Qindra fermerë të Lushnjës mirëpritën kreun e demokratëve Lulzim Basha në krah të rrugës nacionale në fshatin Grabian.
Revolta e tyre ndaj qeverisë ishte e madhe pasi nga qeveria nuk kanë asnjë përkrahje. Asnjë subvencion, asnjë investim në bujqësi, çmimet janë rritur e bashkë me to dhe kostoja e prodhimit. Fermerë thanë se për të tretin vit nuk shesin dot prodhimet dhe varfëria është rritur.
“Vjet vajti uji 1 metër në shtëpinë time në Çermë. Na tha që do u dëmshpërblej por na dha veç një batanije dhe 4 kile makarona”, u shpreh një fermer.
“Kam votuar gjithnjë PS-në dhe kjo është hera e parë që do votoj PD-në. Kanë 4 vjet që më kanë hequr pensionin. Unë jam invalid dhe nuk punoj dot”, tha një tjetër banor i zonës.
Lideri i opozitës tha se mosmbajtja e premtimeve dhe përfitimet nga korrupsioni janë arsyet se pse Edi Rama nuk do zgjedhje tw lira dhe tw ndershme.
Lulzim Basha ftoi fermerët lushnjarë dhe të gjithë Shqipërisë për tu bashkuar më 18 Shkurt në protestën e madhe kundër kastës së korruptuar. Basha tha se 18 Shkurti është dita për të nisur rrugën e kthimit te pushtetit tek qytetarët.
“ 18 Shkurti është dita kur ngrihemi bashkë në Tiranë për të marrë një vendim të madh; zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe përmes tyre një qeveri që garanton shërbimin ndaj jush. Një qeveri që nuk i braktis qytetarët por ju shërben atyre. Beteja është të largojmë këtë kastë të korruptuar që ka kapur për fyti Shqipërinë dhe pas 25 viteve ti japim më në fund Shqipërisë një qeverisje të qytetarëve, një qeverisje që arrin ta mbështesë fermerin, me investime, me hapësirë dhe liri në treg. Sot nuk ka liri fermeri të tregtojë atë që prodhon. Nuk ka liri sepse shteti është kthyer në xhandar, në gjobitës, në zhvatës. Populli ngrihet, ne ngrihemi, bashkë do ngrihemi me 18 Shkurt. Ju jap fjalën që nuk do tërhiqemi derisa të diktojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Basha.
Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 8 Shkurt 2016