Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në vijim të punimeve të kongresit të PPE në Maltë, u takua me drejtues të lartë të institucioneve europiane dhe udhëheqës politik të së djathtës.
Në takimin me Komisionerin e Zgjerimit, Hahn, z.Basha u ndal në zhvillimet politike në vend, ku theksoi se e vetmja rrugëdalje nga kriza, është krijimi i një qeverie teknike që do të krijonte kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme, duke zbatuar dekriminalizimin, duke luftuar krimin, drogën, paratë e pista që janë kërcënim i hapur ndaj votës së lirë, kjo e provuar në të gjitha zgjedhjet e zhvilluara në këto 4 vite me qeverinë Rama.
Po ashtu, Basha tha se kjo qeveri teknike do të kishte mbështetjen e plotë politike për të vijuar me zbatimin e reformës në drejtësi sipas ndryshimeve kushtetuese konsensuale të 22 korrikut.
Gjatë bisedës me kreun e Parlamentit Europian Antonio Tajani, basha nënvizoi rëndësinë që ka për të ardhmen dhe stabilitetin e vendit garantimi i standardeve për zgjedhjet. Basha ndau shqetesimin se në kushtet aktuale të krimit, drogës dhe parave të narkotrafikut me lidhje qeveritare, nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme.
Në takimin me nënkryetarin e grupit parlamentar CDU-CSU, Friedrih, u bisedua për gjendjen e rëndë të kriminalitetit në vend dhe daljen jashtë kontrollit të drogës e trafikut të saj, sipas dhe raporteve të fundit të Europol dhe Departamentit amerikan të Shtetit.
Në këto rrethana, kur qeveria është bërë palë me krimin, zgjedhjet janë të rrezikuara, tha Basha.
Në të gjitha takimet, Kryetari i Opozitës ka theksuar se beteja në Tiranë bëhet për standardet dhe vlerat e Europes dhe Bashkimit Europian, ne themel të së cilave janë zgjedhjet e lira e të ndershme. Shqiptarët meritojnë të njëjtin standard si qytetarët europianë, ka vënë në dukje Basha, duke gjetur përkrahjen e drejtuesve më të rëndësishëm të politikës dhe institucioneve europiane.
Njoftim per shtyp, 31 Mars 2017