Ilva Tare: 31 ditë në çadër, cili është bilanci juaj? Sepse qeveria është aty ku ka qenë, janë ndërruar 4 ministra, z.Rama, për arsye elektorale ka thënë ai, koalicioni është sërish së bashku. Çfarë keni arritur?

 

Lulzim Basha: Asgjë nuk është më siç ka qenë para 18 Shkurtit. Shqipëria është krejt ndryshe. Frika është vrarë, kurajo qytetare është bashkuar në këtë shesh, i ka dhënë formë aspiratës për liri, për mundësi për jetë më të mirë. Eshtë një projekt që sot quhet Republika e Re që gjen konsensus, gjithmonë e në rritje jo vetëm mes mbështetësve të opozitës por mes mbështetësve anembanë Shqipërisë, gjithë qytetarëve shqiptarë. Asgjë nuk është si më parë dhe asgjë nuk do të jetë si më parë. Ky është bilanci i deritanishëm.

 

Ilva Tare: Ne në studio kishim një debat me analistët e pranishëm. Çfarë është Republika e Re, çfarë sistemi propozon, çfarë pikash ka në platformë?

 

Lulzim Basha: Nuk kemi minutazh për ta diskutuar në detaje por po u them atë që u thashë sot qytetarëve dhe që të arrijmë në këtë produkt, nënkupton shumë lëvizje. Një nga produktet e Republikës së Re është; pushtetari që ul kokën para qytetarit dhe jo qytetari para pushtetarit. Do të thotë një shtet ligjor i garancive për çdo individ, pavarësisht prej statusit social, ekonomik, politik, do të thotë një demokraci e vërtetë, jo fasadë ku qytetarët kanë në dorë me të vërtetë të caktojnë dhe pushojnë pushtetarët në çdo nivel dhe të vendosin mbi çështje të rëndësishme siç janë arsimi, shëndetësia, mbetjet, etj. Do të thotë, një drejtësi e vërtetë ku gjyqtarët dhe prokurorët luftojnë dhe nuk mbrojnë krimin dhe korrupsionin në nivele të larta qeveritare. Do të thotë, një konkurrencë e vërtetë e lirë, ku çdo qytetar në bazë të aftësive, në bazë të ideve, të mundësive ecën përpara në fushën e jetës, ndjek fatin e tij apo lumturinë e tij, apo të saj, dhe jo vetëm një grusht njerëzish që ngrysen dhe gdhihen para zyrave të pushtetit, të cilët kontrollojnë të gjithë asetet kombëtare, të gjithë tenderat publikë dhe tashmë kontrollojnë edhe tregun e zi të drogës, që e ka shndërruar Shqipërinë në një nga vendet më problematike në botë dhe numrin një në Europë, për drogën dhe kriminalitetin e lidhur me të.

Iris Luarasi: Përshëndetje, z.Basha! Në fakt pyetja që kisha ka lidhje me pjesën e komunikimit, në qoftë se ne presim nga politika shqiptare me figura të reja, një komunikim politik që do ishte shumë më modern sesa komunikimi që ne shohim sot. A nuk mendoni se juve do t’u shkonte më për shtat “një kostum” i ri, me këtë dua të them një komunikim i ri pa gjuhën e përdorur nga çadra, në kuptimin e atyre fjalive dhe fjalëve që kemi dëgjuar në retorikën tuaj të këtyre ditëve që ju jeni brenda në çadër. Sepse gjuha e vjetër i takon xhaketave të vjetra dhe politika pret që njerëzit e rinj në politikë të jenë modernë dhe veçanërisht kur vjen fjala për komunikimin politik?

 

Lulzim Basha: Faleminderit Iris! Çështja e komunikimit politik është edhe çështje estetike, por sot nuk është më çështje estetike. Ju kujtoj se si kryetar i opozitës në fjalimin tim të pare, i kam uruar mbarësi Edi Ramës dhe e kam siguruar për mbështetjen time dhe të Partisë Demokratike në gjithçka që lidhet me integrimin europian të vendit, sigurisht duke premtuar se do të bëjmë rolin tonë si një opozitë e fortë, ballore, argumentuese, denoncuese që është roli i opozitës në demokraci, por edhe krijuese dhe propozuese që po kështu duhet të jetë roli i opozitës në një demokraci europiane.

