I nderuar drejtues i seancës!
Të nderuar deputetë!
Të nderuar qytetare e qytetarë!

Buxheti faktik për vitin 2015, na prezantohet sot si një raport për situatën makroekonomike dhe buxhetore për vitin që kaloi, për rezultatet dhe treguesit kryesorë të buxhetit të qeverisjes, nga njëra anë,  por edhe me raportin e Kontrollit të Lartë të shtetit që pasqyron realizimin e këtij buxheti.
Ajo çfarë shihet haptas dhe krejt qartë është evidentimi i problematikave dhe dëmeve ekonomike të konsiderueshme, rrjedhojë e keqmenaxhimit në fusha të ndryshme të ekonomisë: Këto me pak rreshta mund të përmblidhen:
–         Të ardhurat e përgjithshme janë realizuar në vlerë 379,206 milion lekë, nga 414,469 milion lekë të planifikuara me një mosrealizim prej 35,263 milion lekë (91.5%).
–         Shpenzimet e përgjithshme të buxhetit për vitin 2015, u realizuan në vlerë 437,408 milion lekë nga 472,697 milion lekë të planifikuara ose 92.53% me një diferencë nga plani 35,289 milionlekë. Krahasuar me realizimin e shpenzimeve të vitit 2014, këtë vit janë shpenzuar më pak 1,441 milion lekë ose 0.3%.
–         Borxhi Publik për vitin 2015 rezultoi në vlerën 1,065,712 milion lekë ose 73.86% të PBB-së, për vitin 2015, nga niveli prej 1,024,787 milion lekë ose 73.49% të PBB-së i realizuar për vitin 2014.
Pra, e përkthyer më thjeshtë, kemi arkëtuar më pak, kemi investuar më pak dhe jemë në borxh më shumë.
Sot po miratojmë një buxhet faktik, për atë çfarë u bë dhe u shpenzua gjatë vitit që kaloi dhe përtej shifrave të gjithë mund të lexojmë qartë rezultatin. Nuk ka vende të reja pune. Nuk ka investime të reja. Nuk ka asnjë rrugë të re. Nuk ka asnjë urë të re, asnjë shkollë të re, sepse paratë që duhet të destinoheshin për këto investime janë bërë rrush e kumbulla nga një grusht qeveritarësh.
Dhe së dyti, mund të shikojmë që kemi një volum shpenzimesh luksi të pakrahasueshme me zërat e shpenzimeve të qeverisjes së mëparshme, të pakrahasueshme për frymë të ndonjë qeverie europiane me ekonomi në rregull e jo më me ekonomi në krizë.
Kjo ka sjellë jo vetëm tkurrjen e ekonomisë, mbylljen e vendeve të punës, humbjen e besimit të konsumatorit dhe si rezultat edhe të biznesit, rënien e kreditimit, rënien e eksportit, rënien e importit, por ka sjellë edhe një dëm të madh biznesit dhe të investimeve të huaja në Shqipëri.
Por unë dua të përqendrohem tek fondet që qeverisja qendrore i ka dhënë pushtetit vendor, ku shihet qartë pabarazia e dukshme dhe diskriminimi në shpërndarjen e tyre sipas rajoneve.
Buxheti i vitit 2015 ishte i pari që zbatonte reformën e re territoriale duke transferuar tek pushteti vendor një sërë shërbimesh dhe funksionesh publike. Rreth një të katërtën e parave për pushtetin vendor i merr  dhe i shpërndan Fondi i Zhvillimit Rajonal, ndërkohë që investimet e këtij fondi zgjasin më shumë se një vit. Pikërisht në raport del qartë se  kriteret e zgjedhjeve të tij për investime realizimi i të cilave prekin drejtpërdrejtë qytetarin nuk ishin asnjëherë shumë të qarta dhe ekziston rreziku që jo të gjitha paratë janë ndarë barabar mes bashkive të majta dhe atyre të djathta, duke respektuar orekset e partiakëve në pushtet.
