Udhëheqësi demokrat Lulzim Basha u takua sot me drejtuesit e degëve të Partisë Demokratike për të biseduar për situatën politike dhe sfidat e opozitës. Basha tha se detyra e parë e Partisë Demokratike është t’u propozojë shqiptarëve njerëz të denjë të pastër moralisht. Brenda datës 15 Shkurt, anëtarët e Partisë Demokratike do të angazhohen në një proces të hapur e qytetar me grupet e interesit për të propozuar kandidatët më të mirë për t’i përfaqësuar në Parlament.

Vlerat më të larta morale dhe shoqërore që kemi në komunitet, të cilët do t’i konsiderojmë për të qenë përfaqësuesit më të denjë të Partisë Demokratike në Parlamentin e ardhshëm. Ne do t’i japim shqiptarëve një listë deputetësh, më përfaqësuesen dhe më cilësoren që ka patur ndonjëherë ky vend”, tha kreu i opozitës.

Basha theksoi se kandidatët do t’i nënshtrohen një procesi kontrolli të integritetit të figurës:

 “Çdo kandidat për deputet i Partisë Demokratike do t’i nënshtrohet një procesi kontrolli të imtësishëm të integritetit të figurës. Ne kemi ngritur strukturat e posaçme për këtë si parti. Jemi e para parti që kemi ngritur komisionin tonë të integritetit dhe të etikës i cili tashmë është i pajisur me ekspertizën më të mirë, me njerëzit më të ndershëm, me mbështetjen ndërkombëtare, dhe ka hartuar praktikat më të avancuara bashkëkohore, për të mundësuar që lista e ardhshme e deputetëve të Partisë Demokratike, nuk ka asnjë surprizë në kuptimin e pastërtisë morale të figurave me të cilat shqiptarët do të përfaqësohet përmes Partisë Demokratike në Parlament”.

Kreu u opozitës siguroi drejtuesit lokalë të partisë, se Partia Demokratike do të fitojë zgjedhjet e ardhshme me një proces të lirë e të ndershëm.

Qeveria dhe mjetet e saj të propagandës janë lëshuar me klishetë: merr pjesë nuk merr pjesë Partia Demokratike në zgjedhje. Partia Demokratike merr pjesë në zgjedhje dhe zgjedhjet do të jenë të lira e të ndershme. Nuk ka asnjë skenar tjetër. Ne do të luftojmë për zgjedhje të lira e të ndershme, ne do të përballemi për zgjedhje të lira e të ndershme, ne do të fitojmë me  zgjedhje të lira e të ndershme”, u shpreh Basha.

Në lidhje me kërkesat e opozitës për reformën zgjedhore Basha u shpreh se:

Votimi dhe numërimi elektronik është fundi i kontestimit të zgjedhjeve mbi bazën e shitblerjes së votës, apo manipulimit të votës, apo futjes së duarve në kutitë e votimit. Votim elektronik do të thotë po kështu numërim elektronik, merr fund armata e partiakëve dhe e kriminelëve që fut duart në kuti, që blen apo kërcënon numëruesit, që tjetërson vullnetin e qytetarëve, merr fund manipulimi i vullnetit të qytetarëve, siç votojnë qytetarët ashtu del rezultati. Me votimin elektronik, me numërimin elektronik shqiptarët do të kenë zgjedhje të lira dhe të ndershme.   Vota e tyre nuk do të tjetërsohet. Zgjedhje të lira e të ndershme, kjo është fushata në të cilën Partia Demokratike dhe opozita do të angazhohen fuqimisht.”


Njoftim për shtyp i Partise Demokratike, 17 Janar 2017