Njëriu që mbart vetëm ligësira, sherre dhe intriga bën gjithçka që, në një kohë kur një pjesë e mirë e qytetarëve të vendit jetojnë në dhimbje të mëdha, në terror të vërtet nga përmbytjet që pësuan, nga shembjet masive të tokës, nga ndihma zero ndaj institucioneve të këtij vendi, kërkon tani që me sherre dhe intriga të mbulojë qëndrimet e tij fund e krye të papërgjegjshme.

Së pari, mendja ime, zemra ime, shpirti im, është tek ata mijëra  e mijëra familje në të katër anët e Shqipërisë, nga Gjirokastra në Tropojë, të cilët u përmbytën, përjetuan vërshime të egra të lumenjve, përronjve dhe inekzistencën totale të ekzekutivit shqiptar. Dhe jo vetëm inekzistencën, por talljen, përçmimin, cinizmin e pashëmbullt në një kohë kur ata lëngonin me fëmijët e tyre nën ujë, me gjënë e gjallë të tyre të mbytur, me ujin e futur deri në katet e para e më lart. Kreu i ekzekutivit në vend se të ishte me ta dhe mbas tyre, ja mbathi, çau ferrën për në Neu York, për ekspozitën e zhgarravinave të tij. Kam vite e vite që flas për zhgarravina por ja faktoi prof Etem Ruka, shpresoj t’u vijnë mendt edhe ju, se çfarë çon ky (Rama) nëpër ekspozita.

Të shkosh në Neu York e të lësh të mbytur, të lësh nën një kërcënim fatal, banorët e deltës së Vjosës, të lësh të përmbytur me mijëra hektarë tokë, të lësh fhatra të tëra dhe lagje në Tiranë, duhet të jesh shpirtkazëm si ky këtu, i cili nuk ka keqardhje njerëzore. Harrojeni ju. Janë një kategori njerëzish që për shkak të proceseve psikike, të sëmundjes psikike që kanë nuk ndiejnë kurrë keqardhje .

A ju kujtohet mëngjesi datës 4 nëntor, kur një super kriminel shtriu në çimento dhe ju mori jetën katër të rinjve? Dhe zotëria e tij dilte dhe i jepte tapetin e kuq nënës së tij vetëm se ishte e sojit të vet, dhe s’gjeti një fjalë për ti shprehur ngushëllimin katër viktimave. Një fjalë për të thënë për ta nuk gjeti, një fjalë për të dënuar krimin e shëmtuar, por u shiste shqiptarëve heroizmin e Luizës.

A nuk ishte ky njëri që bëri mbledhjen e këshillit të emergjencës, foli broçkulla por s’tha një fjalë për tre viktimat, sikur të ishin viça e jo qënie njerëzore që humbën jetën, që lanë jetimë, që shkretuan shpirtëra e zemra familjarësh. Nuk mundej kreu i ekzekutivit tu çonte qoftë dhe një fjalë ngushëllimi. Per të përkundrazi, shkuarja në Neu Jork ishte veprimi më i lavdërueshëm. Madje dhe pjesëmarrja në demostratat anti-Trump, ishte dhe ky një heroizëm i veçantë.

Përgënjeshtronte mediat nga Nju Jorku që thoshin se demostratat i kishte organizuar Sorosi, pyeste demostruesit që thoshin “nuk na ka organizuar askush” a thua se ky ishte problemi i shqiptarëve të përmbytur.

Mendoj se seanca duhet të merret me këto probleme. Është mëkat të merresh me gjëra të tjera në seancë. Po ky s’të lejon.

Kthehet nga Nju Jorku, vrapon në asnjë nga zonat e përmbytura, por shkon në Mirditë e gjen Ndrecën ku i thotë “rrofsh e qofsh o Enver se na ke sjellë pllaka sa për 25 vite! Por Ndreca i tij i thotë: Jo për 25 vite, po për 40 vite!!!” kur as sa 1./3 e rrugës Rrëshen- Perlat nuk ka investuar në Mirditë. Si një Nastradin shkon mbulon mashtrimet e vjetra me mashtrime të reja.