E kam bërë këtë, i nisur nga koncepti im për demokracinë, për rolin e opozitës, për rolin e qeverisjes që është një koncept krejtësisht i ndryshëm nga ai i kundërshtarit tim politik, është një koncept që buron sa nga gjenerata ime, aq nga privilegji që më është dhënë për t’u formuar në një nga vendet me demokraci dhe shtet ligjor të avancuar, ku jam ekspozuar ndaj këtyre vlerave dhe ka qenë ekspozimi ndaj këtyre vlerave që më ka frymëzuar të jap edhe unë kontributin tim që, këto vlera europiane, të qeverisin shqiptarët.

Përgjigjja ka qenë barbare; shkelje e Kushtetutës, shkelje e ligjeve, shkelje e ligjit duke filluar me nëpunësin civil i cili është harruar tani, futja e kriminelëve në politikë, ngritja e tyre në fron, shndërrimi i Shqipërisë në një hambar droge. Kur i thonim ne, na thonin pse nxini imazhin e Shqipërisë. Sot ke DASH, Europol që thonë të zezë mbi të bardhë atë që kemi denoncuar ne prej fillimit. Çështja këtu nuk është çështje estetike, por është çështje jetike, morale. Kur kemi një pacient që kollitet dhe dikush thotë pa e vizituar fare se ka kollë, jepi shurup, kur ndërkohë pacienti ka kancer dhe vdes. Atëherë opinioni tjetër, opinioni i dytë ka bërë një krim dhe një faj nëse nuk ka thënë: Ndal, këtu ka kancer, pacienti duhet të operohet.

Gjuha jonë, prej momentit të parë ka kërkuar të denoncojë rrezikun e jashtëzakonshëm jo vetëm për zgjedhjet e ardhshme, por për gjeneratat e ardhshme, në qoftë se Shqipëria kthehet në një bastion të krimit të institucionalizuar. Jo thjesht 30 kriminelë deputetë, kryetarë bashkish, drejtorë administrate, por në një Republikë ku krimi zgjedh Parlamentin, krimi zgjedh qeverisjen, krimi administron shtetin, krimi administron pronat dhe kjo do të ndodhë, është gati të ndodhë, në qoftë se do ta lejojmë, jo Partinë Socialiste, se Partia Socialiste është në koma, por Rilindjen e kriminalizuar, të zëvendësojë zgjedhjet e lira dhe të ndershme me një përballje mes partive politike në njërën anë dhe krimin në pushtet në anën tjetër. Këtu nuk ka vend më për estetikë, por për përballje, për të treguar faktet siç janë.

Në qoftë se Elvis Roshi ka përdhunuar në grup një minorene, unë do ta them këtë dhe të skuqen ata që e kanë bërë kryetar bashkie, dhe jo unë. Në qoftë se Armando Prenga ka plagosur 4 qytetarë me armë pa leje në derën e komisariatit si cub, unë do ta them këtë, dhe le të skuqet ai që e ka bërë deputet. E kështu me radhë se nuk dua të zgjatem se çështjet janë monstruoze. Pra, problemi është etika morale dhe jo estetika.

 

Ilva Tare: Problemi është se si është thënë ajo. Z. Basha vërej se në daljet tuaja nga çadra mbani afër zonja dhe zonjusha shumë simpatike. E keni për estetikë këtë apo do të reflektojë edhe numrin e zonjave në listat e ardhshme për deputetë të Partisë Demokratike?

