Dua të trajtoj një problem që ka të bëjë dhe me procedurën, por duke qenë se minutat do të më duhen për ta sqaruar çështjen, mendova të flas i pari te çështja e rendit të ditës.

Ajo që dua të them është fakti se Byroja Parlamentare ka marrë një vendim për të përjashtuar nga punimet e parlamentit Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, zotin Paloka, si dhe një nga deputetët më aktivë të Partisë Demokratike, zotin Noka, qoftë në komisionet parlamentare, qoftë në seancat plenare. Ne si opozitë fjalën kemi, ne si opozitë këtë  foltore kemi. Të përjashtosh Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, apo deputetët aktivë të opozitës, është një veprim arbitrar, një veprim i padrejtë, një veprim i cili synon t’i mbyllë gojën opozitës.  Unë  do të kërkoja që  Byroja ta rishikonte çështjen, në mënyrë që të mos ecim me këtë lloj arbitrariteti duke synuar mbylljen e gojës së opozitës, pengesën për të sjellë në parlament zërin e qytetarëve. Ju e dini që ne hallet e qytetarëve sjellim në këtë sallë parlamenti, pasqyrim i zërit të tyre jemi në këtë parlament. Të ecësh në këtë drejtim, pra të kërkosh t’i mbyllësh gojën opozitës është një veprim jo i duhur që nuk i përgjigjet një Shqipërie e cila prosperon të jetë pjesë e Bashkimit Europian.

Siç jua thashë dhe më sipër, ne këtë foltore kemi, këtë zë kemi, sepse nuk mund t’i zgjidhim ne direkt hallet e qytetarëve. Por të paktën  mund t’i sjellim në këtë parlament dhe t’i bëjmë prezent për të gjithë. Kuptoni se sa e rëndësishme është kur çdo ditë përballemi me hallin e njerëzve, ashtu sikurse dhe një pjesë e deputetëve të maxhorancës që kanë aq fleksibilitet, aq mundësi, aq ndjenja për t’i dëgjuar,  për të sjellë zërin e tyre në parlament. Ngarkohemi çdo ditë me halle qytetarësh, të cilët ankohen për shërbimin jo të mirë në spitalet e vendit, për mungesën e ilaçeve nëpër spitalet e vendit, për njerëz që sorollaten nga spitali në spital dhe humbin jetën. Ngarkohemi çdo ditë me hallet e qytetarëve që ankohen për ministra të cilët vjedhin dhe grabisin çdo ditë pasuritë kombëtare, konkretisht si ministri i Shëndetësisë, meqë e nisa me hallet e njerëzve në këtë fushë, i cili jep tenderë me nga 100 milionë euro për kontrolle, 100 milionë euro gjoja për sterilizime, 100 milionë euro gjoja për hemodializën dhe pasi vjen këtu do të  pushtojë edhe  foltoren e parlamentit duke mos e lënë opozitën të bëjë prezente problemet. Kur ndodhesh në një situatë të tillë sigurisht që njerëz me mish dhe gjak jemi, pasqyrimin e revoltës kemi, sepse revolta, siç e shihni, po ngrihet çdo ditë kudo nga të gjithë qytetarët e këtij vendi. Ne këtë foltore dhe këtë zë kemi dhe sigurisht që do t’i sjellim këtu, hallet e njerëzve. Hallet e njerëzve që përmbyten, njerëz që nuk marrin shërbimet nga shteti, por lihen në mëshirë të fatit,  njerëz që u ngordhin bagëtitë, burimet e vetme të jetesës dhe nuk u çohet një vaksinë. Ka njerëz që janë të papunë dhe janë të detyruar të dëgjojnë edhe mashtrimet tuaja për gjoja 300 mijë vende pune të reja.  Njerëz që nuk u rriten rrogat, pensionet, asistencat sociale. Pra, bëhet fjalë për vuajtje të përgjithshme që pasqyrimin e saj e gjen te zëri i opozitës. Ne këtë zë kemi për të sjellë këtu në këtë foltore të parlamentit. Të përpiqesh ta bllokosh, të përpiqesh të largosh nga punimet e seancës Kryetarin e Grupit Parlamentar të PD-së dhe deputetë të opozitës është absolutisht një veprim i padrejtë që tregon jo vetëm arrogancën, por tregon  pandjeshmëri, mbylljen e veshëve dhe të syve ndaj zërit të qytetarëve që duhet të vijnë në këtë foltore.

