Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vizitoi zonat e përmbytura në Lezhë. Së bashku me kryetarin e Bashkisë zotin Fran Frrokaj, lideri i opozitës pa nga afër situatën në Spiten, ku gjendja është kritike dhe në përkeqësim. Banorët janë braktisur në mëshirë të reshjeve që vazhdojnë pa pushim, ndërsa qeveria është zhdukur në drejtim të paditur.

Banor: Me na ndihmue se na jemi në gradën e fundit. Ne nuk kemi çfarë bëjmë tjetër, o me ik, ose me ju lut Zotit se me këtë qeveri që kemi ne nuk kem pse i lutena. Ai nuk pranon, ai tallet me njerëzit, bë me ardh ai këtu tallet me mue. Si Kryeministër shkarravinë është.

Basha: Ai nuk vjen këtu, ka shku në Amerikë për ekspozitë.

Banor: Është përmbyt tanë Shqipëria, ai shkon atje.

Basha: Ai nuk do me ja dit as për ju, as për për ata që thua ti, të tjerët. As për demokratë, as për socialistë, ai donë me ja ditë vetëm për veten e tij. Në kulmin e kësaj situate, kësaj katastrofe ku qindra hektarë janë përmbyt, qindra shtëpi janë përmbyt, ka pasur viktima, ai kërcet dhe ikën për ekspozitat e veta. Kjo është gjendja e jashtëzakonshme. Nuk e shpall gjendjen e jashtëzakonshme sepse nuk do të dëmshpërblejë dëmet që i janë shkaktuar banorëve nëpër shtëpija, nëpër fusha e kudo tjetër. Situata është shumë e rëndë. Këtu jemi për t’ju thënë që edhe në ditë të vështira bashkë jemi e bashkë do të jemi, nuk ju lëmë vetëm.

Banor: Të lutem shumë kur të vish ne qeveri Bordi i Kullimit ose ti kalojë shtetit, nesër e jotja si qeveri, ose ti kalojë komplet bashkisë  dhe jo njëri i nënës dhe tjetri i njerkës e të zihena nesër.

Kryebashkiaku Frrokaj tha se bashkia Lezhë e ka të pamundur ta përballojë situatën, pasi qeveria i ka dhënë zero fonde. Por fondet nuk kanë as për bordet e kullimit, tha Frrokaj pasi nuk janë prioritet i qeverisë.

Fran Frrokaj: Mesa duket problemi është krejt lart dhe vetëm lart sepse fondet janë gjithandej shumë të rrezikuara, edhe bordi i kulimit po edhe bashkisë. Sidomos bashkia është “out” fare sepse ne kemi kanalet e dyta dhe të treta dhe kanali i parë dhe hidrovori vazhdon të jenë nën varësi të Bordit të Kullimit. Ka një farë diskordance, është edhe problemi i mosfunksionimit të hidrovoreve të energjisë elektrike.

Kreu i opozitës i kërkoi qeverisë të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, të nis shpërndarjen e ndihmave për banorët dhe të zbresë në terren pranë qytetarëve.

Basha: Gjendja është alarmante, flet vetë. Ja shikoni se si përparon njolla e përmbytjes. Asnjë autoritet qeveritar nuk është i pranishëm. Kryeministri ka braktisur njerëzit, ka braktisur të përmbyturit dhe ka shkuar për shtatë palë qejfe të kridhet për lukset e ekspozitave të veta personale. Unë i bëj thirrje autoriteteve; të dislokohen urgjentisht në zonën e përmbytur, të shpallet gjendja e jashtëzakonshme, ti vihen në ndihmë qindra familjeve që janë të rrethuara nga uji, të mos ndalojnë për asnjë çast hidrovohet, të mos fiken pompat dhe të ndizen vetëm kur vjen kryetari i opozitës, të disolokohen mjetet për të hapur rrugët, të vihen në dispozicion të gjitha kapacitetet e OSHEE-së për vendet ku mungon energjia elektrike dhe të fillojë shpërndarja e ndihmës ushqimore dhe mjeteve të tjera aty ku përmbytja ka dëmtuar në mënyrë të pariparueshme shtëpitë dhe e ka bërë të pamundur që të kalojnë natën në shtëpitë e tyre. Shqiptarët e përmbytur, ai në luks. Kjo është e papranueshme, kjo është kriminale.


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 12 Nentor 2016