Basha: Diskutuam për zgjedhjet e lira dhe të ndershme të cilat janë të kërcënuara nga krimi, korrupsioni dhe praktika e shëmtuar e shitblerjes së votës. Zgjedhjet kërcënohen nga mungesa me qëllim e reformës zgjedhore. Kërcënohen nga moszbatimi i ligjit për dekriminalizimin për të cilin zoti Fleckenstein ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Kërcënohen nga lirimi i bandave dhe i banditëve siç është pranuar edhe nga vetë anëtarë dhe ish anëtarë të kabinetit Rama, me urdhër kryeministror. Jemi pranë një situate kolapsi total të institucioneve. I vetmi që qendron në këmbë, është institucioni që është përgjegjës për kolapsin e institucioneve të tjera, që është qeveria e kryeministrit Rama. Dhe në këto kushte, i shpjegova vendosmërinë tonë, vendimin e madh që kemi marrë me qytetarët shqiptarë për të mos u sprapsur nga beteja për zgjedhje të lira dhe të ndershme përmes një qeverie të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, një qeverie teknike, ku partitë politike të shprehin vullnetin për të punuar së bashku për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo nuk mund të ndodhë me këtë qeveri. Kjo nuk mund të ndodhë me këtë kryeministër. Ndaj, Partia Demokratike dhe opozita është e bashkuar rreth këtij qëllimi. Eshtë e vendosur, të jetë me qytetarët shqiptarë, pranë qytetarëve shqiptarë deri në realizimin e këtij qëllimi. Këto janë çështjet që bisedova me zotin Fleckeinstein, duke shpjeguar natyrisht edhe rast pas rasti problematikën e thelluar të krimit, të drogës, ku vetëm javën e fundit shifrat janë të frikshme, të kapjes së drogës në Itali, e cila është një sasi e vogël e asaj që nuk kapet, të milionave e milionave në duart e krimit të organizuar të bërë njësh me pushtetin. Në këto kushte, nuk ka asnjë zgjidhje tjetër, përveçse një qeverie teknike që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe vendimin e opozitës për të mos qenë pjesë e një Parlamenti fasadë deri në momentin kur partitë politike në atë Parlament, por edhe partitë politike jashtë atij Parlamenti, të jenë pjesë e një pakti kombëtar për një qeveri teknike të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
-Zoti Basha si u prit fakti që ju keni bojkotuar jetën parlamentar, duke patur prasysh një deklaratë të mëngjesit të zotit Flecneiksein sipas të cilit do të ishte mirë që anëtarët e Parlamentit gjithçka ta diskutojnë në Parlament. Sa mund ta dëmtojë kauzën e opozitës për të kërkuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, debati i zhvilluar jashtë Parlamentit nga pikëpamja kushtetuese dhe politike gjithashtu…
Basha: Unë i komunikova zotit Fleckeinstein, jo thjeshtë vendimin e opozitës por edhe bindjen time të thellë se, me këtë Parlament të padekriminalizuar, në këtë Parlament fasadë, opozita nuk ka vend, sa kohë që prioriteti jetik i shqiptarëve për zgjedhjet e lira dhe të ndershme, është në rrezik. Ne do të kthehemi në Parlament vetëm në momentin kur të gjithë faktorët politikë do të marrin përsipër përgjegjësinë para shqiptarëve, për ti dhënë shqiptarëve një qeveri që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
-Cfarë tha zoti Fleckeinstein për këto kërkesa të opozitës për të negociuar në mënyrë që me mazhorancën së bashku të siguroni standardet që ju kërkoni për zgjedhjet e lira dhe të ndershme….
Basha: Zoti FLeckeinstein nuk ka ardhur në Shqipëri për të negociuar. Ai është këtu në cilësinë e raporterit për Shqipërinë. E falenderova për rezolutën e Parlamentit Europian, e cila flet qartësisht për drogën, për krimin e organizuar, për nevojën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për të ardhmen e Shqipërisë. Detyra ime, dhe kënaqësia ime, ishte ta informoja atë për zhvillimet e fundit, për qendrimet e opozitës dhe për vendosmërinë tonë për ti shkuar deri në fund kauzës kombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
-Sa mund ta pengojë reformën në drejtësi, fakti që opozita nuk do të jetë në Parlament duke patur parasysh dhe angazhimin maksimal të faktorëve ndërkombëtarë për të investuar në këtë reformë..
Basha: Partia Demokratike është krenare për kontribuitn që ka dhënë për reformën në drejtësi duke miratuar paketën kushtetuese për reformën në drejtësi. Mazhoranca Rama-Meta premtoi se 7 ligjet organike do të bëheshin me konsensus me opozitën. Ajo e shkeli konsensusin, të dhënë edhe ndaj partnerëve ndërkombëtarë, dhe sot nuk ka se si ta drejtojë gishtin nga opozita, sepse ne nuk u vetpërjashtuam. Ishte mazhoranca Rama-Meta që përjashtoi opozitën, në shkelje të premtimit të bërë nga hartimi i 7 ligjeve. Por sot, prioriteti jetik i shqiptarëve janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe rruga e vetme për të garantuar këtë si dhe për të garantuar kthimin e opozitës në Parlament, është një pakt kombëtar për një qeveri të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
-Por a do të pengohet reforma në drejtësi z.Basha duke patur parasysh afatet që përcakton reforma kusghtetuese…
Basha: Dua ta keni shumë të qartë, reforma u pengua në momentin kur 7 ligjet, në kundërshtim me premtimin dhe angazhimin e marrë para partnerëve ndërkombëtarë, u kaluan duke përjashtuar opozitën. Kur e përjashton opozitën, çfarë i kërkon pastaj? Ne jemi përjashtuar që prej shtatorit, nga ky aspekt i reformës në drejtësi, dhe sot, 4 muaj para zgjedhjeve, prioriteti jetik i shqiptarëve, garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kërkon që ky Parlament me opozitën brenda të marrë pikësëpari vendimin për një qeveri që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
-A do të pranojë PD zgjidhje tjetër përveç qeverisë teknike?
Basha: Jo. PD nuk mund të pranojë asnjë fasadë e cila do të sjellë përsëri zgjedhje të manipuluara, zgjedhje të kapura nga krimi. Zgjedhje me kriminelë ne nuk do pranojmë. Ky është një vendim jo thjeshtë i PD, jo thjeshtë i opozitës, është një vendim i madh i qytetarëve, një konsensus që sa vjen edhe rritet, që kalon kufijtë e PD apo të opozitës. Sepse zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe largimi i kriminelëve nga politika, jam i sigurtë është edhe aspirata e çdo socialisti dhe socialisteje të ndershme, dhe çdo shqiptari të ndershëm. Ndaj ne, nuk do pranojmë asnjë zgjidhje fasadë. E vetmja zgjidhje është një qeveri e vullnetit të mirë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ka dy rrugë: Ose do të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme përmes një qeverie që i garanton ato, ose populli e qytetarët do të vazhdojnë qendresën derisa kjo të bëhet realitet.
-Me opozitën apo pa opozitën..
Basha: Nuk do të ketë zgjedhje! Zgjedhje nuk do të ketë. PD, opozita nuk do të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve fasadë, nuk do të lejojë zgjedhje me krim, korrupsion dhe drogë. Ky është një vendim i marrë dhe ne kësaj do ti shkojmë deri në fund.