Prononcim i Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha për situatën e përmbytjeve

Partia Demokratike dhe unë personalisht po ndjekim me vëmendje dhe shqetësim të madh situatën e krijuar në vend si rezultat i përmbytjeve masive anembanë vendit. Prej orëve të para të mëngjesit kam kontaktuar  me përfaqësuesit e Partisë Demokratike në zonat më të goditura, si dhe me të zgjedhurit tanë lokalë por edhe me deputetët e Partisë Demokratike. Gjendja vazhdon të jetë shumë e rëndë. Prioriteti numër një për ne është ruajtja e jetëve njerëzore. Për fat të keq është shënuar viktima e parë në Klos.

Dua t’i bëj thirrje kryeministrit të ndërpresë menjëherë shfaqjen televizive me Shtabin e Emergjencave “live” para kamerave, të marrë vendimet që nuk i ka marrë deri tani,e  ti bëjë ato transparente; vetë të niset së bashku me kryetarët dhe drejtuesit e institucioneve në krye të detyrës aty ku qytetarët përballen me izolimin nga uji, me rrezikimin e jetëve dhe të nisin menjëherë masat lehtësuese.

Padyshim që gjendja klimaterike ka qenë e rëndë, është paralajmëruar si e tillë nga qeveria, nga Ministria e Brendshme prej disa ditësh, por për fat të keq nuk është marrë asnjë masë për të parandaluar efektet e tmerrshme siç është izolimi i familjeve, kërcënimi i jetëve njerëzore.

Humbja e një jete njerëzore është një lajm shumë i trishtë. Çfarë kërkojmë është që qeveria dhe Edi Rama të lënë shfaqjet dhe të zbresë në terren.

Në këtë moment të gjitha autoritetet do të kenë mbështetjen e plotë të opozitës me gjithçka që mund të ofrojmë, me burime njerëzore dhe gjithcka tjetër qe kemi në dispozicion. Po kështu kërkojmë të merren masa urgjente për njoftimin e popullsisë. Kemi marrë lajme, jemi njoftuar nga mediat për hapjen e portave të hidrocentraleve. Nuk mund të ndodhë orë përpara se sa të jepet lajmërimi, për qytetarët.  Duhet të kishin qenë në gjendje të njoftonin popullsinë më përpara kur e dinin së do të kishte reshje, nëse do të merrnin masa për hapjen e dyerve të hidrocentraleve.

Pra, hapja e dyerve të hidrocentraleve e cila do të sjellë përmbytje edhe më të mëdha duhet të ishte  bërë  e ditur përpara popullsisë lokale. Por kjo nuk është koha që të merremi me këtë problem që qartësisht tregon që qeveria është tërësisht e papërgatitur për këtë situatë.

Është koha për ti bërë thirrje qeverisë  të dislokojë të gjitha mjetet ushtarake dhe civile në ndihmë dhe mbrojtje të jetës së qytetarëve, në ndihmë dhe mbrojtje të sigurisë së qytetarëve

Opozita në të gjitha planet këtu në qendër nga ku po e ndjekim situatën, me të zgjedhurit tanë lokalë, me këshilltarët tanë lokalë aty ku nuk kemi të zgjedhurit tanë, me deputetët tanë është dhe do të jetë në krah të përpjekjes për të ndihmuar të dilet nga kjo gjendje.

Gjej rastin tu bëj thirrje qytetarëve të mbrojnë mbi gjithçka jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre sepse ajo është e parikuperueshme, gjithçka tjetër edhe në mos nesër, pasnesër do të rikuperohet, e kam fjalën për vlerat pronësore. Jeta e tyre është prioriteti numër një, të mbrojnë jetën e tyre, të familjeve të tyre dhe të fëmijëve të tyre.

Dhe të përsëris thirrjen ndaj  deputetëve të Partisë Demokratike dhe të pushtetit  vendor aty ku kemi të zgjedhurit tanë, të vazhdojnë të jenë në krye të detyrës, siç kanë qenë që në orët e para të mëngjesit. Unë do të vazhdoj të mbaj kontakt dhe lidhje me ta.


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 8 nëntor 2016