Të dashur qytetare dhe qytetarë,

Anëtarë të këtij Parlamenti të vërtetë të Shqipërisë ku po ushtrohet prej gjashtë ditësh demokracia direkte, demokracia direkte, sepse krimi dhe droga kanë asgjesuar institucionet e tjera të shtetit. Sot nuk ka dy parlamente, por një parlament dhe ai ndodhet këtu në këtë Shesh të Lirisë me çdo qytetar, përfaqësues i drejtpërdrejtë i zërit dhe vullnetit të tij. Godina që i thotë vetes Parlament, është sot streha më e qartë e krimit, korrupsionit, mashtrimit dhe maskarallëkut.

Mbrëmë i bëra një thirrje çdokujt, duke përfshirë edhe ata deputetë të së majtës që kanë një fije ndërgjegje dhe një fije kurajo, që ashtu si shqiptarët vranë frikën dhe u bashkuan të vijnë këtu në këtë parlament të vërtetë, të mos rrinë në strofullën e krimit, të mos i bëjnë fresk krimit, të mos bëhen pjesë e parlamentit fasadë dhe e demokracisë fasadë.

Kjo thirrje qëndron.

Qytetarët shqiptarë janë ngritur njëzëri, kanë marrë një vendim dhe vendimi është që nuk do të ketë më kthim mbrapa në demokraci fasadë, në parlament fasadë, me zgjedhje fasadë të diktuara nga krimi, të diktuara nga bandat, të diktuara nga droga.

Dua të përshëndes të gjithë qytetarët e Durrësit, të cilët e kanë përdorur këtë parlament të vullnetit popullor sot për të denoncuar me fakte, për të denoncuar dhimbjen e madhe që ky qytet ndjen. Sepse ka rënë peng i bandave, ka rënë në mëshirën e bandave të cilat kanë emëruar në krye të punëve Vangjush Dakon, si përfaqësues dhe si menaxher të aferave të pista të krimit të organizuar.

E kanë emëruar bashkë me Edi Ramën për t’iu shërbyer interesave të tyre dhe prandaj sot Durrësi është një qytet ku papunësia është ndër më të lartat në Shqipëri. Prandaj Durrësi sot është një qytet ku shëndetësia është përtokë. Prandaj Durrësi është sot një qytet ku nxënësit studiojnë në kushte të mjerueshme, ku ndihma ekonomike i jepet vetëm një numri shumë të vogël familjesh, ndërkohë që mijëra të tjera që kanë nevojë për këtë ndihmë, nuk e marrin. Eshtë një qytet i mbi faturuar, i shkatërruar me këto gjoba energjie e uji. Eshtë një qytet tipik i menaxhuar nga mafia, ku miliona euro beton hidhen për fasada, ndërkohë që qindra-mijëra familjarë, çifte të reja nuk marrin dot kredi për strehim social. Të gjitha këto janë derivat i zgjedhjeve të shkatërruara të vitit 2015 ku Vangjush Dako me bandat mori Durrësin.

Ja çfarë ndodh kur kapen zgjedhjet, ja çfarë ndodh kur krimi dikton zgjedhjet. Kjo është një orë e madhe e zgjimit kombëtar, është një orë zgjimi për Durrësin, është një orë zgjimi për gjithë Shqipërinë është një vendim i pakthyeshëm. Kurrë më zgjedhje të kapura dhe të prishura nga krimi! Kurrë më zgjedhje me bandat! Vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme që nisin me largimin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij të inkriminuar e të korruptuar. Nisin me një pakt të madh kombëtar, për një qeveri të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Sot është një ditë e madhe për Shqipërinë jo vetëm sepse për të gjashtën ditë radhazi shqiptarët protestojnë pa pushim nga ky shesh i lirisë, por sepse anembanë vendit, frika po vritet, njerëzit po bashkohen, kurajo qytetare po ngrihet në nivele të papara e të padëgjuara që prej revolucionit demokratik të vitit 1990.

Kjo është një lëvizje e madhe popullore, është një lëvizje e madhe kombëtare, kjo është mbi të gjitha lëvizja juaj të nderuar qytetarë dhe qytetare të Shqipërisë. Dhe Partia Demokratike ka nderin të jetë pjesë, të jetë në ballë të kësaj lëvizjeje dhe të mos ju lërë në baltë, deri në përmbysjen e republikës së krimit, deri në përmbysjen e republikës së korrupsionit dhe ndërtimin së bashku të një republike të vërtetë demokratike të qytetarëve shqiptarë.

Kjo nis me zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për këtë nuk ka e nuk do të ketë asnjë kompromis, për këtë nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë negociatë, qeveri teknike ose populli do të qëndrojë këtu e do të përballet deri në largimin e qeverisë së bërë njësh me krimin.

