Të nderuar kolegë!

Për cdo parlament funksional, me qëllim dhe mision  interesin publik, seancat e diskutimit të buxhetit duhet të ishin seanca  të mirëfillta të një debati teknik, politik dhe me propozime e amendime të shumta.

Por nuk ndodh kështu, me këtë mazhorancë, e cila ka prodhuar ose më saktë trafikuar me shitblerje votash, një qeveri të korruptuar, të paaftë, të inkriminuar dhe për pasojë një qeveri të papërfaqësuar dhe krejt të pabesuar nga shqiptarët.

Sot Qeveria Rama në fundin e mandatit të saj, vjen me një bilanc edhe më të thelluar të krizës, që për pasojë po sjell dy dëme të mëdha  historike për Shqipërinë dhe shqiptarët, mjerimin socialekonomik  dhe largimin në masë të popullsisë dhe vecanërisht të të rinjve.

Në historinë e parlamentarizmit, seancat për buxhetin janë modelet më të suksesshme të komunikimit politik, ndërsa për ju do të mbeten bilance të një krize të thellë, jo vetëm besimi por mbi të gjitha zhgënjimi nga premtime të pambajtura, nga një orietim korruptiv dhe kriminal që I keni dhënë ekonomisë dhe të gjithë sektorëve në këta 3 vite e gjysëm qeverisjeje.

Buxheti i vitit 2017 mund të rreshtojë mesatarisht 2017 mangësi e gabime të rënda për ekonominë e vendit, që në fakt është konsideruar tashmë me plot arsye dhe argument, ekonomia e kanabisit dhe e trafiqeve, ekonomia e tenderave dhe e koncensioneve me fondet publike, në vend të asaj që duhej të ishte një ekonomi e reformave, ekonomi e integrimit dhe zhvillimit evropian.

Më këtë buxhet dhe mentalitet që keni për ekonominë dhe financat, në të katërtin vit tuajin, ju shënoni vetëm thellim të rëndë të dificitit, borxhit të jashtëm, uljes së GDP, rritjes së papërmbajtur të taksave dhe cmimeve, papunësisë që është kthyer në një realitet normal  për ju, korrupsionit që funksionon në mënyrë kapilare nga maja e piramidës shtetërore deri tek individi sekser mes institucionit dhe shqiptarit hallexhi.

Pra sot, paketa e krizës dhe e mjerimit nuk është as më shumë e as më pak se sa një paketë numrash fiktivë, manipulues për rritje imagjinare të ekonomisë, që në fakt është vetëm realiteti për kokën e sëmurë të kryeministrit dhe skenar i propagandës qeveritare.

Për të vazhduar me axhendën plenare të diskutimeve mbi buxhetin, unë do të orientohesha në dështimet tuaja spektakolare dhe në mungesën e shpresës që kërkoni ta rrisni si farë e keqë vecanërisht në Qarkun e Kukësit.

Kukësi, Hasi e Tropoja janë bashkitë më të varfëra, më të izoluara, më të papërfillura e për pasojë edhe më të zbrazurat nga një politikë e cila i ngjan asaj të një spastrimi apo shpopullimi, si pasojë e skamjes,dëshpërimit dhe mungesës së shpresës në të cilin i keni zhytur banorët e këtyre zonave.

Vazhdoj ti mëshoj idesë se ju jeni qeveria më antishqiptare e gjithë historisë në këtë cerek shekulli tranzicioni të Shqipërisë, por vecanërisht me dhimbje dua të theksoj se jeni fobikë ndaj Veriut dhe veriorëve të cilët në pushtetin tuaj I përbuzët me diskriminim të thellë ekonomik, social, politik dhe pse jo edhe me një përbuzje stereotipesh që ju buron nga e kaluara juaj komuniste.

Cdo 28 Nëntor dita e madhe e kombit tonë, dita e Flamurit, na sjell ndër mend shprehjet e medha të Burrit të Shtetit, Kryeministrit të parë Ismail Qemali I cili me patriotizmin e Tij donte me të njëjtin pasion e përkushtim Kosovë e Shqipëri së bashku me Camërinë.

Një ndër shprehjet më tipike që vjen me aq kuptim, për patriotizmin e munguar të udhëheqësve aktualë rilindas është ajo ku në prag të mbërritjes në Vlorë, për të shpallur Shqipërinë e mosvarme, Ismail Qemali me shqetësim pyeti një luftëtar nga Kosova për fatin e prijësve nga këto treva,  “Mos më thuaj që i ka ndodhur gjë Isës ( pra Isa Boletinit), se do më cahet zemra”!

A ka sot kryeministri rilindas Edi Rama, ndopak dhembshuri e dashuri për Veriun dhe Kosovën? Mendoj me bindje që JO, sepse një pushtetar i përgjegjshëm është një burrë shteti, që e do vendin dhe popullin e tij dhe ndërmerr reforma historike për prosperitet dhe optimizëm.

Për të ardhur në tezën time për diskriminimin dhe shpërfilljen arrogante të Rilindjes mavi, ndaj Veriut edhe në këtë buxhet të katërt të Rilindjes së krizës dhe korrupsionit, dua ta mbështes me faktet dhe të dhënat e mëposhtme që bazohen në grabitjen  e investimeve në infrastrukturë, transport, energjitikë, arsim , shëndetësi, në korrupsionin e taksave te papërballueshme  të cilat shkojnë në llogaritë e qeveritarëve dhe pushtetit e jo në investime publike, rritjes progresive të papunësisë, heqjes pa asnjë kriter ligjor të dhjetra familjeve nga skema e ndihmës ekonomike, Kempit të invalidëve, bllokimit të investimeve në turizëm dhe së fundmi edhe taksa e turpshme e Rrugës së Kombit.

