Ligjet që po shqyrtojmë sot, që kanë të bëjnë me falimentin, kreditë e këqija, sherbimin përmbarimor gjyqësor, jashtë kontekstit të kohës kur po shqyrtohen dhe të palidhura me aktivitetin e mazhorancës parlamentare sot, janë në vetvete një përpjekje e mirë për të rregulluar diçka për mirë, për interesat e qytetarëve, bizneseve dhe bankave.

Koha që po jetojmë dhe menyra si po vepron dhe po sillet kjo mazhorancë, na bind katërcipërisht, se është e kotë të përpiqesh të bësh ligje të mira, çdo gjë është e kot, se ligjet nuk zbatohen, çdo gjë është e kot, se shkelësit e ligjit, kjo aleancë e programuar anti ligj që në konceptim, ky parlament i kriminalizuar, kjo qeveri e kriminalizuar, ky shtet kriminel, ska lidhje me ligjin.

Gënjyet gjithë dynjanë, se gjoja do bënit reformë në drejtësi, gënjyet siç gënjeni për çdo gjë, si çdo gjë që e ktheni në fasadë, si ajo kërpudha simbol e kryeministrisë, simbol i Ramës, kërpudha e bukur nga jashtë por e krimbur dhe helmuese nga brënda.

U detyruat të votoni ndryshimet kushtetuese sipas standarteve të Venecias dhe menjëherë sapo arroganca dhe ligësia juaj u gjend pa pengesë, miratuat ligjin e Vetingut me përmbajtje antikushtetuese dhe në kundërshtim me Konventën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

Sot sigurisht që fërkoni duart që reforma po vonohet për të riparuar djallëzinë dhe shkeljet tuaja kushtetuese.

Sot sigurisht që nuk do i sulmoni gjyqtarët kushtetues duke rrëmuar në çdo cep të jetës së tyre personale dhe familjare, sepse ata, me vendimin e tyre plotësisht të drejtë, praktikisht kënaqin synimet tuaja të mbrapshta, për të vonuar drejtësinë të bjerë mbi ju.

Sot sigurisht nuk do ngrini militantët tuaj të përzierë me kriminelët që ju shoqërojnë në çdo hap, për të rrethuar Gjykatën Kushtetuese dhe për ta vënë atë nën presion, sepse aktualiteti është në favorin tuaj.

Ligji dhe zbatimi i tij, juve ju tmerron, anarkia ligjore, dhuna dhe arroganca, padrejtësia dhe pashpirtësia, është tipari juaj, këto jane cilësitë që ju duhen.

Përse duhet që ne si opozitë të votojmë ligje që skanë për tu zbatuar?

Përse duhet që ne si opozitë të shërbejmë si fasadë për të mbuluar pisllëkun tuaj?

Përse duhet që ne si opozitë të qëndrojmë si ajo pjesa e mirë dhe e bukur e kërpudhës kryeministrore, për të mbuluar kalbëzimin dhe helmin tuaj vdekjeprurës?

JO, ne nuk bëhemi fasadë e mashtrimit.

Ne jemi këtu për të bërë të qartë, për këdo që ka vesh të degjojë dhe sy të shikojë,

Se që nga dita juaj e parë në pushtet, krimi dhe kriminelët janë fytyra e vërtetë e juaja.

Ne nuk do rreshtim së theksuari, nuk do rreshtim së thëni dhe stërthëni, se e mbushët parlamentin me kriminelë, me vrasës, trafikantë prostitutash dhe droge. Por jo vetëm parlamentin, por edhe pushtetin lokal dhe administratën shtetërore.

Se ju detyruam se bashku me ndërkombëtarët që të pranoni dhe nënshkruani marrveshjen dhe ligjin për dekriminalizimin, ligj që është prova e pakundërshtueshme e qënies suaj kriminale,  ligj të cilin nuk po lini gur pa lëvizur që ta lini pa veprim.

