Situata e rëndë nga moti në shumë zona të vendit nuk ka shenja përmirësimi.
Nga raportimet e qytetarëve dhe strukturave të Partisë Demokratike, mësohet se vazhdojnë të jenë të izoluara dhjetra fshatra, në Dibër, në Tropojë, në Has, në Pukë, në Malësinë e Madhe, në Shkodër, në Kukës.
Qeveria nuk është e pranishme me ndihma ushqimore, apo me medikamente në asnjë familje në zonat e izoluara dhe pa drita prej dy ditësh.
Moti i acartë konfirmon paaftësinë e qeverisë së Edi Ramës për tu përballur me realitetin. Por emergjenca ka nxjerrë në pah edhe një skandal tjetër tronditës.
Shumica e kompanive për mirëmbajtjen e rrugëve që janë të deputetëve të maxhorancës dhe qeveritarëve kanë marrë paratë por këto dy ditë nuk janë shfaqur asnjë minutë, as për të hedhur një lopatë me kripë apo skorje.
Në krye të këtij skandali është firma e deputetit Sadri Abazi regjistruar në emër të nipit, e cila në segmentin Koplik-Bog-Qaf Thore, dhe Koplik-Razem-Hani Hotit-Tamare-Vermosh, jo vetëm nuk ka nxjerrë asnjë punonjës në rrugë, por nuk denjon as tu hapë telefonin drejtuesve vendorë.
E njëjta situatë është edhe në zona të tjera.
Ndërkohë disa kompani mirëmbajtje të cilat kanë kryer detyrimet e tyre kontraktuale nuk kanë marrë asnjë qindarkë pagese dhe në disa raste si në aksin Milot-Peshkopi ju janë ndërprerë kontratat pa asnjë kriter dhe ua kanë rilidhur vetëm për një muaj në momentet e nisjes së emergjencës.
Ky abuzim në kurriz të qytetarëve në këto ditë të vështira meriton një hetim serioz nga prokuroria.
Ndërkohë Edi Rama vazhdon ti kthejë kurrizin qytetarëve, të izoluar, të mbërthyer nga i ftohti dhe errësira, duke mos pasur asnjë prani në terren, asnjë ndërhyrje në shërbim të tyre.
Arben Ristani për gjendjen në vend dhe abuzimet e qeverisë, 7 Janar 2017