Parlamenti i shqiptarëve, parlamenti i qytetarëve është këtu. Parlamenti i pastruar nga kriminelët dhe që i shërben me zërin e vet me vendimet e veta qytetarëve, është këtu.  Atje është vetëm shtëpia e krimit. Në shtëpinë e krimit ka vetëm deputetë kokëulur dhe deputetë që i shërbejnë fasadës. Në shtëpinë e lirisë cdo qytetar është përfaqësues sovran i popullit të vet dhe interesave të tij. Ndaj le ta kenë të qartë të gjithë ata që nuk e kanë dëgjuar zërin e popullit se tërheqje nuk do të ketë. Se nuk do të ketë asnjë hap mbrapa, se, ditë për ditë , ne do të avancojmë deri në fitoren e plotë të kauzës qytetare për zgjedhje të lira dhe të ndershme përmes largimit të kësaj qeverie, dhe vendosjes së një qeverie tjetër që i garanton ato. Ditë për ditë shqiptarët po bashkohen. Dua të përshëndes sot në mënytrë të vecantë marshin epik të banorëve të Zharëzës, të cilët po i afrohen ora orës Tiranës, po i afrohen ora orës sheshit të lirisë, parlamentit të qytetarëve shqiptarë, do ti mirëpresim këtu këta njerëz të vuajtur këta njerëz të nëpërkëmbur të zhvatur dhe të goditur rëndë nga arroganca nga korrupsioni dhe papërgjegjshmëria e kësaj qeverie. Por, do të mirëpresim kështu cdo qytetar që niset të bashkohet me këtë parlament të shqiptarëve, me këtë aulë dhe agorë të vërtetë të demokracisë shqiptare. Mbrëmë, Ambasadori i OSBE-së Bern Borshard më në fund lëshoi kushtrimin për kauzën që ne kemi ngritur tash 3 vite. 2 miliardë euro të pista për të blerë zgjedhjet e shqiptarëve. Para të pista, qeveri e pisët, lojë e lisët, zgjedhje të pista. Ne nuk do ta pranojmë kurrë. Koha ka ardhur që përballë banditëve të veshur me pushtet e pushtetit të përforcuar me banditë, të rreshtohemi të gjithë qytetarë të lirë të Shqipërisë, të rreshtohemi në këtë betejë për të sotmen e të nesërmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Dënglat e tyre se ata duan reformën në drejtësi, dhe ne nuk e duam, nuk i bëson më askush. Nuk ka zog gomari ti besojë. Nga vetingu i vërtetë dhe drejëtsia e vërtetë ka frikë Edi Rama, ka frikë Vangjush Dako dhe bandat e lidhura me to.

Sot, nga ky shesh dua tia bëj fare të qartë atyre dhe çdokujt që mund të ketë gënjyer. Partia Demokratike e bëri detyrën e vetë në Parlament. Ne e mbaruam detyrën tonë dhe jemi krenarë për ndryshimet kushtetuese që i hapën rrugë një drejtësie të pavarur që nuk mbron por lufton krimin dhe korrupsionin. Ishin ata që përjashtuan opozitën nga 7 ligjet duke thyer premtimin që dhanë përballë partnerëve tanë euroatlantikë. E përjashtuan me qëllim që të kapin institucionet e reja të drejtësisë. Sot, për këto institucione të reja të drejtësisë, kjo maxhorancë që e ka frikë reformën në drejtësi propozon 29 kandidatë për 27 pozicione. Pra nuk ka zgjedhje, ka emërime. Edi Rama dhe Ilir Meta duan ti emërojnë vetë në vend që të lejojnë zgjedhjen e më të mirëve e më të aftëve, më të pakorruptuarve për të ndërtuar drejtësinë që duan shqiptarët. A mund ta pranojmë ne këtë?! A mund të pranoni një drejtësi të kapur nga Edi Rama?! Kujt i shërben një drejtësi e kapur nga Edi Rama?! Kurrsesi nuk mund ta pranojmë, por nëse në të vërtetë janë ata që nuk kanë frikë nga Vetingu, ju them që menjëherë pas paktit për një qeveri të vullnetit të mirë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe pas korigjimit të 7 ligjeve sipas vërejtjeve konsensuale të opozitës, urdhëroni ta bëjmë vetingun e të shohim kush ka frikë nga drejtësia e pavarur. Kush ka frikë nga gjyqtarët dhe prokurorrët e pakapur?! Ata që e kanë lidhur fatin e tyre me bandat?! Ata që kanë vjedhur dhe shpërdoruar qindra e miliona euro në çdo sektor, apo opozita që e ka lidhur fatin e saj me fatin e qytetarëve shqiptarë?! Partia Demokratike do ta votojë dhe do ta çojë përpara reformën në drejtësi por vetëm sipas përcaktimeve europiane të Kushtetutës së Shqipërisë, sipas votës historike të 22 korrikut. Ne do ta hapim këtë rrugë bashkë me qytetarët shqiptarë. Nëse nuk tremben nga drejtësia e pakapur le ti hapin rrugë qeverisë teknike, le të ndryshojmë së bashku 7 ligjet që i bënë përshesh për të kapur drejtësinë dhe ne do të na kenë aty dhe bashkë me qytetarët shqiptarë do ta zgjidhim çështjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe çështjen e drejtësisë së vërtetë për qytetarët shqiptarë.

Qendresa jonë sapo ka filluar, beteja jonë po merr hov nga dita në ditë. Mbështetja për këtë betejë vjen nga e vërteta, se rrugë tjetër për Shqipërinë nuk ka. Rruga tjetër të çon në një republikë të kapur nga bandat dhe krimi ku çdo shqiptar do të jetë skllav i tyre. Se si funskionon kjo mund ta thotë mirë çdo durrsak. Durrësi është qyteti i parë që ka rënë peng i bandave dhe i krimit por Durrësi sot është këtu, Durrësi është gati, të ngrihemi të gjithë për të refuzuar republikën e krimit dhe për ti hapur rrugë të gjithë së bashku republikës së demokracisë së vërtetë, republikës së shtetit ligjor të vërtetë dhe drejtësisë së vërtetë.


Deklaratë e Lulzim Bashës sot në Sheshin e Lirisë, 23 shkurt 2017