Pasdite në sheshin e lirisë ishin psikologë, mësues, studentë, nxënës dhe qytetarë të thjeshtë të cilët biseduan lidhur me problemet sociale që sjell kanabizimi i Shqipërisë. Kryedemokrati Lulzim Basha dëgjoi përjetimet e studentëve apo nxënësve të shkollave të cilët deklaruan se përballen me konsumatorë të marijuanës brenda klasave, korridoreve apo tualeteve të ambjenteve ku studiojnë.
Dorela Guri, psikologe dhe pedagoge, tregoi për mungesën e shpresës të cilën e has çdo ditë tek studentët e saj.
“Është një piramidë e përmbysur e vlerave. Të rrethuar nga një ambient i tillë studentët o duan të ikin nga ky vend, ose të bëhen pjesë e konsumit të substancave për ta kthyer në mënyrë jetese. Kjo ndikon në mënyrë direkte në planin ekonomik, psikologjik dhe social të një familjeje shqiptare”.
Desara Kovaçi, studente, denoncoi shitjen e lëndëve narkotike të llojit kanabis brenda ambienteve të shkollave.
Urim Halili i cili përballet çdo ditë me nxënësit e tij në Kamëz tregoi se ky fenomen ka mbërritur edhe në arsimin 9 vjeçar në Shqipëri.
“Sidomos në shkollat ku mësimi bëhet me dy turne, shitësit e drogës gjejnë momentin mes ndërrimit të turneve të hyjnë në ambientet e shkollave. Madje një pjesë e nxënësve kanë qënë jo vetëm përdorues por edhe punëtorë të fushave dhe maleve me hashash. Dhe më e frikshmja është tendenca për ta fshehur këtë fenomen kur faktikisht është më e thjeshtë të merren masa parandaluese se ta godasësh problemin pasi është përhapur”.
Bazën e kësaj kulture të përdorimit të narkotikëve, Brunilda, psikologe për të miturit në Gjykatën e Krimeve të Rënda, thotë se fëmijët e marrin në shkollë.
Kryedemokrati Lulzim Basha, dha përgjigjen përse qeveria sot hesht lidhur me këte problem kaq madhor.
“Nëqoftëse ka sot një faktor mbi ç’do faktor tjetër që kërcënon rendin demokratik në vend, ky faktor është droga. Droga është sot aksionerja kryesore e Republikës së vjetër. Droga është bashkëpronarja kryesore e Republikës së vjetër. Në kuptimin ekonomik sipas të gjitha të dhënave më shumë vlerë krijohet nga droga në Shqipëri se nga ç’do prodhim apo aktivitet tjetër ekonomik i shqiptarëve. Po të marrim shifrat e raportuara në mediat botërore, 5 miliardë euro i bie 50% e prodhimit të brendshëm bruto shqiptar, të prodhimit të brendshëm bruto në një vit. Të ardhura vetëm nga droga. Sigurisht, jo për shqiptarët, jo për fermerët por për një grusht kriminelësh”.
Për Lulzim Bashën, çdo problem, duhet identifikuar fillimisht në mënyrë që të zgjidhet, dhe këtu qëndron pikërisht edhe papërgjegjësia e qeverise, e cila e mohon problemin e drogës në Shqipëri. Hapi i parë për të zbrapsur hallin e madh, për kryetarin demokrat, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe këto të fundit mund të sigurohen vetëm përmes një qeverie teknike.
Njoftim per shtyp, 1 Mars 2017