Lulzim Basha ishte sot pranë banorëve të qytetit të Kukësit të cilët po vuajnë gjendjen e rëndë të motit.  Banorët i thanë Bashës se kanë mungesë të energjisë elektrike. Çmimi i druve për ngrohje është dyfishuar.  Basha tha se këto dy probleme i ka hasur nga kontakti me qytetarët në këto ditë të vështira në mjaft zona. Ai konstatoi se ndihma e qeverisjes qendrore ka qënë minimale. Bashkitë ia kanë dalë të vetme të përballojnë situatën e krijuar.

“Ngrohja dhe problemet me energjinë elektrike janë halle të mëdha që janë ngritur nga të gjithë qytetarët, të majtë, të djathtë, pa dallim. Ndërkohë, kamionët e qeverisë ngarkohen me dru dhe qytetarët ndëshkohen për shkurre. Situata është rënduar në gjithë vendin. Cmimi i latave të druve në Korcë, Ersekë, Përrenjas, Dibër, Kukës, Has, Tropojë, Malësi e Madhe, Dukagjin, Shkodër, këtu në Kukës, është dyfishuar, nga 20 mijë lekë, në 40 mijë. Në Korcë nga 35 mijë lekë, në 70 mijë. Dy problemet më të mëdha pra sot për njerëzit janë cmimi i lartë i druve dhe mungesa e energjisë elektrike”, tha Basha.

Kryetari i Opozitës u shpreh barra e madhe e mungesës së investimeve po bie mbi banorët. Strukturat e OSHEE-së dhe pushteti lokal po punon në kushte ekstreme për shkak të braktisjes nga qeveria në këto 3 vite. Ai i bëri thirrje kryeministrit ta njohë realitetin.

“Banorët janë të izoluar dhe në errësirë. Por qeveria nuk e merr përsipër emergjencën. Shpreh mirënjohjen më të thellë dhe keqardhjen gjithashtu, për punonjësit e OSHEE të cilët punojnë në kushte ekstreme, ku shpëtohen nga banorët kur rrezikojnë dhe jetën. Kjo tregon se nuk është investuar në këto 3 vite. Qeveria ia ka lënë barrën bashkive, por duhet të kthejë sytë kendej sepse emergjenca nuk ka kaluar. Kjo është një gjendje emergjence, dhe qeveria nuk përgjigjet sic i takon, duke shpallur emergjencën”, tha Basha.

Kreu i demokratëve u bëri thirrje drejtuesve të bashkive por edhe degëve të Partisë Demokratike për t’iu gjendur sa më pranë njerëzve.


Njoftim per shtyp i Partisë Demokratike, 10 Janar 2017