Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua sot me përfaqësues të Unionit të Ekspertëve Mjedisor Shqiptar (UEMSH). Vendimi i mazhorancës për importin e plehrave ka qenë në qendër të këtij takimi. Në këtë takim zoti Basha solli në vëmendje dhe vendimin e koncesionarit për tu tërhequr nga ndërtimi i impiantit të djegieve në Fier. Zoti Basha tha se vendimi për tu tërhequr në një kohë kur është pezulluar ligji i mbetjeve tregon se interesi i koncesionarit dhe Edi Ramës nuk ishte përpunimi i mbetjeve vendase, por i atyre që kishte planifikuar qeveria të sjellë nga Europa. Zoti Basha theksoi se PD, siç e ka bërë të ditur, do të respektoi vullnetin e qytetarëve për importin e mbetjeve dhe çdo çështje që ka sensibilitet publik ,sot në opozitë e nesër në qeveri.
Pas takimit zoti Basha dha një prononcim për mediat:
Basha: Takimi me ambientalistët ishte në frymën e bashkëpunimit. Qëndrimi i Partisë Demokratike, është i qartë : pranimi i dekretit të Presidentit, ndalimi i importit të plehrave deri sa populli të shprehet me referendum dhe për këtë kemi qëndruar dhe do të qëndrojmë fuqimisht në krah të qytetarëve, të interesit qytetar, të shoqërisë civile, e cila është e angazhuar fuqimisht dhe dua t’i përshëndes.
Pyetje: Z.Basha, janë amendamentet e Partisë Demokratike një thirrje kundër hapjes së negociatave nga Bashkimi Europian?
Basha: Jo.
Pyetje: Z.Basha përse duhen ato amendamente? Çfarë ju rëndonte ju një caktim date, një shprehje vullneti nga Partia Demokratike për hapjen e negociatave?
Basha: Kush tha që na rëndonte?
Pyetje: Një vizë e hequr atje do të thotë që ju rëndon.
Basha: Ju ftoj që ta shikoni me sytë e objektivitetit qytetar dhe jo me sytë e Taulant Ballës. Ne s’kemi kërkuar asgjë më shumë dhe asgjë më pak sesa ç ‘kërkon Bashkimi Europian: plotësimin e pesë kritereve; zgjedhje të lira dhe të ndershme, dekriminalizimin dhe luftë kundër drogës. Këto janë qëndrime të njohura të Bashkimit Europian, këto janë qëndrime të njohura të opozitës, përfaqësojnë interesin publik të qytetarëve . Gjithçka tjetër është manovër për t’i hedhur hi syve qytetarëve dhe për të hequr vëmendjen nga dështimi i Edi Ramës ne drejtim të pesë prioriteteve, dhe në veçanti sa i përket dekriminalizimit, luftës kundër drogës dhe zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Njoftim për media i Partisë Demokratike, 8 nëntor 2016