Projektbuxheti i vitit 2017 konfirmon dështimin e “Rilindjes” në të gjitha fushat e qeverisjes dhe mosmbajtjen e asnjë prej premtimeve elektorale që e sollën atë në pushtet.

Rama premtoi ulje taksash për 95% të shqiptarëve, por për të katërtin vit radhazi, vazhdon të thellojë barrën fiskale me 10 milionë dollarë të tjera, duke e çuar barrën fiskale në kurriz të qytetarëve dhe bizneseve, në 4 vjet, në 430 milionë dollarë.

Rritja progresive e taksave solli varfërimin progresivisht të qytetarëve  dhe thelloi rënien e ekonomisë.

Taksat e larta i sjellin me pak para arkës se shtetit. Ato çojnë ne rritje te informalitetit, rrisin praktikat abuzive dhe korruptive te pushtetarëve dhe lenë më pak para ne duart e qytetareve për konsum dhe bizneseve për investime.

E kundërta ndodh kur taksat ulen. Prandaj PD është për ulje taksash, për taksë të sheshtë 9% dhe për TVSH 15%.

Rama premtoi rritje të pagave dhe pensioneve, por pagat u ngrinë në tre vitet e para të qeverisjes.

Dhe tani, po rrit pagat vetëm 3 muaj para zgjedhjeve parlamentare. Të gjithë e kuptojnë se kjo nuk është gjë tjetër veçse një mashtrim elektoral.

Serioziteti për mbajtjen e premtimeve të dhëna, tregohet që në fillim të marrjes së mandatit dhe jo javët e fundit të tij.

Rritja e pagave në mars 2017, do të bëhet në masën 10%, ndërkohe që inflacioni i mallrave të shportës rezulton dy here me i larte, 21% gjate këtij mandati, duke mundësuar kështu, kompensimin e vetëm të gjysmës së fuqisë blerëse te humbur si pasoje e rritjes se çmimeve.

Pra e thënë ndryshe, nuk do të ketë rritje të pagave reale. Ato do të vazhdojnë të jenë në rënie të ndjeshme dhe nuk do të mbulojnë as gjysmën e rritjes së çmimeve të shportës bazë.

Për pasojë, fuqia blerëse do të jetë 15% më e ulët dhe do të ketë 15% më pak konsum.

Rriten me 1,5 miliardë lekë shpenzimet operative të qeverisë.

Kjo qeveri nuk ka prioritet investimet publike, që sjellin rritje ekonomike, përkundrazi, prioritet ka të rrisë shpenzimet e veta për dieta, karburant, udhëtime e zyra luksoze.

Ky buxhet braktis investimet dhe shërbimet për qytetarët dhe majm tenderat për fasada dhe luksin e qeveritarëve.

Investimet e luksit për kulla dhe fasada,  me kosto shumë të lartë dhe për efekt elektoral, rezultojnë sot si metoda më e mirë e kamufluar, por dhe më korruptive për të gllabëruar paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Është i katërti buxhet, që nuk ka filluar asnjë rrugë e re. Vetëm 9.4% e investimeve janë për projekte të reja.

Nuk ka përfunduar asnjë projekt në rrugë në këto 4 vjet, të nisura që në kohën e qeverisë Berisha.

Rruga kombëtare Qafë Thanë-Lin-Pogradec, nuk po thotë më kush, të përfundojë, por të paktën të bëhet e kalueshme për automjetet në hyrje të qytetit të Pogradecit.

Punimet janë braktisur fare nga kontraktori dhe rruga është në gjendje të mjerueshme. Por askush nuk pyet që u shkatërruan të gjitha autoveturat dhe kamionët e shumtë që kalojnë në drejtim të Korçës dhe Greqisë.

Rruga Qukës-Qafë Plloçë. Vetëm 2.7 miliardë lekë janë planifikuar në buxhetin 2017. Ishte planifikuar të përfundonte në vitin 2018, por me këto ritme, nuk ka për të përfunduar kurrë.

