Deklaratë e këshilltarëve të PD për mediat, pas ndalimit të fjalës së tyre në mbledhjen e Këshillit Bashkiak

Këshilltarët e PD në Bashkinë e Tiranës nuk janë lejuar të flasin në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak ku Erion Veliaj kaloi akte të tjera në funksion të mafias së mbetjeve. Në këtë mbledhje, Erion Veliaj grabiti dhe një truall prej 22 mijë metrash katrorë, për tia dhënë pikërisht industrisë kriminale të mbetjeve. Pa transparencë dhe pa dhënë asnjë lloj llogarie.

Kreu i Këshilltarëve të PD, Leonard Olli, foli me mediat pasi iu hoq e drejta e fjalës në Këshill.

“Për këto diskutime duhej të kishim të drejtën legjitime që të gjithë shqiptarët e kanë fituar me gjak në vitin 90, të drejtën e fjalës. Kjo e drejtë fjale duhet të jepet brenda sallës së Këshillit Bashkiak ku ne kemi bërë betimin se ne do të mbrojmë interesat e publikut. Për fat të keq, nuk është hera e parë që kjo mazhorancë, pa dallim, me dhunën e kartonëve, sa herë vjen çështja për interesat mafioze, fillojnë dhe mbyllin mikrofonin dhe ndalojnë mbledhjen. U djeg shumë diskutimi i çështjes së “Eco Tirana”, jo thjesht dhe vetëm se është një aktivitet totalisht i paligjshëm, antiambientalist, në zemër të Tiranës e cila do të ketë impakt për rreth 90 mijë banorët e njësisë administrative n.9, pasi do të ketë depozitim mbetjesh, lëre çfarë thuhet zyra. Ajo që ata donin të fshihnin me çdo kush ishte aktiviteti i kësaj kompanie, e cila i ka paraprirë në kohë ligjit famëkeq të importimit të mbetjeve. Mafia po vendos diktatin. Popullit i është hequr e drejta e vendimmarrjes. Kjo u duk qartë edhe në parlament për mosaprovimin e referendumit. Fatkeqësia është se të gjithë bëjnë apel për një qytet më të pastër por të mos harrojmë se ishte vetë kryetari i bashkisë Erjon Veliaj, i cili jo më larg se katër muaj më parë, bëri apelin për t’u punësuar tek firma 3R. Apeloi për të shkuar për të punuar se të gjithë aty do të ishin të garantuar dhe të siguruar.  Dhe çfarë ndodhi. Një 17 vjeçar humbi jetën në mënyrë tragjike i shfrytëzuar çmendurisht nga mafia e përpunimit të plehrave. Sot na sjellin një emër të ri dhe këtë e fshehin nën petke memorandumesh, por nëse janë kaq të qetë, përse refuzojnë të bëjnë transparencë? Nuk është vetëm paligjshmëria që në themel në krijimin e kësaj kompanie, por janë 22 mijë m2 në qendër të Tiranës. Eshtë ky kryetar bashkie që mashtron duke thënë se unë do të ndërtoj shkolla dhe në atë vend mund të ndërtohej më shumë se një shkollë. Eshtë pikërisht ai vend mu në zemër të njësisë administrative nr.9 që mund të ishte bërë një qendër multifunskionale, që ishte vijimi i asaj që kishte iniciuar z. Basha. Ju e dini që atje ishte programuar një qendër multifunksionale për fëmijët, për parashkollorët, për shkollat e mesme, e me radhë. Por jo. Duhet t’i jepet mafias në përdorim. Dhe për fat të keq, që ta bëjnë këtë sa më lehtë dhe në mungesë të plotë transparence zgjodhën këtë mënyrë për ta mbyllur me dhunë”, u shpreh Olli.

Kreshnik Çollaku denoncoi mungesën e transparencës dhe pamundësinë për të marrë informacion nga bashkia:

“Do të them një mesazh të cilin unë e mendoj dhe do t’ua kërkoj edhe kolegëve të mi të Këshillit Bashkiak. Unë jam një i zgjedhur i këtij qyteti, si një përfaqësues i një pjese të saj në Këshillin Bashkiak, unë dua t’i them çdo qytetari të Tiranës se e kam të pamundur të zhvilloj atë funksion, atë veprimtari për të cilën unë jam votuar në këtë këshill. Ne sot jemi para një akti që sanksionon një veprimtari të qartë dhe të pastër mafioze. Akte të cilat kalojnë pa transparencë, akte të cilat kalojnë në dhunim të çdo ligji dhe më e rënda dhe këtu fillon mosfunksionimi ynë si Këshill, unë personalisht ndjehem i paaftë ta kryej këtë. Ne nuk kemi asnjë lloj mundësie për të replikuar, për të kërkuar informacion, për të kundërshtuar, pra të dashur qytetarë të Tiranës, ne nuk mund t’ju gënjejmë dot. Un nuk ju gënjej dot. Unë si këshilltar i këtij Këshilli Bashkiak, nuk e kryej dot më funksionin si i zgjedhur aty brenda. Ndaj po vlerësoj seriozisht, dhe do t’ua kërkoj kolegëve të mi, në mbledhjen që do të zhvillojmë, të dorëzojmë mandatet e Këshillit Bashkiak. Ne nuk mund të përfaqësojmë dot qytetarët sepse këtu ka një vullnet mafioz i cili bllokon fjalën, transparencën, sqarimet në çdo element. Kemi konsumuar çdo argument, kemi konsumuar çdo kërkesë normale, logjike, të edukuar, duke bërtitur ndonjëherë për të marrë fjalën. Për të thënë fjalën tonë, për të kërkuar informacion dhe transparencë, kjo nuk ndodh. Sjellja është tipike mafioze. Përpara këtyre sjelljeve ka dy rrugë, ne të mos gënjejmë qytetarët. Këtu brenda nuk mbrohen më interesat e qytetarëve, kështu që na mbetet, të dorëzojmë mandatet, të bojkotojmë këtë farsë dhe t’u drejtohemi qytetarëve ta zgjidhin vetë”, u shpreh Collaku.


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 7 tetor 2016

Kreshnik Collaku