Shkon në Shijak përsëri: 9 projekte! E çfarë ishin ato?! Nuk shkon të takojë të përmbyturit në Rrushkull, Katund të Ri….- Ku jeni ju deputetët e zonës? Se ju nuk shkelni dot te zgjedhësit, keni fituar një urrejtje patologjike. E dini se ka akoma zona nën ujë në Durrës? Foli për bujqësi, zbuloi pas 4 vitesh se uji shkon tek parcela ndërkohë që deri sot nuk ka prurë ujë në asnjë parcelë, asnjë kanal të ri apo sistem vaditjeje.

Përkundrazi, projektin që kishim me BB prej 60 milionë eurosh, që e lamë gati, e ka shtyrë për shkak të prokurimeve, deri sa e ka rrjepur dhe e ka mjelë, për tre vjet. Paçka se kishte premtuar se do të investonte 140 milionë USD vetëm në vaditje, nuk ka investuar deri sot as 10 milionë USD! Shkon dhe i parashtron fshatarëve premtime të reja. A nuk je ti që u the fshatarëve se do u pesëfishoje grantet për bujqësinë dhe i bllokove ato totalisht? A e dini se në Myzeqe po e shesin kilen e domateve 200-300 lekë të vjetra? A e dini sa është çmimi i kostos? Shitet domatja në tetor sot aq sa shitej  në kulmin e saj në gusht, sepse i hapët doganat, sepse vrisni prodhimin vendas, sepse si jepni asnjë mbrotje, sepse me dogana mbushni xhepat më kollaj.

Ju vidhni në dogana dhe shkatërroni prodhimet vendase.

A e dini çpo bëhet me rrugët? Ku jeni ju o deputetët e Fierit. A e dini çka pësuar By passi i Fierit? By Passi i Fierit ka patur të gjitha përcaktimet për të përfunduar brenda këtij viti dhe financimi ishte qindarkë për qindarkë, BEI dhe BERZH.  Përkundrazi, vidh e vidh nuk ka të sosur. Derisa Vali Bizhga flet gjithë ditën në telefon në emër të këtij, që bëni këtë e bëni atë dhe tani nga mafia ai është shtyrë për të përfunduar në vitin 2019. A ju bën juve përshtypje kjo?

Dilni këtu dhe thoni se na i dha falas Japonia makinat. Sigurisht që është grant japonez, ja u them unë qytetarëve, por ai granti nuk është për makina firmato. Ai granti japonez mund të merrej zetorë, apo kambajna.

Gjatë vizitës sime, garantova 120 milion dollarë për ujërat e zeza të Tiranës. Ku janë? Impianti përpunimit të ujërave të zeza të Tiranës duhet të kishte përfunduar në vitin 2015. A e dini çfarë bëtë ju? E fitoi kompania franceze ja anulluat se nuk ju dha ryshfet dhe bëtë gjithçka, vutë të tjerë dhe vidh e vidh nuk ka të sosur. Ku është impianti i përpunimit të ujërave të Tiranës?

Për fshatin ju jeni cinikë, dhe e keni shkatërruar atë në mënyrën më të pabesueshme. Fshati nuk është se kishte ndonjë infrastrukturë, dhe, në disa aspekte, për ata që e njohin, në vitin 2005 ai ishte gati 3 shekuj më parë. Sado që investuam 3.4 miliardë dollarë ata e meritonin dhe ju duhet të vazhdonit të investonit. Unë drejtova tetë vite vendin duke marrë një buxhet vjetor maksimumi 412 mln lekë, kurse zotëria vitin e katërt të qeverisjes së tij cakton një buxhet vjetor sa për 18 këshilli ministrave para tij, cakton një buxhet vjetor 18 fishi i presidencës së republikës, cakton një buxhet vjetor 5 herë më të madh se sa rrethet nga Kruja deri në Tropojë, cakton një buxhet vjetor 37 mln dollarë në një kohë kur, i jep presidencë së republikës 2 mln dollarë. Sigurisht që këshilli ministrave ka shpenzime më shumë. Edhe në kohën time kishte, por presidenti merrte 200 mln, kryetari i këshillit të ministrave merrte 418 mln.