Rruga Tiranë-Elbasan, e nisur ne vitin 2011. Që nga viti 2013, qytetarët vazhdojnë të lëvizin në të njëjtën rrugë, asnjë segment i ri nuk ka përfunduar.

“I jemi borxh Kolonjës” tha kryeministri . Po pse, tani u kujtuat për të larë borxhet ju zoti Rama? Po këto 26 vjet që ka fituar e majta, pse nuk jeni kujtuar për detyrimet që keni për këtë zonë që ju ka votuar?

Po këto tre vjet që keni qeverisur ju zoti Rama, çfarë keni bërë për atë zonë? Asgjë.

Keni rikonstruktuar sheshin kryesor të qytetit si fasadë dhe e keni lënë Ersekën, të pasur me burime ujore, vetëm me dy orë ujë të pijshëm në ditë.

Meqë shkove tre herë këtë muaj në Ersekë, a e konstatove gjendjen e mjerueshme të rrugës Korçë-Ersekë?

Ka filluar që në vitin 2011. Dhe vetëm 40 milionë lekë ke planifikuar në projektbuxhetin e vitit 2017 për këtë rrugë.

Me kaq pak fonde, edhe kjo rrugë nuk ka për të përfunduar kurrë.

Vonesat në përfundimin në afat të rrugëve, do të çojnë në rritjen e kostos të përfundimit të tyre.

Buxheti i vitit 2017, për sektorin bujqësor dhe zhvillimin rural ne tërësi, ka vetëm propagande ndaj fshatit dhe fermerëve dhe pothuajse asnjë aksion konkret  për te ndihmuar realisht prodhimin bujqësor vendas.

Me këtë buxhet mbyllet mandati 4 vjeçar i kësaj qeverie, dhe në 4 vjet nuk u mbajt asnjë prej premtimeve te shpallura  ne programin elektoral, për mbështetjen e sektorit bujqësor dhe industrisë agroushqimore.

Nuk do të ketë politika fiskale që synojnë uljen e drejtpërdrejtë të çmimeve të inputeve bujqësore.

Nuk do të ketë heqje të akcizës dhe taksës së qarkullimit të naftës që përdoret në bujqësi.

Fermerët nuk do të përfitojnë direkt nga skemat mbështetëse për bujqësinë. Përfitues do të vazhdojnë të jenë vetëm klientët e qeverisë.

Drejtues të qeverisë me mburrje flasin për të ashtuquajturin “Programi për fermerët”, për reforma të thella dhe për një bujqësi të rilindur.

Por këto reforma nuk janë gjë tjetër veçse një demagogji e pastër për të mashtruar fermerët.

Programi “ujë në çdo parcelë” është pjesë e kësaj demagogjie.

Objektivi është që për vitin 2017, sipërfaqja e tokës nën ujë të arrijë në 225 mijë Ha. E thënë ndryshe, për vitin 2017, duhet të futen nën ujë edhe 69 mijë ha, dyfishi i sipërfaqes të raportuar për vitin 2016, që praktikisht është e pamundur.

Por si mund te arrihet kjo, kur realizimi i investimeve ne gjashtemujorin e pare te vitit 2016, sipas shifrave zyrtare te Ministrise se Bujqesise, ne zerin “Infrastruktura e kullimit dhe ujitjes”, eshte vetem 54%?

Por si mund të arrihet kjo, kur, per vitin 2017, ulen me 25 milionë dollarë, ose 60% më pak se viti 2016, fondet në zërin “Menaxhimi i infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes”?

Pakësimi i fondeve do të ndikojë jo vetëm në sipërfaqen e ujitshme, por edhe në kullimin, ku çdo vit po përmbyten me mijra Ha tokë bujqësore, duke shkuar dëm mundi dhe djersa e fermerëve.

Si pasojë e përmbytjeve të vazhdueshme, rreth 15 mijë Ha tokë bujqësore, është kthyer në tokë djerë.

Në programin elektoral dhe të qeverisë socialiste thuhej se do të investoheshin 160 milion dollarë për të rimëkëmbur sistemin e ujitjes dhe kullimit, brenda një periudhe 4 vjeçare.

