Intelektualë dhe ambjentalistë së bashku me Departamentin e Mjedisit në PD kërkojnë ndaljen e projektit të TEC-it që do përdorë torfën e Maliqit
Departamenti i Mjedisit, Pyjeve dhe Turizmit në Partinë Demokratike organizoi një konsultim të hapur me publikun në qytetin e Korçës në lidhje me projekt-ligjin për të kthyer 288 hektarë tokë bujqësore në zonë minerale për përdorimin e torfave të Maliqit për prodhim energjie në TEC me kapacitet 500 MW.
Torfa është mbetje natyrale e kënetave e cila pas përpunimit për energji çliron lëndë helmuese, më e dëmshme se dioksidi i karbonit. Për këtë arsye dhjetëra intelektualë, pedagogë dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Korçë, Maliq dhe Devoll shprehën pakënaqësi në lidhje me këtë projekt-ligj i cili është kaluar pa asnjë transparencë për publikun. Eshtë mbajtur i fshehtë për këshillat bashkiake të Maliqit dhe të Devollit.
Pjesmarrësit kërkuan mbajtjen e debateve publike dhe konsultimeve të gjera me grupet e interesit. Intelektualë dhe agronomë të Korçës theksuan se mungesa e transparencës lë shumë pikëpyetje mbi dëmet ekologjike që shkakton tymi dhe mbi 50 milionë ton hi që mbeten pas prodhimit.
Panelistët firmosën peticionin ku i kërkojnë Parlamentit:
1-Të pezullojë miratimin e këtij projekt-ligji derisa të kryhen seanca të plota të konsultimeve me publikun,
2-Të detyrojë komisionet parlamentare të dëgjojnë zërin e ekspertëve, këshilltarëve bashkiakë dhe të banorëve, dhe
3-Të detyrojë qeverinë që të kryejë studime të thelluara për vlerësimin strategjik mjedisor, për vlerësimin e ndikimeve sociale, për përcaktimin e teknologjisë dhe shpërndarjes së tymrave në ajër, dhe rrugëzgjidhjes për gati 50 milione ton hi që do të krijohet nga një TEC i mundshëm.
Njoftim për media i Partisë Demokratike, 24 nëntor 2016