Këshilltarët e djathtë bashkiakë, panë nga afër bllokimin e rrugëve dhe trotuareve në një nga hyrjet kryesore të kryeqytetit, në Rrugën e Elbasanit. Leonard Olli denoncoi braktisjen që qeveria dhe bashkia i kanë bërë qytetarëve duke mos pastruar rrugët të cilat kanë shkaktuar dhjetra aksidente. Mosmarrja e masave paraprake dhe vazhdimi i kësaj situate edhe gjatë ditës së sotme, kanë vënë në rrezik jetën e qytetarëve dhe pronat e tyre.
Prononcimi i kryetarit të këshilltarëve bashkiakë të Tiranës, Leonard Olli:
“Pak minuta rreshje dëbore dhe shumë pak centimetra kanë mjaftuar për të bllokuar gjithçka në kryeqytetin e Shqipërisë.
Janë këto kushte që i nxorën bojën bashkisë virtuale dhe qeverisë së fasadave. Sot shumë nga kolegët tanë kanë monitoruar që në orët e para të mëngjesit trafikun në Tiranë dhe j’ua them me garanci skurse e ka pasqyruar dhe media. I gjithë qyteti ishte i ngrirë.
Jo vetëm që nuk u mor asnjë masë për të hedhur pak kripë sa për të penguar ngrirjen e të gjithë akseve qëndrore dhe sekondare në kryeqytet, dhe që qytetarët u përpoqën t’i zgjidhnin vetë, Veliaj, stafi i tij dhe sigurisht shefi Rama flinin gjumë dhe gëzonin ëndrrat se gjerat shkojnë shumë mirë.
Vetëm pak centimetra borë vunë jetën dhe pronat e qytetarëve në rrezik. Me dhjetëra aksidente automobilistike. Në orët e natës, mungesa e shtetit, mungesa e bashkisë është bërë shkak për dhjetra aksidente.
Mungesa e shtetit, mungesa e bashkisë është bërë shkak për paralizimin e plotë të transportit publik. Mungesa e bashkisë dhe papërgjegjshmëria kriminale e kryebashkiakut Velija gjunjëzoi kryeqytetasit në kushtet e një moti aspak ekstrem.
Imagjinoni sikur Tirana të ishte në kushtet e motit të një qyteti tjetër si psh Korça se çfarë do të ndodhte. Ndërkohë shumë jetë janë vënë në rrezik nga mungesat e urgjencave spitalore sepse mjetet e transportit të urgjencave nuk mundën të qarkullonin.
Dhe kur kjo situatë paralizuese ndodh në zemër të Shqipërisë imagjinoni se çfarë po kalojnë zonat e thella.
Ka vetëm një përgjegjës dhe ky është Veliaj, i cili në vend që të merret vetëm me administrimin e qytetit tenton duke vjedhur projekte duke riinaguruar punë publike të parardhësit të tij, të tentojë kreun e PS por sigurisht duke braktisur tërësisht besimin e qytetarëve të Tiranës që i dhanë për menaxhimin e qytetit.
I bëjmë thirrje bashkisë për të hedhur sa më parë kripë në rrugë dhe trotuare”.