Të nderuar kolegë!
Të nderuar qytetarë që ndiqni “gjithë sy e veshë” seancat tona plenare, me shpresën e madhe se ketu, ne të mblidhemi, të diskutojmë dhe miratojmë ligje të rëndësishme për jetët tuaja, ekonominë e vogël të cdo familje tuaj, por edhe ekonominë e madhe të këtij vendi, që po bën mbi 3 vite që po lëngon.
Por për fatin tuaj të keq, ne shumë herë kalojmë ligje që vërtet i kemi detyrime kombëtare për transpozim, por implementimin e tyre nuk e besojnë tashmë as vetë ministritë që i sjellin këto akte për miratim, e jo më ju.
Dhe ja ku kemi për diskutim projektligjin për sigurinë kibernetike.
Pyetjes së thjeshtë se sa të sigurtë jemi të gjithë ne, si përdorues të rrjeteve të komunikimit dhe shkëmbimit të informacionit, vetë ministria e linjës apo “qeveria e epokës dixhitale” nuk mund ti përgjigjet.
Dhe a e dini pse?
Sepse janë vetë keta që rrëmojnë përditë në të dhënat tona personale, abuzojnë me to, në emer të programeve dhe e-platformave dhe kur dalin zbuluar, gënjejnë pa pikë turpi se po përpiqen të përmirësojnë jetët tona nëpërmjet përmirësimit të shërbimeve online, sic ishte rasti I denoncimeve te shume perdoruesve cellular per sms-te e cuditshme te derguara nga nr 50505 qe i perket AKSHI-t.
Jo zotërinj, nuk ju beson kush më, ju e as sigurisë tuaj.
Përvec kësaj, në situatën që ndodhemi, ngutja për të sjellë vetëm të tilla akte, unë e shoh si një devijim të shtuar të axhendës parlamentare, në një kohë kur politika dhe Parlamenti gjenden në udhëkryq të madh.
Jemi në prag të nisjes së fushatës zgjedhore dhe Shqipëria është pa ligj zgjedhor.
Po, po, pa ligj zgjedhor, përsa kohë që votën nuk e mbron dhe nuk e siguron të jetë e lirë, baza ekzistuese ligjore dhe për më tepër institucionet e këtij shteti dhe mazhorance që kanë dalë vetë nga një process i deformuar dhe i kundërshtuar zgjedhor.
Ne diskutojmë apo hartojmë ligje për siguri kibernetike, ndërkohë që qeveria e vjedh dhe e blen votën në mes të ditës, në mënyrë mekanike, me duar, me pusulla letrash që kërcënojnë mësues, infermierë apo njerëz të administratës për heqje nga puna, që i mashtrojnë qytetarë më para, me pagesë të faturave apo fletoreve të borxheve apo edhe më keq, me thasë me miell dhe ushqime që të kalojnë disa javë me bukë.
E për ta bërë këtë, të paktën në dy zgjedhjet e fundit, nuk i është dashur as një kompjuter, asnjë specialist IT-je, asnjë platformë dixhitale, sepse paraja blen cdo gjë ndërsa kësaj radhe hashashi do të cajë bllokadën.
Më tej se paradoksale tingëllon ky diskutim i yni për siguri kibernetike, në një vend ku shteti nuk siguron dot vullnetin e lirë të njerëzve të shprehur nëpërmjet votës, apo edhe më rëndë cënon jetët fizike të komisionerëve apo të vetë votuesve.
Zotërinj, siguria më jetike për shqiptarët sot nuk është ajo kibernetike por siguria e zgjedhjeve dhe kjo siguri lidhet vetëm me një masë, ky është votimi elektronik.
Ja pra ku është rasti që kauza madhore e ruajtjes e moscënimit të votës dhe demokracisë së zgjedhjeve të dëshmojë edhe një dimension po kaq të kërkuar të BE që është siguria e shërbimeve elektronike.
Edhe pse po përpiqeni me cdo mjet për ta shitur ndërkombëtarisht si kapricio të opozitës, cështja e votimit elektronik në thelb është ndërgjegja juaj e shprishur.
Ju sëmureni nga vota e lirë, nuk e mbështesni dot atë sepse në themel të cdo qeverie të majtë që nga viti 1945 ka qënë dhuna dhe manipulimi.
Ju i trembeni Lirisë dhe nuk pajtoheni me vlerat e saj.
Por kësaj radhe presioni sa vjen e rritet nga Brukseli dhe kancelaritë e tij, për zgjedhje të lira e të ndershme, për dekriminalizim, për reformën në drejtësi.
Koha nuk pret dhe Evropa kërkon nisma reale prej jush që të finalizohen me rezultate konkrete, të cilët kanë vetëm një emërues të përbashkët, një qëllim-zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Por këtë proces e siguron dhe na i garanton tashmë vetëm dhe vetëm teknologjia.
Nuk mund ti lemë më votat e shqiptarëve në dorë të hajnave dhe të paaftëve që duan të mbajnë pushtetin për hir të babëzisë së tyre që po mban peng Shqipërinë e po degdis rrugëve të botës dhjetra e mijëra të rinj, fëmijë, burra e gra shqiptare.
