5 Janari është dita e shtypit të lirë shqiptar.
Nuk ka qenë dhe nuk është nevoja të shpallej me ndonjë vendim a dekret të veçantë. E njeh të tillë vetë historia e shtypit tonë të lirë.
Ku nisi?
Ja, përgjigja e kësaj pyetjeje na mbledh çdo vit ne ketë takim nderimi dhe respekti për gjenezën, për pikënisjen.
PD dhe unë si kryetar i saj kemi kënaqësinë të ndajmë jo vetëm me RD-në, por me gjithë median shqiptare këtë ditë historike.
Përpjekjet e njerëzve që e themeluan dhe e rritën Rilindjen Demokratike janë shembull i jashtëzakonshëm i kurajos dhe sakrificës për ta nxjerrë vendin nga dhuna izolimi, genjeshtra dhe shtypja politike dhe për të ndërtuar një të ardhme të lirë, të denjë dhe europiane.
Përpjekjet e tyre janë shembulli më i shkëlqyer i shërbimit të njerëzve të medias ndaj të vërtetës, ndaj interesit publik.
Sikurse dua tu shpreh mirënjohjen gjithë gazetarëve e analistëve pavarësisht pozicioneve që mbajnë, për kontributin e tyre në gjithë këto vite.
5 janari i vitit 1991 solli bijën e parë të lirisë së medias, e sot kemi një shpërthim të lirisë, me gazeta, radio, televizione moderne, portale nga më të larmishmet, që përbëjne botën e medias shqiptare, opozitare, proqeveritare, të djathtë, të majtë, të qendres, të lirë, e kështu me radhë.
Media shqiptare ka qenë dhe mbetet në pararojë të Shqipërisë europiane. Është fakt se media ka mbërritur para politikës, para institucioneve dhe vetë shoqërisë sonë në stacionet e integrimit europian të vendit.
Nderim për gjithë gazetarët, për gjithë publicistët, për gjithë mediat që kanë qenë dhe janë pjesë e këtij udhëtimi të vështirë, por të bukur dhe fisnik.
Media shqiptare në tërësinë e saj ia ka dalë të qëndrojë si një nga shtyllat e lirisë, pavarësisht përpjekjeve që ka bërë e bën pushteti apo bota e krimit për t’i mbyllur gojën, për ta trembur, për ti diktuar censurën ekonomike, për ta kapur.
Ne emër të opozitës dhe si qytetar i këtij vendi unë përshendes dhe mbështes fuqishëm lirinë e medias dhe median e lirë shqiptare; mbështes pluralitetin dhe profesionalizmin e saj; mbështetes përpjekjet e çdo gazetari, analisti, apo botuesi për të ruajtur pavarësinë dhe busullën e interesit publik .
“Liria jonë varet nga liria e mediave”- ky postulat i Thomas Jeferson vazhdon të tingëllojë i vërtetë për çdo demokraci, pavarësisht nga vendi dhe mosha e saj.
Ja përse në konceptin dhe bindjet e mia, liria e medias, si e mirë publike, është një detyrë dhe një gur prove për çdo politikan dhe shtetar.
Kush tundohet ta cënojë lirinë e medias, e ka me Lirinë.
Kush shërben lirinë e medias shërben Lirinë.
Besoj se këto takime do të ishin zbehur përgjatë viteve nëse 5 janari do të mbetej vetem në përmasën e nderimit apo nostalgjisë.
Ku jemi? Ku do shkojmë? Cila është e ardhmja?
Ne mblidhemi sonte edhe për këtë.
Eshtë një analizë që e bën çdo media për llogaritë e saj. E bëjnë e duhet ta bëjnë edhe institucionet e demkoracisë, pra edhe opozita.
Korrupsioni në sistem, krimi në sistem, klientelizmi në sistem, arroganca dhe arbitrariteti i skajshëm, janë sfidat dhe dorashkat që na ka hedhur të gjithëve në fytyrë pushteti i sotëm: opozitës, medias, shoqërisë civile, shoqërisë shqiptare.
Kjo është qeveria që edhe kur kapet duke abuzuar e vjedhur, me presh në duar, me fakte dhe shifra të pakundështueshme, na thotë ne, ju thotë ju, ju thotë qytetarëve “pse hidhni baltë”.
Kjo është qeveria e mjerimit dhe përkeqësimit, që i kërkon popullit të këndojë për të!
Një qeveri si kjo, kërkon të mundë njerëzit e t’u mbyllë gojën me të keqen e saj.