Për të gjitha këto arsye do t’ju kërkoj që ta rishikoni situatën. Pra, të rimblidhet Byroja e Parlamentit dhe ta rishikojë këtë vendim, në mënyrë që të sigurojë pjesëmarrjen e opozitës në parlament. Duhet të keni parasysh një gjë. Edhe një deputet sikur të ngelet nga opozita, përsëri të njëjtën gjë do të bëjë, përsëri zërin e qytetarëve do të sjellë, revoltën e tyre do të sjellë. Shikoni se nuk është e mirë kjo që po ndodh. Nuk kënaqemi, nuk gëzohemi, por shohim me hidhërim se si ministrat tuaj gjuhen me vezë, si ministrave tuaj u mbushet koka me salcë. Ky nuk është një veprim që e shohim me kënaqësi, apo  e përcjellim si të tillë, por ta dini që është pasqyrim i revoltës popullore.  Shikoni se çfarë ndodh në Mbrostar, për shembull, kur doni të çoni përsëri për të djegur plehrat atje. A e shikoni se çfarë ndodh me revoltën popullore ndaj plehrave? Dhe sot njerëzit kanë gdhirë nëpër rrugë duke protestuar.  Pavarësisht se atje ka punonjës policie të papërgjegjshëm për detyrën që bëjnë ku u thyejnë krahët të rinjve dhe të rejave, revolta vazhdon dhe do të ngrihet. Dhe ne zërin e tyre do të sjellim në parlament për kushtet e rendit dhe të sigurisë në këtë vend, për njerëzit që vriten si pulat dhe policia e ka mendjen te rripi i sigurimit të shoferëve nëpër makina. Do të ngremë shqetësimin për mafien, e cila  ngre aeroporte droge dhe e transporton atë me avionë,  kur ministri në seancë thotë se ka shkatërruar 98,2% të sipërfaqes së mbjellë dhe që gjoja ky 0,2%-shi kondicionoka mafien që të ndërtojë aeroporte dhe të transportojë me avionë drogën. Është e dhimbshme të shikosh se si nxënës, jo vetëm të gjimnazeve, por dhe të shkollave 9-vjeçare, nën efektet e djegies së drogës, shkojnë nëpër spitale. Keni pasur 2 shembuj të tillë. Janë problematika të cilat sigurisht që opozita do t’i sjellë në Kuvend, sigurisht që opozita do t’i bëjë prezent.

Është e dhimbshme të shikosh se si nëna me fëmijë në bark sorollatet dyerve të spitaleve derisa humb jetën. Është e dhimbshme e gjithë ecuria që keni pasur për shkak të arrogancës, që nga momenti kur keni ardhur në pushtet.  Ka  njerëz që janë detyruar të vetëvriten për shkak të pushimit nga puna, kanë qenë të detyruar të vetëvriten për shkak të 5 lekëve të papaguara nga energjia elektrike. Këtë sigurisht që opozita do ta sjellë në parlament. Ju nuk mund t’ia mbyllni gojën opozitës duke përjashtuar deputetët e saj nga punimet e parlamentit, sepse nuk mund t’i mbyllni gojën popullit në fund të fundit. Edhe një deputet, sikur i fundit të ngelet nga opozita, përsëri të gjitha këto do t’jua rendisë një nga një në këtë foltore për të ndikuar sadopak në ndërgjegjen tuaj të kalbur dhe të zëna nga paratë e zhvatjes së këtij populli.

Pavarësisht se arroganca ju bën të mos mendoni, por është e vërtetë që organizatat ndërkombëtare e kanë bërë prezent faktin që Kryeministri i këtij vendi ka akumuluar 200 milionë dollarë pasuri të grabitur të këtij populli, që ministrat tuaj harxhojnë para pa fund për luksin e tyre qoftë për zyrat e punës, qoftë për makinat e shtetit, qoftë për mënyrën  jetesës. Përballë këtij populli, që po varfërohet çdo ditë, kjo bën që zëri i opozitës të jetë gjithmonë e më i fortë në këtë foltore.

Prandaj për ta mbyllur do të doja t’ju kërkoja edhe një herë ta rishikoni vendimin për të përjashtuar deputetët e opozitës nga punimet e parlamentit, sepse nuk është kjo rruga që çon në një përfundim të vlefshëm qoftë edhe për zullumet tuaja.


Fjala në parlament i deputetit të Partisë Demokratike, Arben Ristani, 24 nëntor 2016