Të nderuar kolegë!
Keni vënë në zjarr kazanin e propogandës, për të devijuar vëmëndjen e shqiptarëve me diskutimet shterpë të deputetëve dhe ministrave të cilët prej disa orësh po sikletosen për të mbuluar me retë e mashtrimit, një nga praktikat më korruptive dhe më të sikletshme për ju si mazhorancë, atë të avokatisë së Buxhetit Faktik.
Më vjen keq, vecanërisht për koleget zonja e nëna të së majtës, që duhet të luajnë një rol të shëmtuar në fakt, që është ai i vlerësimit të një buxheti, që legjitimon statusin më të vështirë të nënës shqiptare, të gruas shqiptare, të vajzave dhe të moshuarve, që janë në pikën e hallit dhe në kohët më dëshpëruese të tyre.
Dhe për të shprehur të drejtën e asaj cka mendoj, janë pikërisht këto muajt e fundit të vitit, kur diskutohen buxhetet, faktike apo të radhës, që bën edhe më të pasuportueshëm realitetin parlamentar, kur manipulimi dhe propaganda qeverisëse, kthehen në neveri për shqiptarët që ndjekin seancat “live” nga televizoret.
Sepse realiteti që ngreni ju me mashtrimet dhe marrëzitë këtu në Parlament, nuk ka as edhe një fije lidhjeje me të vërtetën e mjerimit të shqiptarëve, me kronikat e varfërisë dhe jetesës si në Mesjetë, që televizionet përcjellin cdo ditë nga terreni, Veri, Jug, Lindje dhe Perëndimi të Shqipërisë, me të vertetën e bilanceve dramatike që shkakton krimi nga hierarkia e lartë e pushtetit, me kultivimin, korrjen dhe transportin e drogës dhe deri tek krimi ordiner i vjedhjeve të bizneseve apo vrasjeve e aksidenteve në rrugë.
Është buxheti që shpreh dhe një herë shterpësinë e politikave dhe aq më tepër të pseudoreformave të kësaj qeverie, që në këto tri vite kanë vetëm një arritje- shpopullimin në masë të këtij vendi të vogël dhe për këtë do të keni dënimin më të rëndë të brezave që po rriten.
Duket akoma më absurde dhe tepër cinike, të flasim sot për buxhet kur për tre vite nuk janë ndërtuar as edhe tre kilometra akse nacionale, nuk është lidhur as edhe një fshat me qendrat e bashkive të Qarkut të Kuksit, kur për tri vite nuk është derdhur as edhe një para për ndërtim shkollash, qendra shëndetësore, nuk është lëvruar para për hapje vende pune atje ku shumë familje jetojnë në varfëri dhe kushte mbijetese.
Një nga koleget e majta, e quajti sukses të vitit 2015, Reformën Territoriale e cila presupozohej që përvec të tjerave të sillte rritjen e cilësisë dhe numrit të shërbimeve që do të merrnin qytetarët.
Për turpin tuaj, qytetarët e Tropojës, duhet të shkojnë në Kukës për të marrë një vulë nga Prefekti I Qarkut në ndonjë dokument që iu duhet ta paraqesin në institucionet shteterore.
Flitet për sot për buxhetin e vitit 2015, në një kohë kur në Tiranë dhe qytetet kryesore të vendit, sipas raporteve ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve, janë mbi 5 mijë fëmijë të mitur, që nuk ndjekin shkollën rregullisht, sepse duhet të shesin paketa apo facoleta, që të nxjerrin bukën e gojës.
A mund të quhet buxhet i një vendi, që synon hapjen e negociatave me BE, kur mbi 70% e të rinjve duan të largohen nga sytë këmbët sepse nuk gjejnë shpresë, nuk gjejnë punësim, nuk gjejnë të ardhmen në atdhe, sepse e vetmja mundësi është kanabisi, është korrupsioni, është të marrurit me punë të pista, për të shtyrë ditën apo javën?
Pra buxheti juaj është pikërisht ai buxhet, që buron dhe investohet per mbjelljen dhe korrjen e parcelave, për trafikimin e qindra ton hashashi nga Shqipëria drejt Italisë dhe vendeve të Evropës. është buxheti që në fakt sponsorizon tenderat e “shëndetësisë falas”, është buxheti që varfëron të ardhurat e familjeve për të majmur zyrtarët e drejtuesit e OSSHE, një humnerë fiskale që nuk investon as edhe një para në terren për rrjetin e amortizuar.