A e kuptoni se kjo mënyrë është një krim i shëmtuar me të cilën po qeverisni.

A lyhet dy herë Liceu Artistik se zotërisë nuk i pëlqen ngjyra pana, por e donte mavi. Por këto janë para të qytetarëve jo para tuajat personale. Do ju them një gjë. Ky sistem ka mrekullitë më të mëdhaja por ky sistem ka edhe probleme të mëdha. Dhe problemi më madhor është shpërndarja e të ardhurave. Nëse nuk kujdesemi, nëse nuk mendojmë për ata që s’kanë, polarizimi rritet, mjerimi rritet, skamja rritet, eksoda rritet. Po kujt t’ja thuash? T’ja thuash njëriut që kërkon me çdo kusht me retorikën e tij banale të zhveshur nga çdo koncept të zëvëndësojë një palë mashtrimesh me një palë tjetër mashtrimesh. Por shqiptarët se hanë më këtë. Eshtë fundi i tij, fundi i qeverisjes së tij.

Pse nuk vjen dekreti i plehrave këtu? A nuk është kjo një shkelje e Kushtetutës, e cila detyron përparësi absolute në trajtimin e dekreteve. E dini pse? Ja u them unë çfarë ndodh. Sepse këtu ka një miksturë të tmerrshme të mafies shqiptare me mafien italiane, të denoncuar zyrtarisht jo vetëm nga pala shqiptare por dhe nga pala italiane, nga autoritetet italiane. Sot do ju jap faktet.

Më 22 Qershor 2016 u themelua në Tiranë kompania “Eco Albania”

Kjo kompani është bashkëpronësi e Bashkisë së Tiranës (51%) dhe kompanisë ‘ASGM Holding Albania’ (49%).

Aktualisht kjo kompani ka një kontratë ekskluzive me Bashkinë e Tiranës që synon ingranimin e saj në formë monopoli në trajtimin e mbetjeve të qytetit.

Aksionari AGSM-Holding-Albania në dukje është një kompani e bashkisë së Veronës, por zbardhja e interesave përbërës të kësaj kompanie zbulon se ajo është e ndarë në: 

AGSM Verona – 75% dhe AMIA – Verona 25%

Kompania AMIA-Verona përfaqësohet nga shtetasi Andrea Miglioranzi dhe është kompani private e cila ka një akses të veçantë në Bashkinë e Veronës.

Zoti Miglioranzi më herët ka qenë i përfshirë si përfaqësues i disa kompanive të tjera italiane të cilat janë hetuar nga prokuroria italiane si kompani nën kontrollin e organizatës kriminale ‘Ndragheta’.

Biznesmeni Miglioranzi është njeri tepër i afërt i kryebashkiakut të Veronës, Flavio Tosi.

Kryebashkiaku Tosi nga ana tjetër ka qenë subjekt I një skandali mediatik sepse pak kohë pasi ai kishte mohuar çdo lidhje me organizatën ‘Ndragheta’, në media u publikua një foto e tij, ku pozonte në një përqafim vëllazëror me shtetasin Antonio Giardini, i cili konsiderohet si lojëtar i rëndësishëm i organizatës mafioze.

Aktualisht Bashkia e Veronës dhe kompanittë AGSM-Verona dhe AMIA-Verona dyshohen si kompani nën tutelën e organizatës ‘Ndrangheta’.

Ka pasur disa sinjale në media dhe në dosje hetimore që lidhin personazhet, ndonëse një hetim më i thelluar do të nevojitej për të verifikuar dhe dokumentuar më qartë përfshirjen e interesave të organizatës mafioze në këtë histori.

Nga ana tjetër, nëpërmjet pamjeve filmike dhe dokumenteve zyrtare, rezulton se ingranimi i ‘klanit Veronez’ në projektin e riciklimit ka nisur në vitin 2014, kur deputeti rilindës Artan gaçi shkoi në Verona dhe kërkoi zyrtarisht mbështetjen në kompaninë AMIA-Verona, për të hyrë në Shqipëri.

