i Edi Ramës. Ky njeri jo vetëm nuk mbajti premtimet me të cilat erdhi në pushtet, por që ditën e parë i braktisi ato, nuk u përpoq t’i mbante, nuk kishte ndërmend t’i mbante. Çfarë kishte ndërmend e pamë. Tani që ditët e mandatit po i mbarojnë e kemi fare të qartë se çfarë kishte ndërmend. Kishte ndërmend që buxhetin ta mbante për vete dhe për një grusht miqsh. Kishte ndërmend që krimit që e solli në pushtet dhe e mban në pushtet t’i hapë dyert e drogës dhe popullin ta vinte përpara disa alternativave; varfëri, emigracion, burg ose argat në kooperativën e drogës të Edi Ramës me shokë.”
Sot, tha zoti Basha çdo shqiptar e ka të qartë se me Edi Ramën situata vetëm do të përkeqësohet. Në fund të mandati ai s’ka asnjë bilanc, prandaj shpreson që me paratë e drogës dhe shantazhin e krimit të grabisë votat e qytetarëve. Me Edi Ramën nuk mund të ketë zgjedhje, tha zoti Basha duke artikuluar kushtet e patjetërsueshme për opozitën.
“Dy janë kushtet të patjetërsueshme: zbatimin e ligjit të dekriminalizimit dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme.”


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 31 tetor 2016