Albana Vokshi për koncesionin dhe pasojat e dëmshme që do sjellë në shëndetësinë dhe financat e vendit
Jam sot për të rikonfirmuar qëndrimin e vendosur të Partisë Demokratike kundër konçesionit të laboratorëve, që prej fillimit të vitit 2015 dhe në mënyrë të vazhdueshme deri më sot. Unë dhe deputetet e tjerë të PD-së në Komisionin e Shëndetësisë, kemi bërë disa denoncime në lidhje me këtë konçesion korruptiv dhe abuziv.
Konçesioni i rrjetit të laboratorëve publikë vjen pas atij të check-up-it, të sterilizimit, të dializës dhe është një hap tjetër në planin e mirëmenduar dhe të qëllimshëm të Edi Ramës për të privatizuar shëndetësinë në favor të klientëve të tij.
Së shpejti, do të marrim vesh se kush nga klientët e kryeminitrit do ta gëzojë këtë pjesë të shëndetësisë. Ky konçesion e çon aferën në më shumë se 400 milionë euro për 4 konçesione, vetëm në shëndetësi. 400 milionë euro që duhet të shkonin për shëndetin e qytetarëve shqiptarë.
Konçesioni i rrjetit të laboratorëve nuk ka asnjë rast të ngjashëm në botë.
Askund nuk është aplikuar në këtë shtrirje. Vlen të theksohet që të gjitha eksperiencat ndërkombëtare nuk dëshmojnë sukses, por kryesisht dështime apo rikthime në sektorin shtetëror.
Konçesioni po bëhet në mungesë transparence. Detajet e tij po mbahen të fshehta. Nuk janë pyetur mjekët, nuk janë pyetur punonjësit.
As Komisionit të Shëndetësisë të Kuvendit nuk i është dhënë informacion i plotë mbi konçesionin, duke shkelur kushtetutën, legjislacionin në fuqi.
Por ajo që e bën edhe më skandaloz këtë koncesion është se aplikimi i këtij projekti në QSUT sjell efekte të shumëfishta negative: për karakterin unik të shërbimeve laboratorike, në dëmtimin e parikthyeshëm të funksionit pedagogjik, edukativ-formues dhe shkencor të këtyre shërbimeve, që janë qendra kombëtare unike, ekselence për formimin, specializimin dhe punën kërkimore të të rinjve në këto fusha. Dëmet do jenë të mëdha e të pariparueshme.
Konçesioni është korruptiv:
Beqaj pretendon që duhen 11 milionë euro investime, që qeveria nuk i bën dot, sepse nuk i ka këto fonde. Por gjithkush e di që në këtë sektor, rinovimi dhe modernizimi i laboratorëve mjekësore spitalore publike, nuk ka nevojë për investime fillestare, sepse testet laboratorike shoqërohen me teknologji në përdorim, mirëmbajtje si dhe informatizim laboratorik.
Konçesioni është tejet korruptiv:
Në një kërkim në faqen zyrtare të Agjensisë së Prokurimit Publik, në lidhje me shpenzimet për laboratorët në të gjithë vendin, na rezulton që në një vit, qeveria shpenzon më pak se 1 milionë euro në vit.
Pra, nga 1 milion euro në vit që kushton sot i gjithë sistemi i laboratorëve, pasi t’ia kalojë privatit, shteti do t’i paguajë atij 8 milionë euro. Janë 7 milionë euro më shumë nga taksat e qytetarëve që do shkojnë në xhepat e klientit të rradhës.
Konçesioni do të monopolizojë sistemin laboratorik mjekësor, do të prodhojë çmime të pakontrolluara e të larta, do të cënojë cilësinë dhe transparencën e shërbimit dhe do të krijojë problem të sigurisë për shëndetin e pacientëve. Në këtë sistem të korruptuar që ne kemi, privati do të gjejë përherë mundësi të dëmtojë cilësinë për të fituar më shumë.
Konçesioni pritet të rrisë ndjeshëm korrupsionin nëpërmjet inflacionit të testeve laboratorike duke rritur fiktivisht pagesat nga shteti, nëpërmjet taksapaguesve.
Konçesioni pritet të ketë pasoja të ndjeshme njerëzore dhe humane, pasi rrezikon të hedhë në rrugë rreth 850 mjekë dhe staf mjekësor.
Me shumë gjasa, ata do të zëvendësohen nga njerëz më pak të kualifikuar por që kanë në xhep teserën e partisë, që ndjekin mbledhjet e PS-së, apo japin zarfet nën dorë.
Konçesioni, s’është gjë tjetër veçse një proçedurë korruptive dhe abuzive, vetëm 6 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, që përbën një shkelje të rëndë.
Partia Demokratike i kërkon Edi Ramës të tërhiqet nga ky koncesion kurruptiv i cili do ketë pasoja të rënda humane, shkencore, didaktike, financiare.
Partia Demokratike nuk e njeh, dhe do ta kthejë mbrapsht këtë konçesion, këtë vjedhje të re në shëndetësi, ashtu si edhe të tjerat që kanë bërë Edi Rama dhe Ilir Beqaj.