 

Lulzim Basha: Faleminderit Ilva për komplimentin! Këto zonja dhe zonjusha, dhe këta zotërinj dhe të rinj dhe të reja, janë ditë për ditë e natë për natë në këtë çadër. Mjafton që mediat ta japin pak hapësirë, dhe jo vetëm kur flet kryetari i Partisë Demokratike, apo personalitetet e huaja që na vizitojnë, se sot për shembull këta të rinj dhe të reja për një orë kanë folur dhe janë shprehur më mirë, më bukur, më qartë se sa jam shprehur unë për Republikën e Re, për kërkesën e tyre për ndryshim, për dashurinë e tyre për këtë vend dhe për dashurinë e tyre për gjithë njerëzit, të djathtë dhe të majtë, të cilët meritojnë një mundësi për një jetë më të mirë dhe jo një klikë kriminale në pushtet.

 

Ilva Tare: Z.Basha, Rama e ka thënë dje përmes komunikimit mes “Facebook”-ut, se qeveri teknike nuk ka, shtyrje zgjedhjesh nuk ka, zgjohuni, dilni nga çadra! Çfarë keni arritur nëse nuk është afër zgjidhjes asnjë prej këtyre zgjidhjeve?

 

Lulzim Basha: Edi Rama është në një krizë të thellë politike, morale dhe psikike. Por nuk është detyra ime të merrem me Edi Ramën sot. Edi Rama ka vetëm një rrugëdalje; të japë dorëheqje! Vendimi popullor i 18 shkurtit është i pakthyeshëm. Qeveria teknike është e vetmja garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme, jo se duam ne, por sepse kështu e solli punën Edi Rama. Me krimin në pushtet, me refuzimin për të zbatuar ligjin për dekriminalizimin, me mbushjen e Shqipërisë me drogë, me lirimin e bandave për t’i shërbyer për zgjedhje, me pesë palë zgjedhje të prishura dhe me asgjesimin e reformës zgjedhore, nuk la asnjë tullë, asnjë gurë për të vënë ai këmbën dhe për të thënë: Shiko se mund ta zgjidhim ndryshe. Ikja e Edi Ramës është çështje kohe dhe ne jemi këtu, dhe unë jam këtu, që të garantojmë që ikja e tij të jetë me sa më pak kosto për Shqipërinë. Prandaj jemi të vendosur për këtë lëvizje paqësore. Ndërkohë që ai bën thirrje për dhunë duke kujtuar, evokuar vitin e zi ’97, duke kërcënuar protestuesit paqësorë, të cilët edhe i ka goditur, ka çuar njerëz t’i rrahë këtu. Ky është mentaliteti i tij, ky është Edi Rama dhe s’ka si të jetë ndryshe njeriu që kriminalizoi shtetin shqiptar.

 

Ilva Tare: Kryeministri Rama tha dje se jam i gatshëm kurdo dhe kudo, qoftë edhe në çadër të vij dhe të dialogoj me ju. Ka aktualisht një kanal komunikimi me Partinë Socialiste?

 

Lulzim Basha: Dialog fasadë, dialog për t’i hedhë hi syve qytetarëve dhe për të vazhduar prap avazin e vjetër nuk ka për të pasur. Ka për të patur dialog vetëm për përmbushje të kërkesës tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, përmes një qeverie teknike ku natyrisht Edi Rama dhe PS duhet të marrin përgjegjësitë e tyre për ta mbështetur këtë qeveri.

 

Ilva Tare: Për të mbërritur tek qeveria teknike ju duhet marrëveshje me Partinë Socialiste, nëse nuk bisedoni me të dhe Rama thotë nuk e jap qeverinë teknike. Çfarë do të bëni?

 

Lulzim Basha: Do të qëndrojmë këtu, do të jemi gjithmonë e më shumë, gjithmonë e me të vendosur derisa qeverisja, vaji i së cilës ka mbaruar, ta kuptojë se nuk është më qeverisja e shqiptarëve dhe nuk përfaqëson më asgjë përveçse klaneve kriminale dhe banditëve që ka sjellë në pushtet.

 

Ilva Tare: Me Lëvizjen Socialiste për Integrim a ka komunikim? Z.Meta në qëndrimet publike ka thënë jo ultimatume por hajde të dialogojmë. A jeni të gatshëm të flisni me të?