Gjatë auditimit nga Kontrolli i Lartë i shtetit është konstatuar se shpërndarja e Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, sipas qarqeve ka paraqitur një disproporcion të nivelit të fondeve të shpërndara. Një pabarazi  totale.
Kështu nga auditimi konstatohet se në nivel të përgjithshëm shpërndarja sipas rajoneve reflekton një disnivel shpërndarjeje prej 63%, por ky disnivel është i ndryshëm po të analizojmë shpërndarjen brenda programeve të veçanta.
Kështu në programin “Shqipëria dixhitale” disniveli midis qarqeve që kanë përfituar nga ky fond rezulton më i larti prej 91%, në programin “Infrastruktura vendore dhe rajonale rezulton një disnivel prej 27%, për programin “Arsimi” ka një disnivel prej 21%, për programin “Ujësjellës-Kanalizime” ka një disnivel ndërmjet qarkut që ka përfituar më shumë dhe atij më pak prej 60%.
Imagjinoni çfarë shpërndarjeje i është bërë parave për pushtetin vendor. Nuk ka nevojë për të bërë shumë politikë. Shifrat janë kokëforte. Edhe pse raporti i KLSH-së nuk e jep, kërkoni shpërndarjen gjeografike të këtyre fondeve për të parë sesi kjo qeveri ka shpërndarë paratë, për të dalluar qartë diskriminimin që i bën bashkive të caktuara, kryesisht atyre të veriut, qofshin edhe të majta. E gjitha kjo përpiqet të mbulohet përmes praktikave korruptive dhe një inefiçence të pashembullt.
Kështu, mungesa e raportimit faktik të Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, të përfshirë në treguesit e buxhetit vendor përbën një ngërç, që rrjedh  nga problematika që fillojnë që në planifikimin fillestar që keni bërë. Fondi i Zhvillimit të Rajoneve programohet si një fond pjesë e buxhetit vendor, kur realisht është një fond që planifikohet për tu shpërndarë si për pushtetin vendor dhe atë qëndror në Ministritë e Linjës.
Pra, plot 1 vit e gjysëm pas miratimit të reformës territoriale që  ndryshonte ligjin bazë të organizimit e funksionimit të qeverisjes vendore, vazhdoni të  tregoni haptazi se as atëherë dhe as tani nuk kishit asnjë vizion, asnjë projekt, asnjë ide të qartë se si duhej bërë reforma.
Si rezultat i mbartjes së kësaj paqartësie, siç paraqitet edhe në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, alokimi i Fondit të Zhvillimit të Rajoneve si në pushtetin qëndror dhe atë vendor, nuk lejon një mënyrë të saktë të raportimit të treguesve faktik tij, duke çuar në një pështjellim në trajtimin e këtij fondi.
Si rezultat, në raportin e buxhetit faktik mungon nje pasqyrim transparent i realizimit të zërit Fond Zhvillimi të Rajoneve duke përbërë një risk të lartë për financat publike, në mangesinë e transparencës së raportimit faktik të tij.
E thënë me pak fjalë, e gjithë kjo është bërë për të lejuar lehtësisht, jo vetëm ndarjen e pabarabartë, por edhe duke krijuar mundësi për abuzime korruptive, që janë në fakt dy orientimet e vetme të kësaj qeverisjeje.
Prandaj, është lënë në një situatë të tillë evazive edhe kuadri ligjor i zhvillimit rajonal, ku të përcaktohet në mënyrë të saktë dhe të qartë qëllimi dhe destinacioni, në lidhje me shpërndarjen e parave midis pushtetit qëndror, atij vendor, por dhe barazinë midis rajoneve.
Prandaj,  gjatë vitit 2015 Shkodra është diskriminuar duke marrë përsëri vetëm 1% të fondit total të investimeve nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, padyshim më e ulëta krahasuar me Bashki të ngjashme si Fieri, Durrësi, Vlora apo Korça. Ky është sfondi i shifrave që krekos një kryeministër dhe që si refren ndaj kërkesave dhe projekteve të bashkive të këtyre zonave përdor gjithnjë, vetëm një shprehje: kokërr leku nuk keni.
