Lirimi nga burgu i Lulzim Berishës është një zhvillim i rëndë, një hapësirë më shumë që merr krimi në kurriz të ligjit dhe rendit.
Nuk ka asnjë dyshim, se pas kësaj qendron Edi Rama, i cili jo vetëm nuk zbaton ligjin për dekriminalizimin, jo vetëm nuk bën asnjë përpjekje për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, jo vetëm nuk lufton drogën dhe kartelet e saj, por krejt në të kundërt me këto kërkesa të shqiptarëve, të ndërkombëtarëve, i fron lirinë Lulzim Berishës, i njohur botërisht si kreu i bandës së Durrësit.
Një bandë tashmë e provuar për krimet e shumta, për vrasjet, për trafikun e lëndëve ndakotike, dhe për angazhimin serioz në krah të Partisë Socialiste dhe Edi Ramës në zgjedhjet e fundit, duke kërcënuar qytetarët e dhunuar votën.
Edi Rama ka bërtitur me të madhe kundër gjykatësve për gjëra shpesh edhe banale, ose për vendime që nuk i kanë pëlqyer, që kanë qënë kundër interesit të tij, por nuk thotë asnjë fjalë për lirimin e Lulzim Berishës, kreu i bandës famëkeqe të Durrësit.
Pse hesht Edi Rama?
Pse drejtësia qenka në rregull kur lirohet banditi i tij që i siguron vota në Durrës, duke dhunuar qytetarët?
Këto janë dy standardet e tij. Kjo është në fakt drejtësia që kërkon Edi Rama. Ta ketë nën kontroll, ta urdhërojë, të jetë nën shërbimin e tij, për interesat e tij, për banditët e tij.
Deklarata per mediat e Enkelejd Alibeajt, 9 Dhjetor 2016