Zonat e varfra të Pukës në mjerim të plotë nga izolimi prej motit. Salianji takohet me banorët që denoncojnë braktisjen totale nga qeveria
Puka dhe fshatrat e saj janë nga zonat më të varfëra e të papuna të vendit, por njëkohësisht me të goditurat nga moti i acartë i këtyre ditëve. Shumë familje në zona të thella, dhe njësi të tëra kanë mbetur të izoluara, pa drita, pa ngrohje, në krizë edhe për ushqime.
Ndërhyrjet e qeverisë kanë munguar totalisht, dhe prezenca e tyre ka qënë vetëm për propagandë. Njerëzit në Pukë e dinë se edhe ato pak ndihma që janë dhënë, janë dhënë për të afërmit e deputetëve e pushtetarëve.
Ervin Salianji dhe kreu i degës së PD, Pukë, ishin pranë banorëve.
“Kanë ditë që ngrihen shqetësimet e banorëve të Pukës dhe të rrethinave, për motin e acartë dhe bllokimin që i është bërë pothuajse të gjithë zonës së rrethit të Pukës. Siç duket qartësisht nga pamjet, këtu jemi pothuajse 30 metra nga Bashkia e Pukës dhe trashësia e borës është më shumë se një metër.
Janë zona dhe lagje të qytetit të Pukës, të gjitha të bllokuara, të gjitha të pahapura, të gjitha të pastabilizuara apo të pandihmuara nga ana e qeverisë apo nga ana e Bashkisë së Pukës.
Ministri i Brendshëm i cili ishte dje në zonës e Pukës, ka bërë vetëm shfaqje dhe propagandë, ka vazhduar me intensitet propagandën po njësoj sa ç’është intensiteti i reshjeve por asnjë ndihmë nuk ka shkuar për banorët e qytetit të Pukës as në infrastrukturë, as në ushqime, as në ushqime për bagëtitë.
Ndihmat e shpërndara kanë qenë vetëm 200 pako të dhëna kushërinjve të Mark Frrokut, dhe kushërinjve të Gjonit të Bashkisë i cili po ashtu është një i emëruar i Mark Frrokut. Ndihma të dhëna nga ministri i Brendshëm dje, ishin në fshatin e Pjerin Ndreut dhe miqve e të afërmve të tij në fshatin Jakaj”, u shpreh Salianji.
“Me këtë rast ngrice, realisht është emergjencë. Fshatrat e të gjithë rrethit të Pukës, pothuajse janë totalisht të gjitha të izoluara, duke filluar nga qafa e Mugut, njesia administrative e Çelës dhe ka telefonata prej banorëve që nuk u shkon askush në ndihmë. Edhe pse telefonojnë nuk u përgjigjet asnjë njeri”, thotë kreu i PD, Pukë, Prel Gjoni.
Në Luf të Pukës, gjendja është edhe më e rëndë.
“Këtu 70% e familjeve trajtohen me ndihmë ekonomike. Marrin më pak se 10 mijë lek të vjetra për njeri. Ujë të rrjedhshëm nuk kemi. Nuk na ka ardhur asnjë lloj ushqimi, asnjë lloj ndihme. Nuk është marrë askush me këtë punë”, ankohet një banor.
“Pushteti qëndror dhe ai vendor këtu nuk kanë ardhur. Ministrin nuk e kemi pare”, denoncon një familjar.
Në Gjegjan kriza thellohet.
“Kemi vetëm një elektriçist, është faturues dhe elektriçist. Për të marrë një asistencë 20-30 mijë lek duhen 40 km për të shkuar në Pukë në bankë për të marrë asistencën”, pohon një banor i zonës.
“Të gjitha shkollat e njësive administrative të rrethit Pukë, janë pa ngrohje zjarri, janë të gjitha me ngrohje me rezistencë”, thotë një banor.