Vizita e Gaçit u pasua nga dy vizita të Edi Ramës i cili u takua në Itali me kryebashkiakun e Veronës Tosi. Ky i fundit erdhi më pas në Durrës ku u fol për një projekt kulturor, por interest e vërteta të takimeve lidheshin me biznesin e riciklimit.

Pas takimeve me Ramën, kryebashkiaku i Veronës Flavio Tosi, nisi kontaktet me Erion Veliajn dhe dy bashkitë nënshkruan dhe marrëveshjen mes tyre dhe krijuan kompaninë e përbashkët ‘Eco Tirana’.

Indiciet, dokumentet publike, fotot e publikuara, hetimet e disa personazheve të lidhur nga prokuroria italiane, çojnë në gjurmët e implikimeve të organizatës ‘Ndragheta’, duke ngritur dyshime të arsyeshme se Edi Rama ka vendosur të bëjë biznes me këtë organizatë dhe t’ua japë atyre monopolin e riciklimit.

Të njëjtat kompani italiane kanë dështuar që të aplikojnë të njëjtën skemë në Rumani, Bosnje apo Kroaci.

Ja çfarë thonë mediat italiane: http://www.ilfattoquotidiano.it/2016/07/29/flavio-tosi-la-foto-con-lindagato-opposizione-diceva-di-non-conoscerlo-la-replica-non-me-ne-frega-un-cavolo/2942147/

A e dini çka bërë ky në Itali? Ka marrë plehrat dhe i ka përdorur për mbushje autostrade, i ka futur nën asfalt. Ja ku e keni (tregon foto) dhe për këtë e ka kryqëzuar drejtësia italiane. Se cila është lidhja e tij me By Passin herës tjetër do e keni. Ky do vijë tani të pastrojë plehrat tona.

(të qeshura në sallë) T’ju sqaroj diçka. Italishtja ime është larg së qënuri ajo që duhet të jetë. Por është në atë gjëndje sa kurrë në jetën time kurrë nuk kam bërë një orë mësimi italisht. E tëra vjen nga mediat dhe nga latinishtja ku unë kam qënë një student ekselent.

Pra, të nderuar zotërinj!

A doli këtu se kush qëndron prapa plehrave? Prapa plehrave qëndron Rama me Ndraghetën të cilën e sjell në Shqipëri. Tani plehrat italiane nuk do varrosen më në autostradat e italisë siç ka bërë kompania, por do vijnë të groposen në rrugët e Shqipërisë. Tani rrugët e vendit do shndërrohen në landfille. Kjo është arsyeja pse ju përdorni tenderat, ryshfetin për të kaluar këtu dekretin famkeq në të cilën ju faktoni veten si qeveri e plehut.

Do ta mbyll fjalën time me një moment tjetër. Nik donjon ti kthej përgjigje një njeriu i cili del këtu dhe përdor gjuhën e një njeriu që është i akuzuar zyrtarisht për përdhunim, me dikumenta, është i akuzuar se ka kaluar kryesorë të klanit të heroinës në doganë me pasaportë diplomatike dhe targën e tij, është i akuzuar si lidhje e ngushtë e trajnierit të skuadrës së tij i cili është i dënuar me 10 vjet burg në Greqi, dhe arrestohet në makinën e tij në Qaf Bot, është i akuzuar për trafik prostitucioni nga një këshilltar i Fatos Nanos, i cili ka bërë të ditur se Taulant Balla është arrestuar nga policia e vendit fqinj se trafikonte prostituta rumune dhe jo vetëm rumune. Ai është një njëri i cili ka humbur disa gjyqe si shpifës ordiner, fatkeq sepse atë çka nuk flet dot Rama e xjerr atë. Por unë nuk i kthej përgjigje atij. Të gjitha janë të këtij zotërisë këtu (Ramës) i cili bën gjithçka për të rritur në  qiell konfliktualitetin sepse mendon se me konfliktualitet do mund të mbulojë bëmat dhe gjëmat e tij,  harron se konfliktualitetti është një zift i vërtet në imazhin e kësaj qeverisje, në imazhin skaduar të tij.

Meqë dole e fole këtu për Trump, tani po të lexoj se çfarë ka thënë në prill kryetari i PD, Lulzim Basha: “Trump shkakton debate midis liderve politik shqiptar” -ja ku është artikulli i botuar në shtypin ndërkombëtar më 8-04-2016.