Në mungesë të ministrit në sale, po ju kujtoj se janë me dhjetra familje në këtë zonë kaq të varfër që kanë marrë borxhe e kredi që nuk do ti lajnë ndoshta gjithë jetën për të paguar kamatvonesat. Dhe ju si shtet si i përgjigjeni kësaj sakrifice? Vetëm me mllef e injorim total.
Mbi 10 familje kanë dalë në qiell të hapur në kushte të një varfërie të thellë sepse shtëpitë e tyre të vjetra janë djegur krejtësisht nga problemet në rrjetin fundor elektrik.
Asnjë dëmshpërblim, asnjë fond, asnjë mbështetje nga shteti, vetëm disa ndihma të Emergjencës Civile, të cilën gjej rastin ta vlerësoj dhe ta falënderoj.
Ky buxhet është gjithashtu buxheti që mbështet universitetet private për të zhvatur deri në monedhën e fundit prindërit që sakrifikuan jetën për arsimin e fëmijëve.
Të rinjtë me mesatare të lartë përvec mundit dhe djersës për rezultate të lartë, duhet të japin dhe para për të fituar një të drejtë me Kushtetutë. Pse?
Sa për ilustrim për zonjen Nikolla.
Eshtë një shkollë e vogël në skajin verilindor të Shqipërisë, në Zogaj të Tropojës, e cila shquhet si treve arsimdashëse.
Matura sivjet kishte 10 nxënës, 9 prej të cilëve fituan të drëjtën e studimeve të larta sipas skemave tuaja, por vetëm 5 prej tyre arritën të regjistroheshin dot dhe a dini pse? Sepse prindërit e tyre nuk kanë mundësi, sic keni ju për vajzën tuaj, ti shkollojnë në privat, as këtu në Tirane e jo më në Francë, Itali apo gjetkë.
Si nuk turpëroheni, nga ata prindër që qajnë me lot, se nuk kanë të ardhura as për tu blerë librat fëmijëve të tyre?
Pas këtyre e shumë fatkeqësive të tjera për shqiptarët, vini sot e kërkoni votën për buxhetin e krizës që shkoi dhe një krize edhe më të madhe që po vjen.
Ky dokument eshtë faktimi i treguesve të një ekonomie kriminale, të nje shteti kundër ligjit dhe standarteve demokratike, ka ngritur treguesit e një shoqërie në krizë të thellë papunësie, ekonomie, sociale dhe mbi të gjitha të mungesës së një perspektive në afate më të largëta.
Duke hyrë dhe më në brendësi të këtij drafti ne, si deputetë të opozitës, por dhe ekspertë të fushave të ndryshme, vlerësojnë mentalitetin që ju keni në këto tri vite qeverisje për atë që konsiderohet orientimi i zhvillimit ekonomik të vendit.
A mund të flasim ne sot pra për orientim ekonomik, për forcim të një tregu kur fuqia blerëse është tkurrur si asnjeherë në këtë cerekshekulli demokraci dhe pluralizëm, kur afron 10 mijë biznese të vogla e të mesme kanë mbyllur qepenat dhe papunësia ka shkruar në nivel kombëtar mbi 30 %?
Cili sektor mund të konsiderohet sot prioritet për zhvillimin e Shqipërisë?
Bujqësia? Agrobiznesi? Blegtoria?
As edhe një nga këto drejtime të ekonomisë bujqësore nuk është në fokus të politikave të një shteti i cili po ngren vetëm ekonominë e kanabizimit, punësimin e kanabisit , shtetëzimin e kanabisit, institucionalizimin e tij, si prioritet për të ardhura, si një mënyrë për të punësuar gra, vajza, të moshuar burra e fëmije, si krahu më i lirë i punës dhe për të sjellë fitime marramendëse tek njerëzit e qeverisë, njerëzit e pushtetit, drejtues të policisë dhe zyrtarë të tjerë
Kolegë!
Si deputete e Tropojës, disa herë kam ngritur zërin se kjo zonë aq e pasur me drurë frutorë dhe arrorë, gështenja dhe boronicë, nuk arrin të gëzojë as edhe një të ardhur nga kjo dhuratë e natyrës .
Pse?
Sepse Rama e qeveria e tij klanore, ka prioritet të tjera zona, të cilat i përdor si hambare për vota, e nga ku bën show me regji televizive, ku jep leksione fshatarëve sesi ta shesin rrushin nga shtëpitë apo në rrugë.
