Pasditen e ditës së shtatë të protestës në sheshin e lirisë, Lulzim Basha bashkëbisedoi me artistët Agim Hushi, Raina Kovaçi, Edmond Zhulali dhe Agim Doci lidhur me presionin dhe padrejtësitë në vendin e punës. Artistët me radhë treguan përjetimet e tyre në fushën e krijimtarisë artistike të minuar nga mungesa e meritokracisë.

Për kryetarin Basha, qeveria e sotme i ka dhënë provat me kohë për vlerësimin për kriminelët dhe për goditjen dhe gjunjëzimin e njerëzve të vlerave.

“Për Ramën nuk mjaftojnë provat për Armando Prengën sepse e do Parlamentin me plehra. Nuk do asnjë provë për të hequr Zhulalin, Raina Kovaçin, vajzën e Ramiz Kovaçit. Asnjë provë për të përbuzur intelektualët. I vetmi faj i tyre është që nuk i mbushin dot xhepat e Ramës me para”.

Raina Kovaçi falenderoi për mundësinë e ngritjes së shqetësimeve në atë që e quajti kuvend të hapur.

“Mënyra e shkarkimit tim nga vendi i punës vjen si pjesë e metodave aq demode të kësaj qeverie, të cilët edhe pse të harruara prej kohe, tani na kujtojnë kohët e errta të atij regjimi të errët që kaloi Shqipëria. Jam munduar të çoj përpara emrin e Shqipërisë. Kur punova në RTSH u përpoqa ta ktheja dhe ta përmirësoja imazhin e vendit tim, por gjithë kjo punë nuk vlejti. Pas gjithë këtij mundimi më erdhi shkresa nga punëdhënësi. Jam shumë e indinjuar për këtë që më ndodhi dhe kjo është një mundësi shumë e mirë për të gjithë shqiptarët që të vijnë dhe të tregojnë problemet e tyre”.

Kryetari Lulzim Basha tha se edhe kur vjen puna tek arti kjo qeveri nuk heq dorë nga aferat dhe fasadat.

“Afera e Operës është një tjetër aferë që po luhet. A e dini sa shpenzon qeveria për fasadën e operës? 10 milion euro. Financon fasadat dhe vret shpirtin e operas që janë artistët”.

Edmond Zhulali e quajti protestën shtatë ditore të thirrur nga opozita si një lëvizje historike në funksion të votës së lirë ku problemet e shqiptarëve marrin zë.

“Jam këtu për të protestuar ndaj asaj pseudo reforme të nisur në RTSH, që nisi me largimin e tre muzikantëve që kanë dhënë një kontribut shumë të madh në televizionin shqiptar. Sot të gjithë janë nën frikën e largimit nga puna për shkak të kësaj reforme e cila nuk ka bazë profesionale. Njerëzit duhet të vijnë këtu për të mbrojtur veten e tyre. Natyrisht që këtë lëvizje do e udhëheqë një forcë politike, por kjo i ka kaluar përmasat partiake. Artistët bashkojnë gjithë shqiptarët. Ne artistët nuk jemi as të majtë e as të djathtë dhe është një privilegj që duhet ta shfrytëzojme”.

Tenori me famë botërore Agim Hushi, tha se t’i bashkohesh protestës qytetare sot, nuk i jep vetes ngjyrim partiak, por kombëtar.

“Unë sot nuk përfaqësoj ato qindra mijëra që mbushën sheshin në 18 shkurt. Unë sot përfaqësoj atë pjesë të njerëzve që mendojnë se 18 shkurti vazhdon dhe do të vazhdojë me misionin e asaj që zoti Basha dhe partia e tij i ka vënë si synim qytetarisë shqiptare”.

Ftesën Hushi ia drejtoi të gjithë shqiptarëve.

“Ftoj të gjithë ata që politikisht mendojnë ndryshe që të kuptojnë se sado të mëdha të jenë arritjet që demonstrohen nga pushteti i sotëm, ato të meta me të cilët shqiptarët ndeshen çdo ditë, është pikërisht ktu vendi për t’u dhënë zgjidhje. Kultura ka rënë në duar mjerane, kultura ka rënë në duart e atyre që janë pasionant të flasin për veten e tyre, por duke harruar ata që vëertetë bëjnë kulturën”.


Njoftim per shtyp 24 Shkurt 2017