Në fakt, këtë  diskriminim e kanë parë dhe po e shohin qartë e gjithë zona e veriut edhe këto ditë, kur përmbytjet prej  reshjeve relativisht normale për këtë periudhë të vitit, kanë shkaktuar një të vdekur, kanë prekur familje që kanë mbetur mes katër rrugëve aq sa në mënyrë dëshpëruese  kërcënojnë me vetëflijim, si dhe kanë shkatërruar dhjetëra biznese.
E pse? Sepse fondet dhe investimet në prita dhe argjinatura për këto zona kanë qenë zero. Sepse shteti i tyre i ka ndarë në të tanët dhe të tyret.
Kësaj situate diskriminuese, megjithëse si temë jashtë buxhetit do t’i shtoja edhe atë çfarë po ndodh me mësuesit në Shkodër. Në mënyrë të fshehtë dhe pa asnjë njoftim zyrtar, të gjithë mësuesit që kanë mungesë të orëve sipas normave përkatëse, janë paguar me orëmësimore dhe jo me ditë pune. Kjo gjë është marrë vesh vetëm tani, që mësuesit u ballafaquan me mungesa, në pagat e muajit shtator. Në kundërshtim me ligjin dhe udhëzimet qe ka nxjerrë vetë Ministria e Arsimit dhe Sportit, Drejtoria Arsimore ka futur në sistem më shumë se 40 mësues të rinj, militantë partiakë, që t’i kenë ushtarë të devotshëm gjatë zgjedhjeve të ardhshme. Orët mësimore që u janë dhënë të emëruarve të rinj, janë marrë nga ngarkesa mësimore e mësueve që ishin në sistem, por që tani kanë filluar të paguhen më orë. Kjo mënyrë veprimi ka dy qëllime: i bëhet hapur presion armatës së mësuesve që unë sot të paguaj me orë, ndërsa nesër të largoj fare nga sistemi, si dhe shpërblen paraprakisht militantët partiakë, duke i futur brenda sistemit, që t’i ketë ushtarë të bindur gjatë fushatës së ardhshme elektorale.
Premtimi për rritjen e pagave me 10 % në mars të vitit të ardhshëm një muaj para fillimit të fushatës, (kur për 3 vite me rradhë nuk janë përmbushur as indeksimet e inflacionit as detyrimet për shpërblimet e fundivitit), është një fyerje tjetër e madhe që iu bëhet gjithë mësuesve të këtij vendi dhe në këto momente tingëllon dyfish fyese për mësuesit shkodranë.
Normalisht nuk mund të pritet tjetër nga politika dhe qeverisja juaj, ashtu si shifrat e këtij buxheti që po miratojmë sot.
Ky buxhet faktik me ulje investimesh dhe rritje borxhi, që tregon kokëfortë sesi po e varfëroni këtë vend, është saktësisht, fytyra e qeverisjes suaj e shprehur me shifra.
Kam nje thirrje për shqiptarët, reflektoni se çdo ditë po bëhet më vonë. Një ish i burgosur i nazismit,pastori gjerman dikur thoshte:

“Kur ata erdhën për socialistët, unë nuk reagova sepse nuk isha socialist. Kur ata erdhën për sindikalistët, unë nuk reagova, sepse nuk isha prej tyre, edhe kur erdhën për çifutët unë nuk reagova përsëri, sepse nuk isha çifut. Në fund, kur ato erdhën për mua, nuk kishte mbetur më askush të fliste apo të reagonte”

Nese nuk reagojmë sot, është e sigurtë që do vijë dita të na trokasin në derë dhe s’do ketë mbetur askush më të reagojë për ne. Po bëhet vonë për të gjithë.


Fjala ne Kuvend e deputetes Irma Kopliku, 20 Tetor 2016