Edi Rama vendosi veton në Komisionin e Reformës zgjedhore kundër votimit elektronik, duke vrarë kështu reformën zgjedhore.
“Me veton e sotme Partia Socialiste praktikisht ka vrarë Reformën Zgjedhore. Votimi elektronik, indentifikimi elektronik i zgjedhësve me shenjën e gishtit dhe numërimi i votave në mënyrë elektronike është thelbi i reformës zgjedhore për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, u shpreh Oerd Bylykbashi pas mbledhjes së Komisionit.
Votimi elektronik dhe numërimi elektronik largon partiakët dhe militantët nga procesi i numërimit dhe rezultati i zgjedhjeve del menjëherë dhe i pamanipuluar. Votimi dhe identifikimi elektronik i votuesve me shenjat e gishtit, shmang votimin me karta fallso apo votimin disa herë të të njëjtëve persona, apo mbledhjen/blerjen e kartave te identitetit, që zgjedhësi të mos mundet të votojë. Votimi elektronik bën të mundur që cdokush të votojë, dhe askush të mos votojë në emër të dikujt tjetër. Numërimi elektronik shmang futjen e duarve në kutinë e votave, shmang presionin dhe blerjen që i bëhet votës përmes mjeteve të identifikimit.
“Ky është thelbi i reformës zgjedhore, së bashku me dekriminalizimin dhe financimin e partive”, tha zoti Bylykbashi. Pa votimin elektronik nuk ka reformë zgjedhore, ajo kthehet në një farsë, theksoi ai.