Enkelejd Alibeaj për mbrojtjen që i është dhënë nga qeveria Eskobarit të Ballkanit

Sot, është publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë kronologjia e çështjes së Klement Balilit, ku rezulton se eskobari i Ballkanit siç u cilësua nga CNN, është shpallur në kërkim ndërkombëtar që në datën 17 maj të këtij viti.

 

Prej kësaj date, prej 17 majit, Saimir Tahiri ka qenë nën detyrimin për ta ndaluar Klement Balilin, për të zbatuar urdhërin e kërkimit ndërkombëtar për veprën penale Krijim dhe Drejtim të Organizatës Kriminale, pa pritur më asnjë procedurë tjetër.

 

Ja ku është publikimi i Ministrisë së Drejtësisë, e gjeni në faqen e saj zyrtare.

 

Kjo është një dëshmi se Saimir Tahiri dhe Edi Rama, kanë mbrojtur Klement Balilin prej 8 muajsh. Nesër bëhen saktësisht 8 muaj, që Saimir Tahiri dhe Edi Rama refuzojnë të zbatojnë urdhërin për arrestimin e Klement Balilit.

 

Kjo pra është lidhja e qeverisë me krimin, ky është inkriminimi në nivelet më të paimagjinueshme.

 

Kjo është dëshmia që Edi Rama nuk shkëputet nga krimi, nuk zbaton dekriminalizimin që e kërkon edhe Europa si kusht për procesin e integrimit.

 

Kjo është mbrojtja e drogës, e trafikantëve, e karteleve.

Ne e kemi denoncuar qysh ditën që Edi Rama e emëroi Klement Balilin shefin e transportit të jugut, si emërimin e një personi me të shkuar kriminale, të arrestuar në flagrancë me 750 kilogram drogë.

 

Por Edi Rama jo vetëm nuk reagoi pas këtij denoncimi, por edhe kur vjen kërkesa për arrestimin e tij, nga gjysma e policive të Europës, nuk e zbaton dhe e mbron atë deri në fund.

 

Ja pra kush është rreshtuar me krimin, me drogën, me trafikantët, kundër shqiptarëve, kundër interesave të vendit.