Erjon Veliaj, jo vetëm mbylli një program televiziv që kishte investiguar rreth aferës së tij korruptive e kriminale në Sharrë, por ai nuk lejoi dje as transmetimin e denoncimit të Partisë Demokratike në lidhje me këtë skandal të rëndë të cënimit të lirisë së medias, të lirisë së fjalës.
Denoncimi ynë dje nuk u dha nga pjesa më e madhe e medias, që gjendet nën kontrollin e rreptë të pushtetit.
Nën kontrollin e Edi Ramës dhe dorës së tij të zgjatur në tërë aferat korruptive e kriminale të Bashkisë së Tiranës, që është Erjon Veliaj.
Ky mashtrues i pafytyre që fshihet pas pamjeve me bicikletë e me tuta po bën gjithcka që të fshehë të vertetën për vdekjen e një 17 vjecari në landfillin e tij, duke i mbyllur gojën medias, dhe duke kërkuar ti heqë zërin edhe opozitës së vendit.
Kjo censura e dyfishtë edhe pse dëshmon se kush janë në të vërtetë Erjon Veliaj dhe Edi Rama, është një turp për vendin, për shoqërinë dhe mediat tona.
Po i drejtohemi sot mediave të vendit me mesazhin që të mos bëjë kompromis me këto ngjarje të rënda, të mos pranojë harresën që kërkon të vendosë Veliaj mbi vdekjen e një 17 vjecari të pafajshëm.
Ne e dimë se jeni në kushtet e presionit, kërcënimit dhe joshjes, por është në nderin tuaj të ruani lirinë e shprehjes, arsyeja kryesore për ekzistencën e medias.
Partia Demokratike nuk do të heqë dorë asnjë ditë nga denoncimi i aferave korruptive e kriminale si ajo e Sharrës, e aq më tepër nga denoncimi i presionit ndaj medias.
Pika e vlimit po afron.
Edi Rama dhe Erion Veliaj mund të errësojnë ekrane e pushojnë gazetarë, por nuk do ta ndalin revoltën e popullit që po rritet përdite kundër sundimit të tyre të korruptuar e kriminal.
Deklarata për mediat e Sekretares së Marrdhënieve me Publikun, Grida Duma, 11 Tetor 2016