Basha: Zgjedhjet e lira dhe e ardhmja e vendit në duart e qytetarëve

 

Mbledhja e grupit parlamentar më dha rastin të informoj edhe parlamentarët tanë për rezultatet e vizitës time në Uashington, Bruksel dhe Berlin, me theks të veçantë për angazhimin e faktorit ndërkombëtar, partnerëve tanë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Bashkimin Europian, për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri.

 

Çështja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri është e lidhur me problemin e madh të kriminalizimit të politikës, të krimit të organizuar, të drogës. Këto janë probleme që opozita i ka denoncuar prej tre vitesh. Këto janë probleme për të cilat opozita ka luftuar dhe ka arritur të ndryshojë ligjet, siç është ligji për dekriminalizimin. Por, që për fat të keq, nuk po gjen zbatim për shkak të mungesës së vullnetit politik.

 

Vullneti politik mungon sepse Edi Rama dhe koalicioni i tij qeverisës e ka lidhur fatin e tij me krimin, me drogën. Kjo u pa qartësisht edhe nga lëvizjet e fundit politike brenda koalicionit, të cilat kanë asgjesuar “de facto” një koalicion politik dhe kanë shpalosur para shqiptarëve një qeveri e cila diktohet nga bandat e krimit të organizuar.

 

Nuk ka, në këtë kuptim, asgjë të re nga zhvillimet e fundit politike brenda qeverisë. Por ka diçka të dobishme për çdo shqiptar dhe shqiptare, të djathtë apo të majtë, edhe për partnerët tanë ndërkombëtarë: Dhe kjo është dëshmia jo e një, por e dy anëtarëve të kabinetit dhe anëtarëve të tjerë të maxhorancës, se lidhjet me krimin, me Balilin dhe balilajt, me habilajt dhe bandat e tjera të krimit të organizuar, Edi Rama i ka në funksion të kapjes dhe prishjes së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

 

Kjo është arsyeja pse nuk pranon votimin elektronik. Ndonëse votimi elektronik nuk zgjidh çdo problem, por në masë të madhe skemën kriminale të përdorimit të bandave, të drogës, të policisë tutore të kanabisit, të policisë që sillet si bandë për zgjedhjet. Pa dyshim që votimi elektronik është një masë e cila jep besim tek votuesit.

Pyetje: Mbështetet kjo ide nga ndërkombëtarët z.Basha, dhe nga ambasadori i OSBE-së?

 

Basha: Nuk ka fare rëndësi se çfarë mendojnë individët. Zgjidhjet që ne kemi shtruar në tavolinë janë plotësisht të mundshme dhe unë kam patur rastin ta diskutoj edhe sot me bashkëbiseduesit që kanë qenë të pranishëm në Partinë Demokratike. Por mesazhi që kam për shqiptarët sot, dhe që ndava edhe me anëtarët e grupit, është se koha për zgjidhje institucionale po mbaron me shpejtësi. Nuk ka vullnet për zgjidhje institucionale. Qeveria po luan me kohën. Çdo ditë që kalon është një alibi për të shteruar opsionet e zgjidhjeve institucionale. Ndaj koha po vjen për një aksion mbarë qytetar, një aksion politik mbarë qytetar.

 

Pyetje: E keni fjalën për protesta?

 

Basha: Sigurisht! Një aksion politik mbarë qytetar sepse në fund të fundit çdo shqiptar duhet t’i bëjë vetes pyetjen: A mund të ndërtojë jetën e tij, të fëmijëve të tij, të fëmijëve të saj, në një vend ku nuk garantohet vota? A ia vlen, të ngrihemi për të garantuar lirinë e votës, dinjitetin dhe lirinë individuale që vjen përmes lirisë së votës?

 

Unë besoj se shumica dërrmuese e shqiptarëve i përgjigjen pozitivisht kësaj pyetje, sepse e kundërta do të thotë një Shqipëri pa të ardhshme. Ndaj Partia Demokratike po nis shqyrtimin e të gjitha opsioneve, të aksionit politik qytetar të protestave, për të arritur përmes një bashkimi të madh qytetar, atë që kjo qeveri e kriminalizuar dhe e korruptuar deri në palcë ka refuzuar ta bëjë tashmë përmes rrugës institucionale.

 

Ju jeni të gjithë dëshmitar, publiku është dëshmitar që unë si kryetar i opozitës, si kryetar i Partisë Demokratike prej tre vite e gjysëm, jam përpjekur dhe kam luftuar fort për zgjidhje institucionale. Dëshmitë tronditëse që vijnë nga vetë gjiri i qeverisë tregojnë që ky është një gjiriz dhe jo më kornizë institucionale. Ndaj u takon qytetarëve të marrin përsipër fatet e tyre, opozitën dhe Partinë Demokratike do t’i kenë në ballë të kësaj beteje.