Bëtë gjoja një reformë territoriale e cila ishte asgjë më shumë se një manipulim elektoral dhe faktikisht ka rënduar pa fund, ka pakësuar dhe përkeqësuar shërbimet ndaj qytetarëve.

Bëtë gjoja një reformë në shëndetësi e cila ishte skema më e qartë e vjedhjes dhe zhvatjes së parasë publike, parasë së shqiptarëve të varfër, duke sajuar tre skema si ajo e check-up, ajo e hemodializës apo ajo e sterilizimit, të treja me nga 100 milion euro secila, pra 300 milione euro për vetëm tre klientë të qeverisë.

Ndërsa populli, ai  të sorrollatet me orë e ditë të tëra, ai të mos gjejë as ilaçe as shërbim, asgjë prej gjëje, derisa të vdesë ashtu si vdiq nëna e re me fëmijën në bark duke e sorrollatur nga dera në derë.

Bëtë gjoja një reformë në arsim duke mbyllur universitete në mbarë vëndin dhe duke larguar nga mundësitë e arsimimit mijëra të rinj dhe të reja, latë sot mijëra maturantë pa u rregjistruar në shkollat e larta që dëshironin dhe meritonin, e gjitha kjo për shkak të arrogancës, pashpirtësisë dhe qellimeve për të favorizuar klientët e pushtetit që të zhvasin me tarifat më të larta të mundshme, prindërit dhe rininë që kërkon të arsimohet.

Për tre vite keni arritur të zhysni në varfëri gjithë Shqipërinë duke e rritur varfërinë nga 12% ne 17% , ndërkohë që varfëria ekstreme është 4 fishuar.

Papunësia është rritur nga 13% në 17%, pagesa për papunësinë është 0

Janë nxjerrë nga skema e ndihmës ekonomike mëse 20.000 invalidë të pamundur, ndërkohë edhe ata që përfitojnë nga ndihma ekonomike, ajo ështe vetëm 20 dollarë në muaj.

Sipas ERE, çmimi i energjisë elektrike është rritur me 25%

Investimet publike janë në shkallën më të ulët historike, vetëm 4.3%, ndërkohë që investimet e huaja janë për tu harruar, me përjashtim të  atyre që janë në vazhdim nga e kaluara.

Taksat janë rritur duke qënë sot më të lartat në të gjithë rajonin, konsumi bie çdo ditë, ndërkohë që është shtuar me 12 pikë përqindja e borxhit i cili ka kapur kuotën e 73 e kusur %,

Të keqen që na ka zënë nuk ka ilaç që e shëron. Ajo duhet shkulur me rrënjë, përndryshe Zoti e di ku do e ndali vrapin.

Kjo mazhorancë dhe qeveria e saj, me pabesi, e kapur nga mafia, duke shkelur çdo angazhim dhe premtim përpara shqiptarëve,  vendosi të importojë në Shqipëri, plehrat e Europës, për tu përpunuar dhe djegur këtu, për të helmuar shqiptarët dhe femijët e tyre.

Pasi bëri këtë veprim të shëmtuar, Rama dhe të vetët, kërkojnë t’ju mohojnë shqiptarëve edhe të drejtën e tyre themelore për tu shprehur me referendum, duke ekspozuar kështu pafytyrësinë e kësaj bande në pushtet.

Ne bëjmë sikur miratojmë ligje, ose më saktë ne miratojmë ligje të cilat nuk zbatohen kurrë.

Për ta lidhur me një shembull:

Me një vendim të qeverisë të vitit 2014, Rama krijoi një detyrim ligjor për të gjitha bashkitë e vendit, që me mbështetje qeveritare të realizonin procesin e diferencimit të mbetjeve, proces i cili do të bënte të mundur jo vetëm një pastrim më të mirë të vëndit, por edhe do të furnizonte industrinë e përpunimit dhe të riciklimit.

Sot ky vendim i qeverisë, si e gjithë situata ligjore në Shqipëri, është pa veprim, dhe qytetet, fshatrat, lumejtë e vendit janë të stërmbushur me plehra.