Opozita e refuzon këtë cinizëm ekstrem të qeverisë. Media lypset ta refuzojë dhe neverisë nga pozicioni i vet.
Sonte do të doja të dalim nga pozicionet, e të afrojmë qëndrimet për disa çeshtje që nuk kanë ngjyrim politik, por janë standarde të etikës demokratike.
Së pari, diversiteti i opinioneve si vlerë, por jo si burim mjegulle për të fshehur të vërtetat që janë çeshtje faktesh dhe shifrash konkrete.
E kam fjalën për të vërtetat e thjeshta, të pandshme, logjike.
Nuk ka dy të vërteta për drogën. Ka vetëm një. Pesëfishim i sipërfaqes së mbjellë, në vitin 2016.
Nuk ka dy të vërteta për bosët e drogës. Ka vetëm një: nuk kapen dhe këtë nuk e pengon vetingu. E pengon Qeveria, Ministri i Brendshëm, Kryeministri.
Kujt ia paguajnë paratë për cdo rrënjë droge trafikantët? Shoqërisë civile? Mediave? Apo opozitës? Ka vetëm një të vërtetë për këtë.
Nuk ka dy të vërteta për botën e korrupsionit dhe krimit dhe: ka vetëm një.
Kudo ku vidhet me tendera dhe koncensione, janë njerëzit e qeverisë dhe kryeministrit. Nuk ka të tjerë!
Kush i hodhi në xhepa klientësh mbi 300 milionë euro gjasme të shëndetësisë. Kush? Qytetarët, pacientët, opozita, gazetarët? Ka vetëm një të vërtetë për këtë.
Kudo ku lartësohen ndërtime pa leje, kudo ku shqyhen, tjetërsohen e përvetësohen prona në mënyrë kriminale, janë njerëzit e lidhur me qeverinë, është krimi me pushtet.
Nuk ka dy të vërteta për rrogat dhe pensionet në tërësi. Ka vetëm një: nuk janë rritur asnjë qindarkë.
Nuk ka dy të vërteta për hapjen e negocitave: ka vetëm një. Nuk hapen sepse nuk janë përmbushur standardet dhe, sepse kemi zgjedhjet përpara dhe qeveria nuk ka besueshmërinë se mund ti zhvilloje sipas standarteve.
Europa kërkon provën. Ora e provës po vjen.
Meqë jemi të zgjedhjet, unë u bëj thirrje të gjitha mediave të vendit, pa asnjë dallim, përfshirë mediat që janë kritike e shumë kritike me opozitën apo me mua: të bashkohemi sot në një angazhim të përbashkët për zgjedhje të lira e të ndershme:
-të luftojmë sëbashku kundër çdo forme të riciklimit direkt apo indirekt në politikë të individëve me rekorde kriminale që ligji i dekriminailzimit i nxjerr nga dera, por vullneti i mbrapshtë i atyre që i promovuan në politikë po kërkon ti fusë nga dritarja, me bedelë e me forma të tjera.
-të luftojmë se bashku për të zhdukur njëherë e mirë shitblerjen e votës si atentati më i madh që mund t’u behet zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Të dashur miq,
Dua të pohoj para jush se si opozitë, prej të vërtetës ekzistojmë dhe prej saj do të fitojmë. Këtu kam parasysh edhe të vërtetën që lidhet me punën, me sjelljen, me qëndrimet e opozitës.
Kam qenë, jam dhe do të jem kurdoherë i hapur, bashkëpunues dhe mirëkuptues me mediat, me kritikat e saj. Vizioni im i hapjes së PD-së e përfshin këtë dimension: hapjen ndaj mendimit të lirë, hapjen ndaj mendimit ndryshe, hapjen ndaj medias pa dallim, hapjen ndaj kritikave.
Refuzimi i kritikës është refuzimi i vetë idesë së ndryshimit. Kjo është një nga pikat ku unë dëshiroj të bëj ndryshimin.
Besoj dhe uroj që kjo ditë të shënojë bashkëpunimin e ri të opozitës me median e lirë në funksion të së vërtetës, për të mirën e lirisë dhe interesit publik.
Mirësekeni ardhur sonte.
Gëzuar të gjithëve ditën e shtypit të lirë. Vit të mbarë për ju dhe mbarë shqiptarët.
Lulzim Basha në 26 vjetorin e themelimit të gazetës Rilindja Demokratike, 5 Janar 2016