Edhe pse pa dëshirë, e keni përcjellë edhe ju, Rezoltën e Partive Popullore Evropiane e cila shprehu zyrtarisht shqetësimin për ngërcin e Reformës Zgjedhore dhe mbështeti publikisht qëndrimin e Opozitës për zgjidhjen e kësaj situate.
Kolegë,
Nëse Shqipëria renditet në një nga vendet konkuruese në Rajon përsa i përket qasjes në internet dhe përdorimit të tij, kjo është falë aftësive dhe meritë e shoqërisë sonë dhe më së shumti të të rinjve me potenciale dhe vullnet.
Është e njohur tashmë ndërkombëtarisht intuita dhe zhvillimi I shqiptarëve me aftësi teknologjike, ku shpesh janë bërë modele suksesi në shkencë.
Por ky dimension nuk lidhet kurrsesi me deklaratat patetike të qeveritarëve të sotëm që flasin për platformë dixhitale, shërbime online dhe përralla si këto, kur në fakt realiteti është ai i qiriut për dritë, është ai i shkrirjes së borës për të patur ujë në zonat e thellë, realiteti është ai i hapjes së rrugëve me lopata si në fillimet e shekullit të kaluar, ku ekzistonin vetëm qerret e kuajt dhe jo mjetet e transportit dhe i cdo mjerimi tjetër që u bë më i prekshëm dhe më i dukshëm si asnjëherë më parë në këto 26 vite liri, pikërisht në këtë janar të acartë që ngriu Jugun dhe Veriun e vendit.
Madje për të thënë të drejtën, mua i vetmi shërbim që më rezultoi se funksionoi korrekt dhe profesional në këtë shtet ishte vetëm ai i kompanive celulare, të cilat të paktën bënë të mundur komunikimin me zë dhe figurë nëpërmjet internetit, nëpërmjet së cilave banorët e zonave të thella sinjalizonin rast pas rasti për situatën emergjente apo raportonin mungesën e ndihmës me ushqime dhe medikamente, duke nxjerrë bllof gjithë makinerinë e propogandës së kësaj qeverie që vetëm shfaqej në ekrane, por jo në terren.
Edhe ky Parlament, sikurse edhe në krizat e tjera që kanë kaluar shqiptarët në këto 4 vite, ishte me pushime të gjata, kur Rama e Veliaj nuk munguan asnjë natë në paradat televizive, por në realitet, lanë edhe një herë shqiptarët në mëshirë të fatit dhe në dorë të Zotit.
Pati 7 viktima, njerëz të moshuar që mbetën të ngrirë në rrugë, dhe askush prej jush nuk tha dy fjalë, pati fëmijë që humbën jetën nga gripi, ndërsa kryeministrin që e cudit kërkesa për votim elektronik, flet për recetë elektronike.
Po si mund të flitet për receta elektronike në një vend kur një kryefamiljar vret veten, se nuk paguan dot faturën e papërballueshme te dritave, ndoshta edhe të deformuar nga vetë OSSHE, sikurse ka ndodhur ne muajt e fundit me abuzime, mbifaturime, faturime fiktive, ne qytete e fshatrat e Veriut e të Jugut?
Sot kam në dorë disa fatura nga mbi 500 ankesat që janë depozituar pranë OSHE Tropojë, në lidhje me problemet me energjinë, abuzimet me mbi faturime, më shumë Kw mbi normën, faturime fiktive për të ulur humbjet që kanë shkuar mbi 85% dhe për të mbuluar paaftësinë e drejtuesve.
Hajdutët me çizme kanë futur në faturat e nëntorit dhe dhjetorit 2016 edhe në fshatrat e Tropojës, nga 30 kw “Konsum i Perbashket” sikur jane banor pallati dhe përdorin ashensor apo kanë ndricim rrugor në fshatra ku edhe ato rrugë dhe ura lidhëse që ishin i dëmtuan rreshjet dhe acari.
Lëre pastaj ndërprerjet e gjata apo raste si ai i fshatit Prifç ku 7 familjet që kanë mbetur aty janë me mbi 7 ditë pa drita sepse është djeg transformatori!!!
Raste të tilla ka plot por askush nuk merr masa as kur ka vetflijime nga stresi dhe pamundësia.
Kolegë!
Jemi në sesionin e fundit të kësaj legjislature.
Ka mbetur dhe aq kohë sa për të dëshmuar se keni një vullnet dhe dëshirë qënësore për të mos rrezikuar demokracinë dhe Parlamentin.
Garancia mbetet VOTA.
Nuk ka më kuptim që një vend anëtarë i NATO-s dhe me statusin e Kandidatit të mos ngrejë institucionin qëndror të demokracisë VOTEN.
Vetëm nga liria e saj buron liria e të gjithëve ne, e fëmijëve tanë dhe e zhvillimit të këtij vendi që aspiron BE.
Faleminderit!
Fjala ne Kuvend e deputetes Mimoza Hajdarmataj, 26 Janar 2017