Mëngjesin e 22 korrikut, e mbani mend, se na zuri nata jashtë atëherë, ne thjesht kemi rënë dakord për ta miratuar, por realisht reformën në drejtësi po e votojmë sot. Fatkeqësisht, tani nuk jemi të bashkuar si atë ditë, dhe ky është një shembull tipik se asgjë të mirë nuk mund të prodhojë keqbesimi në politikë. E pothuajse gjithmonë, sa herë që ka një mosmarrëveshje apo një acarim, përgjegjësinë kryesore duhet ta kërkosh tek pushteti, dhe këtë nuk e them aspak sepse sot kam qëlluar të jem në opozitë.

Ne kemi bindjen dhe argumentet se ligjet, që po shqyrtohen në këtë seancë, e kapërcejnë kushtetutën, qeveria thotë se gjithcka është korrekte. Dhe sa kohë kur një palë e tretë, që të qëndrojë në mes nuk është shprehur, për të paangazhuarit politikisht mund të ketë padiskutim mëdyshje se me kë qëndron e drejta. Do të doja shumë që për këtë të dëgjohej opinioni i Komisionit të Venecias, i cili u bë në një farë mënyre, dorëzanësi i reformës, por druaj se kjo është tashmë e pamundur. Ndaj edhe i vetmi filtër që ka ngelur ende pa u përdorur për këtë është Gjykata Kushtetuese, të cilës i është drejtuar së fundmi Partia Demokratike.
Jo se nuk besoj tek institucionet tona, megjithë problemet që ato kanë, disa herë tepër të rënda, por e kam të vështirë të përfytyroj që shpatullat e tyre të brishta të mbajnë trysninë e frikshme të pushtetit, i cili në të tilla raste është i pamëshirshëm. Qofsha i gabuar, por kam një mijë arsye të mendoj kështu.
Ndaj nuk do të merrem gjatë për të shpjeguar konfliktin mes asaj, që kemi miratuar më 22 korrik dhe asaj që po votohet sot, me gjithë bindjen time se ai ekziston dhe është i thellë. Do të përpiqem të kapërcej pak muret e reformës në drejtësi për të vështruar përtej saj, duke i qëndruar pikëpamjes sime të kahershme, që edhe sikur ajo të funksionojë mrekullisht, gjë që ka shumë pak gjasa të ndodhë, sërish do të ishte e pamjaftueshme. Një reformë e plotë kushtetuese apo Republika e Re do të kishte qenë hapi apo gjesti ynë i parë i reflektimit.
Po e ilustroj me një ngjarje reale argumentin tim. Kur dyshja e ambasadorëve vizitoi grupin tonë parlamentar, pasi kishte qenë më parë në selinë e PS, u bëra një pyetje atyre (Ishim në kulmin e etheve të reformës për drejtësi atëherë): Dakord me reformën, me angazhimin tuaj të pazakontë, me rëndësinë e saj, me pritshmërinë e publikut, etj, etj, por a na e zgjidh kjo problemin e madh që kemi me zgjedhjet? Kjo është një pyetje për të cilën unë ende nuk e kam një përgjigje, dhe sa kohë nuk do ta kem, ky vend nuk do të jetë, as i qetë, as i sigurt, e aq më pak në rrugën e duhur, sic thotë “Rilindja”.
Natyrisht unë përgjigjen nuk e pres as nga zoti Lu dhe as nga zonja Vlahutin, sepse nuk është fare përgjegjësi e tyre, ndaj po e shtroj këtu në parlament, në vendin që e ka krijuar problemin, por edhe në të vetmin vend, ku ai besoj se mund të zgjidhet.
Dikush mund të thotë se c’lidhje ka reforma në drejtësi me zgjedhjet, se ato janë dy gjëra të ndryshme, por unë nuk gjykoj kështu. Sepse nuk mund të kuptoj dot se një vend bëhet më i lirë dhe më demokratik, vetëm se rrit ndëshkueshmërinë e zyrtarëve, gjykatësve apo prokurorëve të korruptuar, ndërkohë që aplikon me shumë sukses formën më të lartë e korrupsionit politik, atë të deformimit dhe trukimit të zgjedhjeve.