Pasi autori artikullit tregon se Edi Rama e quan Trumpin si turp i qytetërimit, e se “Zoti mos e dhëntë që të zgjidhet president sepse do jetë një dëm për Amerikën dhe një kërcëni i madh për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane”, jep pastaj përgjigjen e Bashës:

“Lideri global (Rama) më në fund ka vendosur tu mësojë amerikanëve se si të zgjedhin presidentin e tyre. Kjo është diçka që ai do ta bëj sa më shpejt. Pas shkëlqimit të tij në Shqipëri duke sjellë krizë të thellë, varfëri të madhe dhe duke instaluar oligarkinë kriminalo korruptive, duke konkuruar me Trump për pasuritë personale, pasi thyen ligjet dhe Kushtetutën çdo ditë, Rama tani ka gjetur recetën për zgjedhjet presidenciale amerikane. Arroganca dhe delirumi i Ramës nuk kanë kufi por lideri botëror po tregon se për atë vet këto çregullime nuk kanë kufinj. Mirëpo amerikanët shpesh herë gjejnë Boratin e tyre ndaj dhe kësaj here nuk do kenë nevojë të shohin Boratin por Ramën”. Këto ishin dy qëndrimet politike.

Për ta mbyllur. Nuk kam shqipëruar asnjë fjalë dhe nuk kam shqipëruar kurrë kur të tjerët kanë qënë në fushatë elektorale, qoftë dhe miq të mijë në një vend tjetër, nuk i kam lejuar vetes kurrë të ndërhyjë. Edhe në këtë rast më ka ardhur mirë që kryetari PD i dha përgjigje por personalisht e kam gjykuar të paarsyeshme për veten time që të bëj ndërhyrjen minimale as në Itali, as në Francë, dhe as gjëkundi. Nuk na takon ne, ky është qëndrimi. Tani shkoi atje dhe vazhdonte i binte qemales nga Neu Yorku sepse deklaratat e tij janë bërë fund e krye mbi bazën e korrupsionit politik.

E kam një thirrje, pa lidhje me këtë, u bëj thirrje tifozave kuq e zi, të rimendojnë vendimin e tyre pavarësisht nga qëndrimet mafioze që janë mbajtur ndaj tyre, por ata janë koerografia, ansambli më i bukur i lojërave tona dhe ata nuk duhet kurrësesi, që për një qëndrim absurd të i rrugeçërve me uniformë ti heqin mbështetjen skuadrës kombëtare por i ftoj të vazhdojnë betejën, nga beteja ndaj mafies nuk tërhiqet por vazhdohet deri në fund me fitoren kundra saj.

REPLIKA PAS FJALES SE RAMES:

Gjykoj se përpjekja e atij që ja mbathi (Ramës), dhe jeni të sigurt që do ja mbathi, dhe të jeni të sigurtë po s’ja mbathi ky në qershor, por tani unë duhet të bëj disa sqarime. Meqë ai nuk tha qoftë dhe një fjalë të vetme për dhjetëra fakte, dokumenta që u paraqitën për fermerët, për të përmbyturit, për plehrat, atëherë unë do i përgjigjem.