Nga kjo foltore konfirmoj sërish me dhimbje dhe akuzoj këtë qeveri se Tropoja, zona që duhej të ishte destinacioni i turizmit malor, është kthyer në emblemën e mjerimit kombëtar.
Dhe nga kjo seancë sot kam një thirrje pë Kryeministrin.
Zoti Kryeministër, meqënëse po i afrohesh fundit të mandatit dhe besoj krejt fundit tënd politik, të ftoj të vizitosh Valbonën, të paktën një herë në jetën tënde dëshmo se, nuk ke patologji për alpinët.
Eja dhe thuaju banorëve, këtyre guximtarëve të turizmit që shteti nuk i ka ndihmuar as edhe me një qindarkë.
U ke borxh të madh ti sqarosh: cfarë ju leverdis më shumë Hec-et apo turizmi? A do të cënojnë biodiversitetin e kësaj lugine kaq të vecantë për Ballkanin dhe Evropën, ndërtimin HEC-ve atje?
A do të sjellin energji elektrike për banorët e braktisur apo shkatërrim të natyrës dhe të mjedisit?
Por për këto përgjigje lypset besë dhe jo mashtrime e fshehje pas murit të FB apo Tweeter.
Tregohu të paktën burrnor me Veriun, me Tropojën, Bashkia e së cilës është ndër më të izoluarat e më të braktisurat, me një buxhet të papërfillshëm, me investime ZERO në infrastrukturën rrugore vecanërisht asaj ndërkufitare.
Tropoja e harruar në këtë buxhet të shkuar por dhe në atë që do të vijë, është një nga zonat më të izoluara në Republikë e Shqipërisë.
Asnjë lekë nga taksat dhe faturat e larta që tropojanët paguajnë deri më një, nuk hidhen për ndërtime rrugësh apo investime të tjera në infrastrukturë.
Pse nuk miratoni dhe levroni fondet per fillimin e punimeve në rrugën Kam- Kepenek- Zogaj- Qafë Prush e më tej Zgjeç e Peraj, projekti teknik i së cilës eshte gati, 18,5 km gjatësi rruge kostuar në vlerën rreth 4,8 milion euro( asgjë krahasuar me pasuritë nëntokësore të kësaj zone) prej së cilës 1600 banorë do kishin përfitim të drejtperdrejtë?
Edhe sa do presin 2200 banorët e Tropojes për 22 km të Rrugës Buçaj-Padesh- Koshare- Gjoçaj që të kenë mundësi të zbresin kështu në Junik?
Apo 11 mijë banorë të Hasit me ndërveprim të theksuar me Gjakovën, që po presin nga ju 12 km deri në Qafe Prush për rrugën Golaj- Dobrunë- Goden- Dol dhe më pas Gjakovë?
Aktualisht 3110 banorët e Pac, Berishë madje edhe një pjesë e fshatrave të Pukës për më pak se 20′ do të zbrisnin në Gjakovë nëpërmjet aksit Pac- Qafë Gjonaj- Babaj Bokës, por ju nuk iu intereson aspak kjo.
Për të mos përsëritur veten dhe kolegët, po bëj vetëm edhe një përmbledhje për buxhetin tuaj faktik për Tropjën:
Zero investime edhe për shëndetësinë…
Zero investime edhe për arsimin, ku së paku mund të kishit rast për hapjen e një shkole profesionale hoteleri-turizëm…
Për ndonjë skeptik nga bashkëpatriotët e mi që mund të jetë duke na ndjekur dhe po pret ndonjë fjalë të mirë- Po do kemi një shëtitore, një fasadë urbane e cila do të sjellë ZERO të ardhura, ZERO punësim, ZERO shpresë….
Kolegë!
Për ta mbyllur, unë mendoj se fakti më domethënës i krizës dhe falimentimit të këtij pushteti është pikërisht ky buxhet faktik që keni sjellë sot për votim.
Nuk ka më shpëtim për ju me manipulim e mashtrim shifrash, strategji e buxhete.
Shpëtimi janë reformat dhe lufta kundër krimit e korrupsionit.
Ky është programi i Opozitës dhe zbatimi I tij,nga qeveria e ardhshme demokratike, do të jetë shpresa për një Shqipëri normale e të jetueshme, e jo I asaj që të gjithë po duan të ikin prej saj me dëshpërim.
Faleminderit!
Fjala ne Kuvend e deputetes Mimoza Hajdarmataj, 20 Tetor 2016