Prokuroria ka përfunduar hetimet për protestën e popullit me 8 dhjetor kundër rivendosjes së simbolit komunist në qendër të Tiranës dhe ka vërtetuar një dëm prej 5 mijë euro, ndërkohë që organi i akuzës nuk ka bërë një hap të vetëm për 320 milionë euro koncesione korruptive në shëndetësi, nuk ka bërë asnjë hap të vetëm për 1 miliardë euro dëm shkaktuar shtetit në një vit nga kjo qeveri sipas raportit të KLSH, nuk ka bërë një hap të vetëm për 400 milion dollarë të vjedhura në një vit në tatime e dogana, dhe ende nuk ka vënë para ligjit një drejtues të lartë për drogën që ka pushtuar çdo territor të vendit.

Prokuroria heton protestën e popullit, por nuk heton ata që i vjedhin votën popullit, sic ndodhi në Dibër, ku Partia Demokratike ka dorëzuar një kallëzim penal më 1 shtator duke treguar emrat dhe rolet e grupit të strukturuar që prishi zgjedhjet atje. Prokuroria nuk ka bërë asnjë transparencë dhe nuk ka informuar as palën kallëzuese për këtë proces, siç e ka detyrim.

Prokuroria heton protestën e popullit kundër bunkerit komunist, por nuk heton ata që ndërtuan aty pa leje përbindëshin e betonit, duke abuzuar me ligjin dhe me taksat e qytetarëve.

Heton protestën e popullit por nuk heton ata që po vjedhin çdo ditë popullin, që kanë prishur garën, kanë fiksuar tenderat, që i japin gjithë fondin limit miqve e klientelës duke shkelur haptazi ligjin.

Prokruria ka zbuluar dëmin 5 mijë euro, po s’ka bërë asgjë për vjedhjen më të madhe që u është bërë shqiptarëve me aferën CEZ, me 600 milionë euro. S’ka bërë ende asgjë për aferën skandaloze të Sharrës ku humbi jetën Arditi. Dhe po atë ditë, me 8 dhjetor, Erjon Veliaj falsifikoi një dokument zyrtar, kallëzimi është në prokurori pikërisht nga polici që iu vodh firma, dhe organi i akuzës ende ska bërë asnjë hap në këtë drejtim.

Të gjitha këto fakte tregojnë për fat të keq se prokuror në vend është Edi Rama, ashtu siç është gjykatës, drejtor i shkollës së magjistratuës, siç urdhëron dhe mban nën presion çdo segment të drejtësisë.

Ky provokim i rëndë që i bëhet popullit dhe qytetarëve me këtë padrejtësi të përditshme, do të bëjë që 8 dhjetori të duket lule para marshit të popullit që po ngrihet çdo ditë në këmbë.


Deklaratë e Sekretarit të Përgjithshëm, Arben Ristani, 16 tetor 2016