Megjithë rezervat e mëdha që ne kemi për ligjet, që shoqërojnë paketën kushtetuese, le të nisë që nesër aplikimi i reformës në drejtësi. Le të shkojnë në bankën e akuzës zyrtarë të djeshëm dhe të sotëm, pa dallime flamujsh partiakë, gjyqtarë apo prokurorë të korruptuar. Le të jetë edhe më e egër sec duhet fushata e pastrimit të tyre, se mbase e ulin pak stekën e grykësisë, e cila sot, për shkak të kësaj mazhorance, ka shkuar në lartësi të paimagjinueshme. Por në rast se pas një muaji qeveria do të nisë thasët e parave të pista kudo në Shqipëri dhe do të blejë zgjedhjet, reforma në drejtësi nuk do të kishte asnjë vlerë. Sepse ky sistem, të cilin e kemi pranuar edhe ne prej vitit 1991, që kur ka lindur e deri më sot që po flasim, formën më eprore të ndëshkimit politik nuk ka burgun, por votën. Dhe sa kohë, që ti po e asgjëson insistucionin e zgjedhjeve në këtë vend, gjithcka tjetër që mund të bësh e humbet rëndësinë dhe peshën që mund të ketë në kushte normaliteti.
Dhe Shqipëria nën “Rilindjen” e Edi Ramës po rrëshqet dramatikisht në honet e thella të një republike bananesh, ku nuk ka më asnjë vlerë se cfarë thua, cfarë bën dhe si qeveris, por mjafton të vish një herë në pushtet, e të mos ikësh më kurrë prej tij.
Eshtë pikërisht kjo asyeja se përse ai rekrutoi dhe i përdori në të gjitha fushatat që udhëhoqi “të fortët” kudo në Shqipëri, duke e bërë aq baltë, sa ishte gati automatike nisma jonë për dekriminalizimin. Dhe kush mendon se synimi i saj ishte thjesht pastrimi i parlamentit nga disa vrasës apo trafikantë, të ekspozuar më shumë se c’duhet, nuk ka kuptuar asgjë nga ajo. Tek e fundit, edhe ne sikur u mësuam me ta, edhe ata me ne, dhe ndoshta me pak sforcim mund të vazhdonim edhe ca kohë bashkëjetesën, që na e imponoi Edi Rama. Por, sipas meje, dekriminalizimi nuk do të kishte asnjë kuptim nëse nuk do të cmontohej ajo teknologji kriminale, e cila e lidh bandën me zgjedhjet dhe më pas banditët e përdorur me pushtetin.
Nën këtë optikë duhet parë edhe vërshimi kanabisit kudo në Shqipëri. Si një degëzim apo formë tjetër e flirtit të kësaj qeverie me krimin, në funksion të projektit që riciklohet cdo dy vjet për grabitjen e zgjedhjeve. Ndaj sado të zhvilluar ta kem fantazinë, unë e kam shumë të vështirë të përfytyroj suksesin e reformës në drejtësi, vetëm duke ëndrruar disa politikanë apo gjyqtarë të korruptuar, që ndëshkohen apo shkojnë në burg.
Natyrisht, unë e di se blerja e votës është një krim shumë i vështirë për t’u provuar, ndoshta edhe më shumë se vetë korrupsioni. Sepse në finale është një marrëveshje mes atij që shet dhe atij që blen. Po ashtu jam shumë i qartë se këtu përgjegjësia është shumë disproporcionale, gjithmonë në favor të blerësit, që është edhe shkaku i kësaj kolere kombëtare.
Unë e konsideroj këtë që po ndodh një pushtim të butë të zgjedhjeve, krejt e kundërta e dajakut apo përdorimit të policisë, që u aplikua në vitin 2001. Dhe ngaqë është më i sofistikuar, është edhe më i rrezikshëm. Por sic cdo e keqe që e ka një të mirë, fenomeni është kaq i përhapur, sa është e pamundur që ta mbulosh, ndërkohë që jam I sigurt se ekzistenca e tij është shndërruar tashmë në bindje kombëtare.
