I nderuar zotni kryetar!
Të nderuar kolegë!                                                                                                                                                                                                                                               Të nderuar qytetare e qytetarë!
Projektligji “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme” paraqet një nga detyrimet e Shqipërisë në kuadër të Traktatit, në kuadër të Strategjisë Evropiane për energjinë e gjelbër dhe Planit Kombëtar për Integrimin Evropian që përfshin masa afatmesme dhe afatgjata deri në vitin 2020, me synimin që Shqipëria të ketë përafruar plotësisht legjislacionin në përputhje me direktivat  e  BE-së për energjinë.
Ky projektligj është i mirëpritur, pasi sot bota e zhvilluar është fokusuar në gjetjen e mundësive të përdorimit të energjisë së rinovueshme. Edhe vendi ynë nuk mund të dalë nga ky kuadër. Deri në vitin 2020, afërsisht, diçka më pak se gjysmën e energjisë që konsumojnë, shqiptarët do të duhet ta sigurojnë nga energjia e rinovueshme. Ky është dhe një kusht i vendosur nga BE, i cili do t’iu sigurojë qytetarëve shqiptarë kosto më të ulët të energjisë dhe një mjedis më të pastër dhe pa ndotje.
Miratimi i këtij projektligji do të përbënte një kontribut konkret  për mbështetjen e një politike kombëtare për nxitjen, promovimin dhe përmirësimin e përdorimit të energjisë së rinovueshme për:
– rolin e madh të prodhimit të energjisë elektrike me burime të rinovueshme;
– vendosjen e skemave mbështetëse për prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme në shkallë të vogël;
– konsumin e burimeve të energjisë të rinovueshme në masën 38% në vitin 2020;
– diversifikimin e burimeve të rinovueshme në vend, jo vetëm nga burimet hidrike, por edhe nga era, dielli, biomasa dhe energjia gjeotermale;
– përdorimin e burimeve vendase të energjisë, në veçanti në zonat e largëta, duke hapur vende pune dhe përmirësuar standardet e jetesës.
Megjithëse Shqipëria konsiderohet si një nga vendet me kosto të ulët të prodhimit të energjisë, sipas studimeve, mungesa e burimeve alternative bën që të ketë humbje deri në 50-70/MWh (megavat për orë), shifër kjo shumë më e lartë se në BE. Sa i përket objektivit të vënë nga Bashkimi Evropian, realisht, vendi nuk do të mund të arrijë synimin e përcaktuar prej 38% deri në vitin 2020. Së pari, nuk kemi ende kapacitete të instaluara të energjisë diellore dhe asaj nga era, siç orienton direktiva evropiane, dhe së dyti, shumë investime janë realizuar në këtë fushë, janë bërë pa ekspertizën  e specialistëve dhe pa plane teknike dhe financiare. Por pavarësisht kësaj, projektligji që na paraqitet sot vjen edhe me një sërë problemesh që në vend që t’i zgjidh ia shton këtij sektori të rëndësishëm.
Siç e ka vënë në dukje edhe Shoqata Shqiptare e Energjisë së Rinovueshme ky projektligj nuk jep garanci nga institucionet e tjera shtetërore që rregullojë funksionimin e prodhimit të energjisë së rinovueshme. Në mjaft pika është i paqartë dhe evaziv. Kështu më konkretisht, nëse në pikën 8 të nenit 9,  thuhet se “Mbështetja pёr prodhuesit e energjisë së rinovueshme jepet në çdo rast, deri në vetёshlyerjen e plotë të impiantit.” Por kësaj pike që shpreh parimin, kur vjen puna tek pikat që japin zbatimin e ligjit, shtohet  pika 3 e nenit 22, ku shprehimisht thuhet se  çmimi “merr në konsideratë një kthim të arsyeshëm të vlerës së investimeve”.
Nuk e di sesi mund të përkthehet në zbatim një ligj që thotë “marr në konsideratë”, apo
ç’ masë shlyerje është  “kthimi i arsyeshëm i vlerës së investimit”?
Aq më tepër kur flasim për një përafrim me direktivat e Bashkimit Evropian,  investitorët e huaj dhe shqiptarë kanë kërkuar vazhdimisht zbatimin e direktivës europiane për përcaktimin e çmimit, e cila përcakton “kthim të plotë të investimeve dhe një fitim të arsyeshëm”.
Projektligji parashikon gjithashtu për të gjithë prodhuesit e vegjël të energjisë me një kapacitet deri në 2 MW, të cilët nuk do të jenë pjesë e skemave mbështetëse, por do të paguhen sipas një çmimi të bazuar në një metodologji të propozuar nga ministri dhe Këshilli i Ministrave.
Në pikën 2 të nenit  22, thuhet se “Çmimi i blerjes së energjisë elektrike nga prodhuesit me pёrparёsi, tё cilёt kanё marrë certifikatën e pranimit të veprës të centralit elektrik brenda datës 31 dhjetor 2017 dhe të cilët nuk janë bërë pjesë e skemës mbështetëse sipas kontratës për diferencë, llogaritet nga ERE, nё pёrputhje me metodologjinё e miratuar nga Kёshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit.”
