E nderuar zonja Leskaj!

Të nderuar kolegë deputetë!

Të nderuar qytetare e qytetarë!

 

Projektligji që paraqitet sot mbi Kodin Hekurudhor të Republikës së Shqipërisë, lidhet me një prej sektorëve më problematikë të transportit që  ka vendi aktualisht.

 

Transporti hekurudhor është një prej sektorëve kyç në ekonomitë e vendeve të zhvilluara, mjafton të kujtojmë që  pa këtë lloj transporti as që mund të mendohet zhvillimi industrive dhe qarkullimi i mallrave.

 

Në gjitha raportet e vlerësimit ekonomik të BE-së,  hekurudhat përbëjnë një nga treguesit kryesorë të zhvillimit. E në këtë pikë, një prej direktivave të organizmave evropiane është pikërisht, zhvillimi dhe përdorimi sa më efiçent i transportit hekurudhor.

 

Në këtë linjë përpiqet të na prezantohet edhe drafti i paraqitur sot për miratim në Kuvend. Sipas relatorëve, qëllimi i projektligjit “Kodi Hekurudhor i Republikës së Shqipërisë” është krijimi i një kuadri ligjor të favorshëm dhe të qëndrueshëm për nxitjen dhe zhvillimin e një transporti hekurudhor efikas, të sigurtë, të aksesueshëm nga të gjithë.

 

Ky projektligj thuhet se synon edhe arritjen e objektivave për një transport hekurudhor efektiv me vendet e rajonit e më gjerë. Po ashtu theksohet se përmes  këtij kodi synohet: rivitalizimi i sektorit të transportit hekurudhor dhe hapjen e tregut hekurudhor; krijimi i kushteve të kërkuara për ndarjen dhe ristrukturimin në drejtimin, administrimin e subjekteve në sektorin e transportit hekurudhor.

 

Në fakt, që tek ky prezantim çdokush do të pyeste veten sesi mundet që një kod hekurudhor të ndryshojë dhe ta bëjë efektiv transportin hekurudhor shqiptar. Bëhet fjalë për  një transport që ka degraduar aq shumë këto vite saqë mund të thuash se po shkon drejt likuidimit.

 

Si rezultat i konkurrencë së lirë, por shpeshherë të pandershme, me transportin rrugor , edhe për shkak të evazionit fiskal, hekurudhat kanë humbur një pjesë thelbësore të tregut të tyre tradicional.

 

Që këtu ky kod çalon. Është krejtësisht jashtë realitetit. Shihet se është  një prodhim burokratik që nuk e njeh apo më saktë nuk ka dashur ta shohë dhe analizojë gjendjen reale të hekurudhave shqiptare.

 

Ky kod nuk merr në vleresim gjendjen reale, kapacitetin përpunues dhe transportues si dhe sistemet teknologjike te pranishme ne kete sistem, amortizimi i të cilit është tejet i lartë, që sipas specialistëve të fushës  shkon deri në 80%.

 

Buxheti për investime ka qenë dhe  është tërësisht modest. Transporti i brendshëm i mallrave dhe ai i pasagjerëve gjatë këtij viti ka arritur shifra të papërfillshme dhe ky sektor mezi po mbahet nga ai ndërkombëtar. Sot edhe pse transporti hekurudhor punon me tarifa rreth 50% më të ulëta se ai rrugor, sërish nuk arrin   të jetë  i  konkurrueshëm.

 

Krijimi i disa strukturave te reja që kodi i ri propozon, struktura si Autoriteti i Sigurise Hekurudhore,  Autoritetit Rregullator Hekurudhor, Autoriteti Licensues Hekurudhor dhe Autoriteti Kombetar i Hetimit te Aksidenteve dhe Incidenteve  per nje sistem hekurudhor kaq të degraduar dhe me një shtrirje kaq te vogel me vetem 390 km vijë hekurudhore kryesore, është një kosto shtesë,  e panevojshme për këtë sektor.

 

Kodi Hekurudhor nuk përfshin elemente për konsiderimin e marrëveshjes së konçesionit për linjën Ballsh-Vlorë, që do të mbetet një prej pikave më të paqarta, nëse autoritetet e reja që do të ngrihen çfarë kompetencash do të kenë në mbikqyrjen e kësaj linje.

 

Kam vlerësimin më të madh për biznesin, por  mendoj se hekurudhat shqiptare kanë nevojë për investime dhe proteksionizëm nga shteti shqiptar. Kapitali i sektorit privat nuk mund të shihet si një alternativë e mundshme investimi në periudhën afatshkurtër.

 

Kocesioni që keni bërë me linjën hekurudhore Ballsh-Fier -Vlorë, i bërë pa transparencë, pa garë, pa asnjë njoftim, vetëm me një konkurent,  ku kemi të bëjmë me një biznes miliona eurosh në vit, nuk është modeli i zgjidhjes së kësaj situate të vështirë në të cilën ndodhet transporti hekurudhor.Nuk është zgjidhje,  por model i qartë korrupsioni dhe për pasojë, mungesë zhvillimi.

 

Skema koncesionare e këtij sektori  do të kërkonte: një shpërndarje të balancuar të rreziqeve ekonomike; kredi dhe garanci nga BE-ja; mungesë të rreziqeve politike; një kuadër ligjor dhe zbatim efikas; e sidomos do të kërkonte staf të trajnuar, gjë që tek ne absolutisht mungojnë. Prandaj edhe në vendet më të zhvilluara evropiane transporti hekurudhor dominohet nga sektori shtetëror.