Po e them për hërë të parë në këtë sallë, një gjë që e dimë të gjithë ne që jemi këtu, e flasim me njëri-tjetrin, por nuk guxojmë ta shqiptojmë me zë të lartë. Aq e rëndë është situata me zgjedhjet në Shqipëria, sa flama e parave që shpërndahen për vota ka prekur edhe komisionerët apo numuruesit. Që do të thotë se njerëzit më të besuar, që supozohet të jenë më të devotshmit dhe më idealistët, e shohin nga duart kandidatin apo partinë e tyre, para se të shkojnë të kryejnë detyrën, për të cilën në fakt paguhen edhe nga shteti. Natyrisht që nuk i fajësoj ata për këtë derexhe të shpifur të korrupsionit politik me zgjedhjet tona. Sepse edhe ata janë shqiptarë, si gjithë të tjerët, në shumicën e rasteve edhe të varfër, që shikojnë dhe dëgjojnë rrotull tyre, se si lëvizin dhe shpërndahen dengjet e parave e të korrupsionit për të blerë zgjedhjet. Që do të thotë se mesa duket kanë arritur në përfundimin se në këtë ditë të madhe pazari për të gjithë, pse të mos kenë edhe ata pjesën e tyre. Por ky është fundi i gjithckaje. E kuptoni ku po shkojmë apo jo? A ka më sens që në këtë vend të flitet për vlera, për parime dhe për humanizëm, si arsyet më rudimentare se përse politika ekziston?
Dhe pyetja është se si ka mundësi që nuk është bërë asnjë hap, sado i rëndomtë për reformën elektorale, ndërkohë që zgjedhjet erdhën të pragu? Jua them unë. Se qeveria do që të kalohen të gjitha afatet kohore dhe të mos ketë, as votim dhe as numurimm elektronik, që duhet të ishte minimumi i mundshëm për të shmangur disa nga defektet më të rënda në zgjedhjet tona.
Si ka mundësi që dekriminalizimi sikur po harrohet dhe nuk ka më asnjë gjest, e jo më akt, që të tregojë vullnetin e qeverisë se ka një ndërgjegjësim? Si ka mundësi që cdo ditë kapen dhjetëra ton droge shqiptare brenda dhe jashtë vendit, dhe kryeministri tund raportin e Departamentit të Shtetit të para dy vjetëve, dhe thotë se këtu nuk shkruhet gjë? Sepse, me sa duket, ai është i vendosur të shkojë edhe në këto zgjedhje në partneritet të ngushtë me krimin, si mënyrën e vetme për t’i grabitur ato.
Natyrisht, do të isha i pasinqertë, po të thoja që gjithcka nisi dhe lindi pas korrikut 2013, pasi Rama me Metën erdhën në pushtet. Jo, kjo sëmundje ka ekzistuar edhe më parë, e pranoj, por kurrësesi në këto përmasa. Që do të thotë se shëndeti i pacientit ka ardhur duke u përkeqësuar. Përgjegjësia jonë e madhe është se nuk bëmë aq sa duhet për ta luftuar këtë epidemi në faza më pak të rrezikshme, pikërisht atëherë kur kishim më shumë mundësi. Kaq e vërtetë është kjo, sa mund të jemi e vetmja parti në botë, që jemi ankuar dhe e kemi vuajtur njësoj blerjen e votës, si kur ishim në pushtet, ashtu edhe tani në opozitë.
Por natyrisht, përgjegjësinë kryesore e ka ai që vjedh dhe jo ai që nuk di të ruhet. Ndaj edhe unë e tregoj gishtin tek strategu i kësaj sipërmarrjeje të madhe kriminale, që po kërcënon ta zhysë vendin në një krizë të pashembullt politike dhe në një konflikt të ashpër social, tek Edi Rama.
Zoti kryeministër,qe shkelqen me mungesen tende.
E di që do ta tundësh edhe për ca kohë flamurin e reformës për drejtësi. E di që do të përpiqesh të përfitosh sa mundesh prej efekteve të saj, e di që nuk do të lësh ngjalë pa gëlltitur dhe gjë tjetër në këtë tokë pa bërë për të qëndruar në pushtet. Por sido që të vërtitesh, nuk do ta shmangësh dot sfidën për rikthimin e zgjedhjeve normale në Shqipëri. Nuk po e përdor atë termin të lira dhe të ndershme të ODIHR-it, se më duket fjalë shumë e madhe. Në këtë pikë kemi mbërritur.
Sepse nuk e ke problemin vetëm me Partinë Demokratike, e cila natyrisht që ka lindur, është dhe do të mbetet parti e madhe. Por e ke me shumicën e shqiptarëve, që duan të jetojnë në një vend normal. Ata janë në të gjitha rastet më shumë se Partia Demokratike, madje edhe se opozita në tërësi, po të doni.
Dhe ka vetëm dy mënyra që zgjedhjet të rikthehen. Ose nga brenda, ose nga jashtë kësaj salle. Uroj shumë që të zgjedhësh mënyrën e parë. E ke vetë në dorë.


Fjala e deputetit të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, 6 tetor 2016