Së pari çfarë konstatos unë. Konstatoj se neo-bllokmenët, Edi Rama me shokë, në disa aspekte janë më mizorë, më barbarë se etërit e tyre. Këta kanë në psikologjinë e vet adhurimin për krimin e dobishëm, e cila ka qënë palcore në familjet e Bllokut, cilado që të ishte natyra e tij, buronte nga fakti që ai i shërben pushtetit. Sot zotëria foli për bunkerin. Spo bën asgjë tjetër veçse po përpiqet të përjetësojë barbatitë e etërve të tij. Nëse Rama do të tregojë se ka një ndërgjegje për atë që ka bërë konkretisht i ati i tij, Kristaq Rama, i cili ka firmosur në mënyrën më të përsëritur ekzekutimet e njerëzve absolutisht të pafajshëm dhe vetëm për motive politike, njëri prej të cilëve është Avzi Nela etj, mendoj se do të kishte lehtësuar partinë e tij, shpirtin e tij nga trashëgimia e skulptorit xhelat. Dhe nuk ka më xhelat se ata intelektualë që u morën me vepra të tilla gjatë diktaturës. Indoktrinimi i një njëriu të shkolluar në nivelet më të larta, konformizmi dhe angazhimi i tij në vepra kriminale është shkalla më ekstreme e egërsisë dhe barbarisë së sistemit. Nuk po shkoj fare te daja i tij, një persekutor i inteligjencës teknike shqiptare. Por a ka pendesë Edi Rama? Jo, Rama e quan se ishte vepër madhore e tyre. A nuk është ky që dy javë më parë shpalli 70 viktima të genocidit komunist të kohës së Luftës, genocid i mirëfilltë në çdo lloj konvente, i njohur si veprim i pamerituar dhe nga autorët e tij, dhe  justifikonte një vepër të makabër.

Unë e kam thënë këtu se asnjëherë, në formimin tim nuk kam pranuar të quaj fajtor djalin për babën. Jo, janë të ndryshëm. Por kur djali mban mbi supe dhe bëhet avokat i krimeve të babait, është dhjetë herë më i zi se ai. Dhe ky është Edi Rama. Për disa prej tyre, për shkak të luftës së tyre të brendshme kanë pësuar vite të tëra burg dhe unë kam shumë respekt për burgun që kanë pësuar, por një gjë sua pranoj kurrë; faktin që nuk dënojnë një veprim konkret të baballarëve të tyre. Kjo më bën mua të hezitoj. Njëri prej tyre, që kam respektuar për vuajtjet e tij ka qënë Bashkim Shehu. Por nuk mund ta pranoj kurrë që Bashkim Shehu të mos thotë një fjalë për xhelatin Mehmet Shehu, për krimet konkrete. A nuk ishte një rast vrasja e këtyre 70 shqiptarëve  të pafajshëm që të dilte të dënonte të atin dhe veprën makabër? Do të na japi tani ne leksion se si të nderojmë e si të dënojmë të shkuarën.

Shikoni çakallin që kemi patur në grup, që e shkuara e tij e shndërroi në çimkë.Për shqiptarët që janë të interesuarpër të vërtetën, e vërteta është qëndrimi i PD ndaj të shkuarës ka qënë më i fortë se i çdo force tjetër politike në Europën Lindore, dhe kjo me fakte. Nuk impresionohem unë nga njerëz dritë-shkurtër dhe memorie-shkurtër. Historia është kjo; në rang botëror komunizmi nuk u dënua. Kjo është e vërteta. Dhe një nga arsyet që nuk u dënua komunizmi në rang botëror, mortaja e kuqe, është se nuk e la socialdemokracia europiane, se George Soros bëri gjithçka për mbijetesën e mbeturinave të komunizmit, dha miliarda për të mbështetur mbetjet e diktaturave. Se degëzimet dhe tentakulat e tyre u shtrinë me shpejtësi në institucione. Shqipëria mund të bënte më shumë por Shqipëria ka nderin të jetë vendi i parë në Europën ish komuniste që bëri ligjin e genocidit komunist dhe krimeve kundër njerëzimit. Asnjë vend tjetër, e ka bërë Polonia në vitet 2000 atë që bëmë ne në vitin 92. Dhe mbi bazën e atij ligji nuk janë dënuar 1, 2 apo 3, por janë dënuar 73 pjesëmarrës të genocidit komunist. Shqipëria bëri ligjin, me ato mundësi që pati, vuri para ligjit 73 anëtarë të nomenklaturës së kuqe, nxorri nga sistemi drejtësisë dhe siteme të tjera. Shqipëria është i vetmi vend që shkriu me një vendim të vetëm, me një dekret policinë sekrete hoxhiste, 4200 vetë. Morën pension, sigurisht sepse ne po shkonim drejt Europës jo drejt diktaturës. Gjykata e Strasburgut kishte përcaktuar vendime për pensionet dhe ne do i nënshtroheshim asaj, sepse do anëtarësoheshim. Pra me ligjin tonë çfarë bëmë ne? Ne i përjashtuam nga detyrat zyrtare ata që përjashtoi Cekia.