Shfletojeni nga fillimi deri në fund, cdo parashikim të cdo ministrie, për projekte dhe investime dhe hajde më thoni nëse gjeni diku mes rrjeshtave, Tropojën aty.

Duke qënë se në planifikimin e bërë në buxhetin tuaj të 2017-ës, për transportin rrugor nuk gjej asnjë km rrugë të re të parashikuar për ndërtim sidomos në Shkumbin e lart, më duhet të parashtroj pyetjen se përse nuk ndatë disa milionë nga ato 23 milion dollarët e shpenzimeve tuaja të luksit për të shtruar ndonjë km asfalt, të paktën aty ku e lamë ne?

Ku është fondi që keni parashikuar për dëmtimet aq të rënda në rrjetin energjitik, të fshatrave në Tropojë, I cili është drejt rrënimit total?
Pse nuk keni parashikuar as edhe një fond për familjet viktima të djegies së mbi 15 shtëpive, njëra prej së cilave, ajo e Myrteza Gjyriqit, e shkrumbuar mbrëmë, si pasojë e një shkëndije elektrike, familjarët e të cilave nuk kanë marrë as edhe një qindarkë dëmshpërblim?

Janë këto familje dhe me qindra të tjera në Veri, të cilët janë zhytur në borxhe të përjetshme për të paguar faturat marramendëse të OSSHE dhe që marrin në këmbim një shërbim skandaloz  nga kompania. Me dhjetra familje janë në qiell të hapur dhe mbahen nga të afërmit në këtë dimër të egër në fshatrat e Tropojës dhe nga Shërbimi juaj Antisocial, nuk ka asnjë reagim, apo aq më pak një program mbështetjeje nga buxheti për këto zona të thella.

Për të kaluar tek emblema e korrupsionit tuaj galopant-“shëndetësia falas”, duke qënë se në buxhetin tuaj të 2017-ës nuk iu dalin lekët për investime në këtë sektor, se të gjitha jua përpiu dhe do tua përpijë klani i Ramës për Checkup-in, unë po ju pyes se përse nuk ndatë dicka nga ato 38 milionët e dollarëve nga fatura e këtij mega -koncensioni për vitin tjetër, të ndërtonit një ambulancë afër minjerave që minatorët të mos kenë nevojë të marrin shërbimin në Kosovë?

Duke qënë se në buxhetin tuaj të 2017-ës nuk gjeta asnjë investim të parashikuar për ndonjë kanal të ri ujitje në Tropojë, dua tju pyes ju se a nuk i linit dot pa blerë makinat lluksoze që keni parashikuar me fondin prej 1,3 miljon dollarësh për tia shtuar këto lekë bujqësisë?

Po sa femijë do kishin fjetur në krevate e jo në tokë sic flejnë tani, në cerdhet dhe kopshtet e Tropojës, sa kënde sportive, sa laboratore mësimore, sa shkollave do tu ishin rregulluar dyert e dritaret e prishura dhe sa ngrohësa do të ishin blerë per shkollat në këtë prag dimri të acartë me ato rreth 9 miljon dollarët qe keni parashikuar për blerje paisje zyrash luksi për ministritë dhe kryeministrinë?

Buxheti i 2017 për bujqësinë parashikon 2 miljon dollarë më pak subvencione për fermerët, sepse për ju nuk ka as edhe një rëndësi apo aq më pak keqardhje për falimentimin e  qindra fermerëve në Veri, që kanë investuar kursimet e jetës dhe punës në emigracion për boronicën, gështenjat, arrorët apo fruta të tjera.

I latë në mëshirën e fatit në rastin e sëmundjes së dermatozës, rreth 700 familjarë, duke i mohuar krejtësisht kompensimin për dëmet e mëdha në blegtori.
Pse nuk keni parashikuar as edhe një buxhet qoftë minimal për turizmin malor, apo subvecione për ata dhjetra burra e gra  malësore, guximtarë e të aftë që nuk u hapet një derë apo një telefon zyre për ti mbështetur në zhvillimin e këtij biznesi prokombëtar?

Të nderuar qytetarë!

Ka vetëm një formulë mbi të cilin kjo mazhorancë ka bazuar këto investime fiktive në draftin e buxhetit 2017 dhe ky është vetëm KLIENTELIZMI partiak dhe korruptiv me të cilin ka favorizuar  qarqet klanore dhe bastionet bashkiake të votave.

Mendoj se maratona e avokatisë së djallit dhe paradës së shëmtuar e manipulimeve me shifrat,  do tju kthehet në një strategji edhe më bllokuese komunikimi publik, pasi sot më shumë se kurrë janë shifrat e skamjes, vetëvrasjeve e dëshpërimit që flasin për Rilindjen më anti kombëtare që ka njohur ky Komb.

Do ishte mirë që këtë seancë ta mbyllni me një akt minimal dinjiteti, me një falje publike, për këtë buxhet krize dhe për të gjithë dëmet dhe vuajtjet e mëdha që i keni shkaktuar këtij populli, por që vitin tjetër do e merrni shpagimin e revoltës kombëtare me votë.


Fjala në Kuvend e deputetes së Partisë Demokratike, Mimoza Hajdarmataj