Por kjo pikë ngre dhe pikëpyetjet më të mëdha. Pse nuk duhet ta përcaktojë qartësisht ligji, por duhet lënë metodologjia e përcaktimit të çmimit në dorë të ministrit a këshillit të ministrave? Kjo mënyrë nuk jep asnjë siguri nëse ndërtuesve të impianteve të energjisë së rinovueshme do t’u kthehen paratë e investimit të tyre. Gjithashtu, kjo pikë lë shteg për abuzime, duke u hapur rrugë praktikave korruptive, për të cilat dita-ditës po tregoni se jeni mjeshtra të mëdhenj. Po ashtu, presioni i qeverisë mbi investitorët do të rritej, sepse ekzekutivi do të kishte nën kontroll të plotë financat dhe fatin e tyre.
Siç thuhet edhe në relacionin shoqërues të projektligjit të paraqitur sot, ky projektligj i afrohet në masën 45% me legjislacionin përkatës evropian të cilit i referohemi, dhe praktikisht merr në konsiderate vetëm hidrocentralet e vogla dhe tarifën e stimuluar, duke përcaktuar KESH-in si blerësin e vetëm të energjisë elektrike. Asnjë nga vendet e rajonit nuk e aplikon këtë model, dhe si gjithmonë qeveria jonë kërkon të eksperimentojë. Një projektligj që duhej të sillte një vizion të së ardhmes, na vjen i cunguar dhe evaziv, por dhe i pavlerë për kohën dhe realitetin ku jetojmë, ku shumica e ndërtesave në Shqipëri nuk kanë ngrohje qendrore dhe faturat e kripura të energjisë elektrike rëndojnë si asnjëherë mbi xhepat e shqiptarëve. I keni masakruar qytetarët me faturat e dhjetorit. E në këtë sfond, duke kujtuar se afro 35% e energjisë elektrike humbet në rrjet, ky projektligj duket  edhe më gjysmak.
Por të diskutosh sot për ruajtjen dhe rinovimin e energjisë, kur shteti nuk po ua ruan as jetët e as shtëpitë, është me të vërtetë e tepërt. Të diskutosh për energjinë e rinovueshme në një kohë që shoqëria shqiptare përballet si asnjëherë me problemet më të rënda; me drogën, me krimin, me varfërinë është jashtë çdo logjike, sidomos përpara këtij kabineti qeveritar.
Nga ajo çfarë po shohim dhe dëgjojmë dita ditës, s’ ke sesi mos ta pranosh se kemi qeverinë më të turpshme dhe më qesharake që duhet të ketë ekzistuar ndonjëherë. Si mund të flasim për ligje sot kur mëson se kryeministri fallsifikon vendimet e këshillit të ministrave.
Marrin vendime mbi mbledhje të pabëra, i japin koncesione tarafit të tyre, dhe këtë fakt e deklarojnë ministra dhe ish ministra të këtij kabineti, duke na treguar sesa fort është e lidhur me krimin kjo qeveri, por edhe me sa arrogancë sulmon këdo që guxon të përmendë apo kritikojë lidhjet e krimit me qeverinë dhe korrupsionin e kapjen e saj.
Si mund të flitet sot për ligje, kur prej vetë eksponentëve të saj mazhoranca na del të jetë veçse një aleancë interesash private dhe kriminale dhe qeveria e saj mbahet në këmbë me anë të krimit dhe parasë që vjen prej tij?
Besoj se këto ditë çdo qytetar i këtij vendi e ka të qartë pse kjo mazhorancë nuk pranon marrjen e përgjegjësive për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Kjo është arsyeja e vetme pse nuk pranojnë votimin elektronik, pasi e kanë gati skemën kriminale të përdorimit të trafikantëve të drogës, të policisë tutore të kanabisit, të administratës me militantë që sillet si bandë për zgjedhjet.
Meqë në vitet 90 nuk u frymzuam nga Romania, dhe ky ishte një gabim fatal i joni, me 18 shkurt duhet të mbushim sheshet siç po bëjnë sot romunët për motive shumë më të dobëta se këto tonat.  Vetëm jashtë zyrave të qeverisë janë mbledhur rreth 200 000 protestues, protestë e cila po zhillohet edhe në qytete të tjera.
Në protestën e 18 shkurtit , që do të jetë vetëm fillimi, ftoj edhe ish ministrin dhe çdo të majtë pertej bindjeve politike.
Në atë shesh duhet të jetë çdo shkodran, çdo shqiptar.
Jeta ime akademike më ka afruar me të vërtetën më ekzakte, me matematikën. Jeta ime e shkurtër në politikë sot më ka afruar me një të vertetë po aq ekzakte sa 1 dhe 1 bëjnë 2, që kjo nuk është qeveria që meritojnë shqiptarët.
Faleminderit!


Fjala ne Kuvend e deputetes Irma Kopliku, 2 Shkurt 2017