Në katër vjet, për ujitjen dhe kullimin  janë shpenzuar vetëm 9.4 miliardë lekë, ose 80 milionë dollarë. Pra vetëm gjysma e këtij premtimi të bujshëm u realizua.

Rama shkon dhe takon fermerët dhe ju thotë se për qeverinë bujqësia është prioritet. Por si mund të jetë prioritet bujqësia, kur buxheti për bujqësinë, për vitin 2017, është 9 milionë dollarë, ose 9%, më i ulët, krahasuar me aktin normativ 2016?

Në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, ministri i bujqësisë kërkoi mbështetje nga qeveria, për të akorduar një fond prej 12 milionë euro, për ta vënë në dispozicion  për Fondin Kombëtar të Garancisë për bujqësinë dhe zhvillimin rural, 1 miliardë lekë që qeveria duhet të bashkëfinancojë për projektin e Bankës Botërore për ujitjen, për të futur 20 mijë Ha nën ujë dhe 280 milion lekë subvencion për uljen e përqindjes të interesave për kreditë për fermerët.

Atëherë, përse Rama në takimet me fermerët thotë se për qeverinë bujqësia është prioritet, mburret dhe propagandon me bujë projektin e BERZH për kreditë për fermerët dhe projektin e Bankës Botërore për ujitjen, ndërkohë kur ai, nga financimi i brendshëm, nuk i ka dhënë as edhe një mbështetje këtyre projekteve, duke mos ju përgjigjur me detyrimin që ka qeveria shqiptare si bashkëfinancues?

Do te 5 fishojme financimin publik per skemat mbeshtetese te bujqesise, ka qene nje tjeter premtim i bujshem i PS.

Po si paraqitet ne fakt realiteti?

Janë planifikuar 2 milionë dollarë, ose 10% më pak, subvencione për fermerët. Nga viti 2014 dhe në vazhdim, është ulur me 4-5 herë, numri i përfituesve, krahasuar me periudhën 2006-2013 dhe 70% e subvencionit u jepet vetëm 40 fermave me lidhje klienteliste.

PD do të planifikojë 1,5% të PBB në vit, 100 milion euro buxhet për subvencione për çdo fermer, për të 300 mijë familjet fermere, pa burokraci, pa NIPT, në vartësi të prodhimit bujqësor ose blegtoral dhe 50 milionë euro të tjera për infrastrukturën bujqësore.

Bazuar në këtë analizë, mund të themi me plot gojën se me këtë buxhet, qeveria e braktisi përfundimisht mbështetjen për bujqësinë dhe do tua bëjë akoma më të vështirë jetën fermerëve shqiptarë.

Ky është buxheti që rrit varfërinë e qytetarëve dhe që ndihmon të fitojnë një grusht njerëz, klientë të qeverisë, dhe qeveritarë, të cilët do të vazhdojnë të shtojnë pasuritë e tyre, duke vjedhur ku të mundin dhe sa të mundin.

Kjo oligarki e re e bizneseve klient të qeverisë, me miliardat e fituara nga grabitja e parave publike nëpër tendera dhe koncesione, do të mobilizohet që të sigurojë votat që do t’i duhen “Rilindjes” vitin e ardhshëm në zgjedhjet parlamentare.

Ky është buxheti i fundit i një qeverie që erdhi në pushtet me premtime të mëdha, nga të cilat nuk ka realizuar asnjë, por e ka zhytur Shqipërinë në mjerim, krim, korrupsion dhe drogë. Së fundmi edhe televizioni publik britanik BBC, e cilëson Shqipërinë si prodhuesin më të madh të kanabisit ne Evropë.

Për këto arsye, është kjo qeveri, që i ka mbyllur dyert integrimit evropian të Shqipërisë dhe fajin mundohet t’ja hedhë opozitës, mediave dhe parlamentarëve evropianë.


Fjala në Parlament e Gjergji Papës, 1 dhjetor 2016