E shoh që jeni plot me energji, plot me entuziazëm dhe me shpresë dhe kjo është e përligjur sepse kjo betejë çdo ditë i afrohet më shumë fundit të sigurtë, fitores së kësaj lëvizjeje, fitores së çdo shqiptari. Rama e ka prerë biletën. Nga dita në ditë mbështetja popullore dhe mbështetja ndërkombëtare për këtë lëvizje rritet, rritet dëshpërimi, rritet çmenduria e qeverisjes fasadë, një vendim të çmendur pas një tjetri. Vendimi për t’i propozuar shqiptarëve hetuesin e Sigurimit të Shtetit dhe njëkohësisht një nga njerëzit e lidhur me narkotrafikun ndërkombëtar të kokainës si ministër të Brendshëm është as më pak as më shumë se një akt lufte kundër opozitës, por në fakt kundër të gjithë shqiptarëve që duan zgjedhje të lira dhe të ndershme. Si mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme kur shkon nga shiu në breshër?

Kishe një ministër të përfolur dhe të dëshmuar, të bërë mish e thua me bandat kryesore të drogës do të sjellësh tjetër që përveçse është i lidhur vetë me krimin e organizuar dhe me drogës është po kështu xhelat i diktaturës më të egër, armikes më të egër të votës së lirë. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që ke vendosur me çdo kusht t’i shkosh deri në fund skemës tënde për të kapur e prishur zgjedhjet. Se zgjedhje të lira me xhelatët e diktaturës nuk ka e nuk mund të ketë. Atëherë nga ky shesh i përsërisim njëzëri mesazhin tonë se këtu do të ketë vetëm, zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe se qeverisë Rama, qeverisë së krimit dhe të korrupsionit, qeverisë së njollosur me xhelatët e diktaturës po i vjen fundi i sigurtë.

Sot, të gjithë keni parë raportin e Departamentit të Shtetit, i cili e ka rifutur Shqipërinë në listën e zezë të vendeve që pastrojnë paratë e pista të krimit, i cili e thotë hapur se Shqipëria është vend kryesor i trafikimit të drogës dhe i kultivimit të kanabisit. Raporti i Departamentit të Shtetit e thotë qartë se korrupsioni është galopant, kjo nuk është thjesht dhe vetëm një dëshmi më shumë e betejës dhe kauzës sonë si opozitë, por është njëkohësisht edhe një thirrje në radhë të parë ndaj shkaktarëve që t’i vënë gishtin kokës dhe në radhë të dytë ndaj qytetarëve që janë ngritur dhe nuk do të ulen deri në fitoren e kësaj kauze.

Segmentet qeveritare të futura në një sërë mediash janë bërë për hall dhe ndonjë media kryekëput qeveritare pasi zbuloi armiqtë e jashtëm në çadrën e opozitës ka zbuluar grup armiqësor edhe në Senatin amerikan. Pra, senatorët që kanë guximin t’i vënë gishtin këtij njeriu që ka ngritur në pushtet krimin dhe bandat e drogës dhe përgjegjës për korrupsionin e thellë qeveritar, mediat e kontrolluara po nga ky na i shpallkan armiq njësoj si para 27 vitesh. Njësoj si para 27 vitesh janë ngritur kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është i njëjti njeri i cili komprometoi rëndë dhe vuri në rrezik aleancën tonë strategjike me qëndrimet e tij të papërgjegjshme dhe klienteliste duke sulmuar një nga kandidatët në garën që u takonte vetëm shtetasve amerikanë. Kandidat, i cili sot është presidenti i SHBA, presidenti Trump.

Është po ky dhe askush tjetër që me paratë e drogës paguan çapaçulët për të gjetur grupe armiqësore në Senatin amerikan. Nuk është për të qeshur kur njeriu që e bën këtë ka akoma çelësat e këtij vendi, ku ndonëse shpresa që buron natë për natë nga ky shesh po futet në çdo shtëpi, në çdo familje, në zemrat e çdo shqiptari të dëshpëruar, prapë se prapë beteja nuk është përmbyllur ende. Në këtë betejë, ditë për ditë vijnë mesazhet e mbështetjes të miqve të vërtetë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Sado të manipulojnë, sado të dezinformojnë me milionat e drogës u bëj thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë në institucionet e Europës të hapin sytë sepse gojët që i dezinformojnë nuk janë thjesht gënjeshtarë, por janë të paguar të drogës dhe narkomafias shqiptare me në krye Edi Ramën. Prapë se prapë nuk e ndalin e nuk do ta ndalin lumin e shpresës që buron nga ky shesh i lirisë, nuk e ndalin e nuk do të ndalin mbështetjen e jashtëzakonshme që kemi marrë, po marrim e do të marrim nga SHBA dhe BE për kauzën tonë të drejtë, për kauzën tonë legjitime, për kauzën tonë kombëtare, për kauzën tonë europiane, për kauzën tonë amerikane për zgjedhje të lira dhe të ndershme, të lira nga krimi, të lira nga droga, të lira nga korrupsioni. Ky vend do të ngrihet në nivelin e përgjegjësive si anëtar i NATO. Shqiptarët e kanë marrë vendimin; shumica nuk do të kthehet mbrapsht, pakica i ka orët e numëruara.  ​


Mesazhi i Lulzim Bashës pasdite në Sheshin e Lirisë, 17 Mars 2017