Dita e gjashtë e protestës në çadrën e lirisë u bë arena e bashkëbisedimit mes qytetarëve, aktivistëve të shoqërisë civile dhe të zgjedhurve vendorë  të cilët ringritën shqetësimin për ndërtimin në Durrës mbi vepra arkeologjike me vlerë historiko-kulturore. Kryedemokrati Basha i ftoi të gjithë të shprehin problemet dhe mendimet e tyre në atë që e quajti: parlamenti i qytetarëve.

Flamur Pala, aktivist i shoqërisë civile e quajti ndërtimin në sheshin Veliera si problem i të gjithë shqiptarëve, e jo vetëm durrsakëve.

“Mbi dritën e diellit po bëhet një shkelje nga kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako. Nuk na duhet një velë betoni 2000 metra katror ndërkohë që Durrësi po qelbet nga mbeturinat dhe ujërat e zeza dhe mungesa e infrastrukturës. Zgjedhjet e lira që ne kërkojmë sot shpëtojnë çdo shqiptar. Vota e lirë i shërben të ardhmes tone”.

Për Ardian Mukën, urbanist dhe anëtar i këshillit bashkiak, ndërtimi në Durrës vjen për shqiptarët si shkatërrim në tre plane.

“Shkatërrim në plan arkeologjik, shkatërrim i planit historiko-kulturor dhe në planin urbanistik. Në Durrës, kryebashkiaku Dako ka shkelur dy Vendime të Këshillit të Ministrave sepe po ndërton në zonën A dhe B të cilët konsiderohen të mbrojtura dhe ndërtimi mund të bëhet vetëm me monitorim të rreptë. Ndërkohë për sheshin Veliera gërmimet bëhen me fadroma dhe eskavatorë duke shkatërruar qytetin, arkelologjinë dhe ekonominë e qytetarëve.”

Vaso Papaj, arkitekt, e quajti gropën e gërryer në Durrës si gropën politike të Vangjush Dakos.

Sazan Guri i cilesoi qytetarët pjesmarrës në bashkëbisedim si qytetarë europianë. Duke iu referuar vendimit të Gjykatës Adminsitrative për pezullimin e menjëhershëm të punimeve në sheshin “Veliera” në Durrës, Guri problemin e sheh jo në plan emrash nominal por në rang institucionesh. “Si mundet një institucion të shkelë dokumentat e shtetit. Kemi ardhur këtu të formojmë një epokë të re më të madhe se vettingu.Shoqëria civile mund t’i nisë protestat por vetëm ju, të zgjedhurit, mund t’i çoni deri në fund.”

Aluon Kalaja aktivist, kujtoi për qytetarët protestat e organizuara nga shoqëria civile kundër shkatërrimit të historisë dhe arkeologjisë në Durrës, të dështuara për shkak të presionit qeveritar. “Sheshi dhe rruga i takon qytetarëve. Rama të heqë dorë njëherë e përgjithmonë nga betoni. Edhe një thirrje për të gjithë ju këtu. Peshku qelbet nga koka”.

Për Lorisa Yllin, aktiviste e shoqërisë civile, trokitja në dyert e isntitucioneve për të gjetur drejtësi për këtë shkatërrim që po ndodh ka qënë e pavlerë. “Rama flet për vetting, ndërsa vendimi i Gjykatës Adminsitrative për “Velierën” po shkelet. Kush ka të drejtë të mbrojë vendimin e gjykatës? Ajo është detyrë e shtetit”.

Lulzim Basha theksoi se rëndësia e votës së lirë dhe të ndershme përforcohet me shembullin e Durrësit

“Durrësi sot është një qytet ku shëndetësia është përtokë, ku nxënësit studiojnë në kushte të mjerueshme, ku ndihma ekonomike i jepet vetëm një numri shumë të vogël familjesh, ndërkohë që mijëra familje që kanë nevojë për këtë ndihmë, nuk e marrin. Të gjitha këto, janë derivat i zgjedhjeve  të shkatërruara të vitit 2015 ku Vangjush Dako me bandat mori Durrësin. Ja çfarë ndodh kur kapen zgjedhjet. Kjo është një orë e madhe e zgjimit kombëtar, është një orë zgjimi për Durrësin, është një orë zgjimi për gjithë Shqipërinë është një vendim i pakthyeshëm”, tha Lulzim Basha.


Njoftim per shtyp, 23 Shkurt 2017