Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë ka nisur debatin publik për sensibilizimin e grave dhe vajzave për rrezikun e importit të plehrave. Kryetarja e LDGSH, deputetja Albana Vokshi gjatë takimeve në Krujë tha se gratë dhe nënat duhet të ndalojnë planet e Edi Ramës për t’iu cuar në prag të shtëpisë; plehrat dhe drogën.

“Rritja e numrit të grave të prekura nga tumoret në Krujë për shkak të ndotjes nga plehrat është tronditëse. Rama i kapur nga mafia votoi ligjin për importin e mbetjeve të rrezikshme. Shqipëria e mbushur me drogë dhe plehra përbën rrezik për demokacinë dhe jeten. PD dorëzoi në Parlament firmat për referendum për t’i thënë ‘Jo’ hyrjes në Shqipëri të mbetjeve të rrezikshme. Duhet t’i shpjegojmë qytetarëve rrezikun e importit të plehrave dhe mbjelljes së drogës që këtu në Krujë e gjen edhe në oborret e shtëpive. Të bisedojmë me gratë, me nënat për të mos lejuar vrasjen e fëmijëve tanë dhe shkatërrimin e rendit shoqëror” – deklaroi Vokshi .

Ndërkohë edhe përfaqësuesja e lartë e Forumit të Gruas në Partitë Popullore Europiane znj. Hillie van de Streek e quajti cinike stimulimin e mbjelljes së hashashit dhe propogandën e qeverisë për importin e plehrave.

Hillie van de Streek tha se: Qeveria po tregon paaftësi për të menaxhuar territorin. Eshtë cinike stimulimi që i bën qeveria juaj mbjelljes së hashashit dhe legalizimit të importit te plehrave. Ajo nuk po e bën detyrën e saj dhe ju duhet t’i kërkoni llogari se pse po e vonon integrimin e vendit në BE. Ju thatë se në Krujë shkaqet kryesore të rritjes së numrit të grave me tumor janë mbetjet dhe ju duhet ta adresoni këtë kërcënim serioz për jetët tuaja. Forumi i Gruas së Partive Popullore Europiane mbështet dhe përgëzon Kryetaren e Lidhjes Demokratike të Gruas, znj. Albana Vokshi për ‘një axhendë rajonale për te drejtat e grave’ . Ju duhet të aktivizoheni për të ushtruar presion te qeveria për të ndryshuar gjendjen e grave.


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 2 Tetor 2016