 

Shihet qartë, se i tërë projektligji nuk është bërë aspak në frymën dhe dëshirën për të nxjerrë nga situata e vështirë hekurudhën shqiptare, por për të kryer një formalitet, që kodin hekurudhor ta kemi të ngjashëm dhe të përshtatshëm me  planin kombëtar të integrimit kombëtar dhe akteve ligjore të Bashkimit Europian,  si një detyrim, në të cilin Shqipëria ka marrë angazhim të nënshkruar që do të përafrojë kuadrin e saj ligjor në rangun e  legjislacionit europian.

 

Në realitetin tonë, e  vetmja gjë që garanton ky kod i ri është krijimi i tre strukturave të reja që për gjendjen  mjerane në të cilën ndodhen hekurudhat shqiptare janë krejt të panevojshme dhe barrë  e atij buxheti që nga viti në vit vjen duke u zvogëluar. Edhe me këto tre struktura që do të krijohen,  do të ndjekni të njëjtën praktikë të këtyre tre viteve, duke shtuar  disa vende pune  për militantët që vijnë vetëm të marrin rrogat,  apo të zhvatin ndonjë gjë nga tenderat e pakët që ka ky sektor.

 

Absolutisht, nuk jemi kundër miratimit të këtij kodi, por gjëja më e logjikshme do të ishte që përpara tij të na vinte një plan strategjie kombëtare për zhvillimin e transportit hekurudhor. Duhej që përpara se të krijonim një Agjenci të Autoritetit Licensues, të krijonim mundësi që makinistët e liçensuar të mos ecin me lokomotiva të 40-50 viteve më parë, modele çeke që nuk prodhohen dhe as përdoren më në asnjë vend.

 

Më thoni ku do të përdoret ky kod i ri, modern evropian? .. në infrastrukturën më të mjeruar, ku përfshihen linja hekurudhore të amortizuara, stacionet hekurudhore jo funksionalë,  me ndërlidhje dhe sistemim të  sinjalizimit e furnizimit që nuk i ndesh në asnjë vend tjetër?.. Ku do ta zbatoni këtë kod të ri modern dhe evropian?.. në linjat e rrjetit hekurudhor shqiptar që janë krejtësisht me traversa druri  të vjetra e pothuajse të kalbura, ku treni nuk mund të ecë me më shumë se 30-40 km/orë?

 

Gjëja më normale do të ishte që përpara se të kërkonim të përshtatnim Kodin hekurudhor shqiptar me atë të Bashkimit Evropian, do të ishte që të bënim përpjekje  të ndryshonim pak gjendjen reale të hekurudhës shqiptare, për ta çuar  drejt parametrave të BE-së.

 

Është qesharake dhe e dhimbshme njëkohësisht, që në parlamentin shqiptar vjen për t’u miratuar kodi i ri hekurudhor sipas direktivave evropiane, dhe gjatë këtij viti, pra për 2016, nga buxheti i shtetit këtij sektori iu akorduan rreth 70 milionë lekë më pak, nga 450 milionë lek që i ishin akorduar më 2015. Madje, të paktën sa shihet deri më tani, për 2017, ky fond do të jetë edhe më i reduktuar.

 

Bëhet fjalë për një sektor të zhytur në borxhe që llogariten gjithashtu në miliona. Dhe më i çuditshëm  është fakti se Hekurudha shqiptare duhet të  paguajë akcizë për karburantin (si në rastin e transportit rrugor) edhe pse ecet mbi shina, akcizë që kap një vlerë prej 30 milionë lekësh, para që mund të ishin fare mirë një fond investimesh në hekurudhë.

 

Kaq e vështirë paraqitet gjendja në këtë sektor saqë, për të shlyer një pjesë të detyrimeve nxjerr në ankand për skrap një sërë lokomotivash dhe vagonësh, por që nuk u shërben se për fat të keq edhe çmimi i skrapit ka rënë ndjeshëm.

 

Kjo duhej të ishte pika nga duhej të fillonim, dhe jo miratimi i një drafti që do të mbesë në letër dhe do ta quajmë një hap drejt integrimit. Sigurisht një hap i rrejshëm, si shumë të tjerë reklamuar këtë periudhë.

 

Prandaj, do të ishte më e mirë që një projektligj i tillë të mos na servirej si një zgjidhje për këtë sektor, por thjeshtë si burokracia e radhës të një qeverisjeje pa strategji dhe vizion, ashtu siç po drejton edhe në të gjithë sektorët e tjerë jetikë të vendit.

 

I vetmi vizion që keni, është ai i mbrapshti për t’i kthyer Shqipërisë edhe një herë Partinë e Punës. Ashtu si para një jave drejtorët e emergjencave dridheshin si Kadri Hazbiu, ashtu edhe drejtori i ministrit, thjesht se nuk kishte shkuar në mbledhje. “Epo partia jote të dënon thotë ministri i sheëndetësise.” E vetmja lidhje që ka me shendetësinë ky ministër, është shprehja që uronte për shkarkim nga detyra.

 

Gjithsesi, ndërsa jashtë protestohet, mendoj që sot ky parlament nuk duhet te flasë për bëmat e Shvejkut, por të flasë për plehrat që do futen dhe dështimin e kësaj qeverie. Do ishte fatkeqësi nqs ne nuk do flasim për plehrat, por të na tërheqin në luftën e tyre brenda llojit, nga regjistrimi i mbrëmshëm, i cili jo rastësisht është publikuar mbrëmë, për    të   hequr vëmendjen       nga plehrat.

 

Shqipëria sot ka nevojë për ne! Ne duhet të flasim për plehrat, jo si kanë keto dëshirë t’i themi, për mbetjet.

 

Mbetjet e komunizmit që të lënë shendenë po nuk ju binde.

 

Faleminderit!


Fjala në Parlament i deputetes së Partisë Demokratike,  Irma Kopliku, 17 nëntor 2016