Plehrat digjen në mënyrë kriminale, ndotin ambjentin dhe shtojnë numrin e të sëmurëve nga kanceri në mushkri.

E keqja vazhdon edhe më e dhimbshme, madje këtu dërrmon çdo shpresë për tu marrë me ligjbërje.

Kryeministri dhe ministri i brendeshëm i këtij vendi janë krerët e                narko-trafikut, dhe shumë drejtues policie dhe punonjës policie janë bashkautorë dhe bashkpunëtor në mbjelljen dhe trafikun e drogës, duke e bërë Shqipërinë të ngjajë, përditë e më shumë, me Kolumbinë.

Organizata e Kombeve të Bashkuara, në raportin e saj të fundit për drogën në të gjithë botën,  thotë se Shqipëria renditet në 5 vendet e mëdha të kultivimit të kanabisit, bashkë me Kolumbinë, Xhamajkën dhe Paraguain.

Drejtësia Italiane e konsideron edhe ajo Shqipërinë si Kolumbi të Europës dhe Kanalin detar të Otrantos si autostradë të drogës, tashmë edhe një koridor ajror me qarkullim shumë të dëndur të avionëve të drogës.

Vetëm në këtë muaj që jemi, pra në tetor, janë kapur 7 tonelata droge në Itali, 5 tonelata në Greqi dhe 38 të tjera në Shqipëri.

Qindra tonelata të tjera droge presin të sulmojnë Europën në magazinat e mafijas kudo në Shqipëri.

Por e keqja përsëri ska fund.

Lumenjtë e tonelatave të drogës nuk ndjekin rrjedhën vetëm drejt Europës. Ato kanë filluar të sulmojnë shkollat 9 vjeçare, shkollat e mesme dhe më gjerë.

Vetëm këtë muaj në dy raste, në dy shkolla 9 vjeçare, fëmijet trullosen nga tymi i drogës dhe përfundojnë në spital, sipas mediave edhe të abuzuar.

Ky është kulmi, e keqja që po i bëni këtij vendi ska fund. Mallkimi i prindërve do ju ndjeki.

Droga kudo ku ka lulzuar nuk ka sjellë asgjë të mirë. Kolumbia me të cilën po tentojmë të krahasohemi u zhyt për 40 vjet në luftë civile për shkak të drogës.

Droga lë pas gjak dhe fatkeqësi!

Në një gjëndje të tillë, çdo përpjekje për të bërë ligje të mira duken si betejat e Don Kishotit me mullinjtë e erës.

Përpiqet Partia Demokratike përmes ligjit të dekriminalizojë politikën dhe administratën, përpiqet PD përmes ligjit të realizojë reforma si ajo në drejtësi apo reforma zgjedhore, por ku i bëjnë syte dritë Ramës dhe të vetëve me gjithë ato qindra miliona euro që kanë mbledhur nga droga dhe korrupsioni.

Ndaj, beteja jonë parlamentare ka kuptim kur përmes saj ne arrijmë t’i japin zë aspiratës qytetare për dekriminalizimin, kur ne arrijmë të ndalim përmes ligjit dhe shtetit drogën, kur ne arrijmë të kemi zgjedhje të lira dhe të ndërshme, kur ne mundemi dhe arrijmë të nxjerrim shqiptarët nga varfëria, kur ne arrijmë të hapim punë, arrijmë të thithim investime, të sigurojmë arsim dhe shëndetësi me standarte, t’u sigurojmë mundësi shqiptarëve të kthehen e të punojnë në vendin e tyre e jo të ikin nga sytë këmbët me qindra mijë prej tyre.

Ky parlament është shndërruar tashmë në një parlament të narkotrafikut dhe për opozitën është një parlament i delegjitimuar që sado ligje të miratojë ato vlejnë vetëm për fasadën gjoja demokratike të bandës.


Fjala në Kuvend e sekretarit të Përgjithshëm të PD, Arben Ristani