Tani vijmë pak te të përndjekurit. Sigurisht që sado që të bëjmë ne ndaj tyre borxhit kurrë nuk u del. Në asnjë mënyrë nuk rikthen jetët e tyre të humbura, shekujt e mijëvjeçarët në burgje, rinitë e tyre të kalbura në qeli, por ne përsëri nuk është se nuk treguam ndjeshmëri. Së pari, sapo erdhëm në pushtet, nëse tetë vite nuk rikthyen një qindarkë të vetme socialistët, shpërblyen Nexhmije Hoxhën e Ramiz Alinë, Aranit Celën he kriminelë të tjerë dhe asnjë të përndjekur, ne menjëherë vendosëm si tarifë, në marrëveshje me ta, më të lartën që ekzistonte në Europën ish komuniste, 18.6$ dollarë ditë burgu. Vendosëm pensione shtetërore për të gjithë personat me moshë 25-60 vjeç që kanë qënë në ngarkim të personave të pushkatuar ose që kanë vdnekur në burgje dhe kanë paguar detyrimet nga data e pushkatimit apo vdekjes në burg të kryefamiljarit në vazhdim. Janë lidhur pensione invaliditeti të gjithë personave të burgosur me qëllime politike në spitalet psikiatrike dhe të gjithë ata kanë qënë dhe janë plotësisht të merituara. Në zbatim të ligjit për pensionet, janë lidhur 21.400 pensione individuale, familjare, invaliditeti për martirët e gjallë të demokracisë. Janë dhënë si dëmshpërblim nga 2007, 103 mln$. Janë dhënë si dëmshpërblim 2200 apartamente banimi, e tëra kjo statistikë e institutit të tyre. Janë dhënë si diskriminim pozitiv 22.000 të drejta studimi dhe bursa. Janë dhënë miliarda lekë privatizim, me të cilat kanë marrë mbi 2751 linja prodhimi, fabrika dhe objekte industriale, të cilat kanë blerë me ato lekë, me vlerë të plotë leku. Sigurisht, rruga që zgjodhëm nuk ishte konvencionale, rruga që zgjodhëm ishte e dëmshpërblimit të plotë. Vendet ish komuniste kanë zgjedhur rrugën e konvencionit, janë mjaftuar me pensionet. Kurse ne zgjodhëm atë rrugë me të cilën ramë 100% dakort me të përndjekurit politik. Ky është qëndrimi. A u krye detyra? Jo. Por në mënyrën më të fuqishme të mundshme që kishim e afrontuam problemin. Eshte ky që i dogji të gjallë të përndjekurit politikë, është ky që shfrytëzoi sëmundjen e tyre psikike të krijuar nga burgjet e nga jeta, i futi ti hedhin benzinë vetes. Ku janë tani ata që i dogji ky? Tani thotë mirë e pësuan ata, e meritonin plotësisht.

Përsa i përket ligjit, ne jemi autorë të një ligji tjetër. Ligji ynë ishte hapja e dosjeve për të gjithë zyrtarët dhe përjashtim nga detyra për ata që kishin. Ky ishte ligji ynë. Nuk pranuan asnjë përjashtim nga detyra. Megjithatë opozita, për hir të asaj që të mos bojkotojmë, vendosi të marrë pjesë. Tani do ta marrë krejt për vete. Merre po s’të quhet, e kompromenton dhe këtë hap që po bëhet.

Për ta mbyllur, ne na vjen keq që nuk u hapën negociatat. Ne besojmë se negociatat mund të hapeshin dhe të përfshiheshin të gjitha çështjet në paketën e negociatave pasi të hapeshin, por kjo nuk ndodhi se nuk kishin besim te Edi Rama. Ato do ti hapë PD, qeveria e saj e ardshme, dhe ajo, siç ka realizuar çdo proçes integrimi nga vitet 92 deri sot do të kompletojë dhe integrimine  Shqipërisë në Europë.


Fjala ne Kuvend e ish kryeministrit, Sali Berisha, 17 Nentor 2017