Enkelejd Alibeaj për mosparaqitjen e deputetit të Edi Ramës në prokurori për të dhënë shpjegime
“Çdokush, që dje, është i informuar se deputeti i Edi Ramës, Alfred Peza i është shmangur prokurorisë. Ka shpërfillur kërkesën e prokurorisë për tu paraqitur para saj dhe për të dhënë shpjegime, për t’iu nënshtruar kështu drejtësisë.
Në qoftë se kjo është mënyra sesi mazhoranca sesi ky deputet, sesi Edi Rama, koncepton reformën në drejtësi atëherë të gjitha përgjërimet, të gjitha përbetimet për reformën në drejtësi, për drejtësinë e re, nuk janë gjë tjetër veçse një hipokrizi.
Nuk mund të ketë një drejtësi të re, e cila të funksionojë për të tjerët dhe të mos funksionojë pikërisht për ata të cilët e votuan, një prej të cilëve është dhe deputeti Alfred Peza.
Në këtë situate, thirrja jonë shkon më së pari për Edi Ramën, për Kryeministrin, për atë që prej kohësh përbetohet dhe predikon se është njeriu, i cili ka marrë flamurin për drejtësinë e re. Eshtë ai i cili duhet sot, tani, të dorëzojë deputetin e vet para drejtësisë. Të mos bëhet një pengues i kësaj drejtësie të re.
Thirrja e dytë shkon pikërisht për ata, partnerët ndërkombëtarë, ata të cilët me shumë përkushtim, me shumë insistim e shoqëruan, ndikuan që kjo drejtësi e re të bëhej, që të ndikojnë tek Edi Rama. Të ndikojnë që ai të detyrohet ta çojë dhe ta dorëzojë deputetin e vet para drejtësisë.
Thirrja tjetër shkon pikërisht për atë, deputetin Alfred Peza, i cili është mburrur gjatë gjithë kësaj kohe se ka votuar reformën në drejtësi, shkon për atë që ka votuar pikërisht reformën në drejtësi, dhe për të gjithë deputetët e tjerë, që ta detyrojnë atë të shkojë dhe të dorëzohet para drejtësisë.
Në qoftë se kjo drejtësi e re është për disa dhe nuk është për disa të tjerë që qëndrojnë mbi ligjin, si deputeti i Edi Ramës, Alfred Peza, atëherë kjo nuk është drejtësi e re, kjo nuk është reformë e re. Ky është thjesht dhe vetëm sundim. Dhe sundimet kanë vetëm një përgjigje, sundimet kanë pikërisht përgjigjen që populli u rezervon. 18 shkurti është pikërisht momenti kur populli duhet të mblidhet dhe ka një arsye më tepër që të vendosë drejtësinë e vet. Të gjithë në 18 shkurt edhe për këtë arsye”.