 

Lulzim Basha: Nuk ka asnjë komunikim. Komunikim për të bërë telenovelë me Lulzim Bashën nuk mund të ketë.

 

Ilva Tare: Po ndërmjetës që komunikon me ju?

 

Lulzim Basha: Nuk ka.

 

Ilva Tare: Se thonë që shohin shpesh dikë që hyn  e del nga zyrat e njëri-tjetrit…

 

Lulzim Basha: Eh sa shohin ashtu Ilva. Ky qytet është i paparë.

 

Ilva Tare: Udhëtimi në SHBA është vizitë zyrtare apo private? Do keni takim me zyrtarë të lartë të DASH apo do të keni takime me kongresmenë, senatorë që janë lehtësisht të lobueshëm?

 

Lulzim Basha: Unë kam një sërë ftesash nga partitë simotra dhe nga kryeministra që nuk janë të lobueshëm. Bilal nuk do të ketë në mes, për këtë të garantoj. Një Bilal ke të dënuar dhe një kryeministër, të cilit duhet t’i hiqet viza. Bilali i shkretë e hëngri, ky vazhdon qëndron këtu. Do të kem takime në Europë dhe në SHBA në funksion të axhendës për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe do t’ju informoj kur t’i kem këto takime dhe kur t’i zhvilloj ato.

 

Ilva Tare: Pra, po niseni me një axhendë të qartë, me vizita zyrtare?

 

Lulzim Basha: Kur të nisem do t’ju informoj për të gjitha takimet dhe për gjithë axhendën time.

 

Ilva Tare: Çfarë ju kanë kërkuar ambasadorët gjatë takimeve të ditëve të fundit, por edhe ai amerikan gjithashtu? Një nga kërkesat e tyre është që të ktheheni në Parlament dhe të votoni Vettingun. Afati përfundimtar është 31 marsi. Do të ktheheni në Parlament z.Basha?

 

Lulzim Basha: Vetëm nëse ka një pakt kombëtar për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ambasadorët janë shprehur, kanë kuptuar qartësisht kauzën tonë, pashë me kënaqësi që disa prej tyre janë shprehur publikisht me deklarata që janë në mbështetje për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si çështja më akute e Shqipërisë, këto humbasin pak në mediat e kontrolluara nga qeveria. Përfitoj nga ky ekran për të thënë mendimin tim. Kjo nuk është furtunë në gotë uji, është një krizë e thellë që vlonte dhe papritur ka dalë në sipërfaqe. Eshtë kriza e një shteti të kriminalizuar në palcë ku krimi dhe droga kërcënojnë fondamentin e bashkekzistencës demokratike, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Këtu absolutisht kemi gjetur mirëkuptim dhe mbështetje, si dhe përgëzime për natyrën paqësore dhe thellësisht europiane dhe euroatlantike të protestës.

 

Ilva Tare: Thatë diçka që meriton një përgjigje, vetëm nëse do të ketë një pakt kombëtar do të kthehem për vetingun në Parlament. Çfarë parashikon pakti kombëtar?

 

Lulzim Basha: Kam parasysh një pakt politik të të gjitha partive politike, për një qeveri teknike, për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

 

Ilva Tare: Jemi tre muaj nga 18 qershori, i cili duket se nuk do të shtyhet, të paktën siç deklaron maxhoranca. Mos po humbisni kohë dhe nuk po bëni fushatë?

 

Lulzim Basha: Zgjedhje fasadë, zgjedhje me drogën, zgjedhje me krimin, zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk do të ketë as me 18 qershor dhe as me 18 nëntor. Standardet do të zbatohen. Shqiptarët do të kenë vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dhe kjo është një betejë që do të fitohet, jo thjesht për zgjedhjet  e ardhshme por për gjeneratat e ardhshme të shqiptarëve. Vetëm zgjedhje të standardit europian. Zgjedhje të tjera nuk do të ketë

 

Ilva Tare: Kujt do t’ia  lini në kujdestari çadrën këto ditë që nuk do të jeni në Tiranë?

 

Lulzim Basha: Të rejave dhe të rinjve, të gjithë qytetarëve.