Në mbledhjen e Komisionit sot kishim planifikuar dëgjesë me grupin Pubblicus dhe me Shoqatën e Gazetarëve profesionistë, të cilët zbuluan korrupsionin dhe abuzimin në landfillin e Sharrës, ku një adoleshent gjeti vdekjen dhe gjë për të cilën humbën vendin e punës, humbën kontatën, njësoj si zonja Alida Tota, drejtoreshë e lajmeve në A1 News. Kishim rënë dakort që të bënim dëgjesën për këtë çështje. Sot përsëri ndodhi i njëjti skenar i shëmtuar, kësaj rradhe me bojkot të deputetëve të Partisë Socialiste dhe duke terrorizuar stafin e duke mos lejuar çeljen e mikrofonit. Ne mendojmë se i bëjmë vendit shërbimin më të mirë, nëse e mbajmë këtë dëgjesë, ashtu siç mbajtëm dëgjesën me Alida Totën. Dhe vendimi i ligjshëm i këtij Komisioni është që kjo çështje të zbardhet dhe të hënën në orën 10.00 pika e parë e rendit të ditës do të jetë vetëm dëgjesa me grupin “Pubblicus” dhe me Shoqatën e Gazetarëve Profesionistë. Ditën e hënë ju ftojmë të gjithëve si media të jeni të pranishëm, pasi është për fjalën tuaj, është për të drejtën tuaj dhe është përtej lirisë së medias në këtë vend.


Deklaratë e kryetarit të Komisionit të Medias, Genc Pollo, 16 nëntor 2016