Sa është zbukuruar ky shesh sot në këtë ditë të 31-të të protestës nga drita e syrit tonë, rinia shqiptare, të rejat dhe të rinjtë, nga shpresa më e dëlirë e atdheut, e kombit e shoqërisë tonë. Këto të reja dhe këta të rinj, e stolisin këtë shesh jo vetëm me pamjen e tyre, por me mençurinë e tyre, me fjalën e tyre, me forcën e tyre, me vendosmërinë e tyre.
Sa herë që ai flamur ngrihet këtu në hyrje të Sheshit të Lirisë dhe valëvitet mbi këtë qiell, sa herë që himni kombëtar ushton, sa herë që shpresa e përditshme rritet dhe buron nga zemrat tona, ne kemi një garanci, kemi një ëndërr, kemi një shpresë, dhe kjo është rinia shqiptare.
Në këtë shesh, rinia e ka thënë fjalën e saj që prej ditës së parë, e tha edhe sot. Jam i përulur por edhe i frymëzuar tek dëgjoj të rejat dhe të rinjtë në këtë shesh që artikulojnë me bindje atdhetare, me mençuri të jashtëzakonshme dhe me kulturë europiane, besimin e tyre dhe vendosmërinë e tyre për të mos e lënë Shqipërinë kështu siç ka qenë. Kur e themi ne, është një propozim, kur e thotë rinia është vendim dhe do të bëhet realitet.
Këtë e di mirë çdo shqiptar, na e tregon historia jonë, na e tregon dhjetori i vitit 1990, ku një komb i tërë, një shoqëri e tërë, e kërrusur në dëshpërim, izolim dhe shtypje, u ngrit në këmbë. Sepse, në këmbë e ngriti rinia, e ngritën të rinjtë dhe të rejat që panë të ardhmen përtej perdes së zymtë të realitetit të përditshëm, panë agimin e një dielli të ri e një shprese të re, të lirisë dhe demokracisë.
Sot e tash 4 vjet në një Shqipëri të nëpërkëmbur e të kërrusur nën peshën e krimit, drogës, korrupsionit, varfërisë, arrogancës, të qeverisë të bërë njësh me krimin dhe krimit të bërë njësh me qeverinë, do të ishte e pamundur të çoheshim e të bashkoheshim të gjithë kështu, nëse kësaj lëvizje të madhe popullore, më të madhe se Partia Demokratike, më të madhe se opozita, nuk do t’i printe ëndrra më e bukur e çdo kombi, shpresa më e madhe për të nesërmen, rinia shqiptare.
Ndaj, dua t’u them sot, se para së gjithash, dhe mbi të gjitha, Republika e Re që po buron nga ky shesh i qendresës, nga ky Shesh i Lirisë është republika juaj, e juaja të rinj dhe të reja shqiptare.
Deri para 31 ditësh, këtu në këtë shesh tundeshin hijerëndë të korruptuarit, të inkriminuarit e veshur me pushtet, sa në zyrat e shtetit, sa në zyrat e njëri-tjetrit, sa në restorante ku fryhen ditë për ditë me paratë e grabitura nga gjaku dhe djersa e popullit, ky shesh pra i qytetit, sheshi i kombit shqiptar, ishte prona e tyre.
E pra, sot e mot ky shesh dhe gjithë Shqipëria do të jetë prona e të të rinjve dhe të rejave shqiptare, e dëlirësisë së tyre, e çiltërsisë së tyre dhe e vullnetit të tyre për liri, për demokraci, për barazi para ligjit dhe për konkurencë të lirë e të ndershme.
Ja si ka filluar dalëngangadalë të tërhiqet dallga e vjetër e republikës së krimit, të struket pas fasadave, të mërmërisë me vete fjalë pa kuptim. Dhe ja si ka filluar ditë për ditë të burojë shpresa, vendosmëria, besimi se Republika e Re tashmë nuk është thjesht një koncept në kokën e askujt, por është një shpresë dhe një vendim në shpirtin e gjithkujt.
Republika e Re është republika ku qytetarët nuk kanë frikë hijerëndët që kapardisen me arrogancën e pushtetit.
Republika e Re është vendi ku pushtetarët ulin kokën para çdo qytetari.
Republika e Re e garanton këtë përmes një shteti ligjor funksional, ku ligji shkruhet he votohet në emër të cdo shqiptari, zbatohet njësoj për çdo shqiptar.
Republika e re e garanton këtë përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk do të thotë thjesht dhe vetëm rregulla loje, por do të thotë edhe rregulla loje brenda partisë , do të thotë qarkullim elitash, do të thotë sa më shumë të rinj e të reja në parlamentin e Republikës së Re dhe në nivelet vendimarrësë të Republikës së Re.
Dhe sa më takon mua, një e treta e kandidatëve të PD, në zgjedHjet e lira dhe të ndershme që do ti paraprijnë Republikës së Re do të jeni ju të rinj e të reja të PD, të rinj e të reja shqiptarë. Asgjë nuk ju mungon. Keni mencurinë, keni gjykimin politik, keni dashurinë për Shqipërinë, për atdheun, për familjen për shoqërinë për komunitetin.
Ju mungon dicka, dhe shyqyr Zotit që ju mungon, dhe kurrë mos e paci, ju mungon vesi, ju mungon dinakëria, ju mungon hipokrizia.
E pra, me këtë ciltërsi që keni demostruar sot në këtë shesh, me këtë vendosmëri që keni demostruar tash e 31 ditë, le ta dijë cdo shqiptar nga Jugu në Veri në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni Preshevë, Mal të Zi e kudo në diasporë, se Republika e re jo vetëm që nuk do të ndalet por do të jetë realiteti politik kudo ku frymon dhe flitet shqip.
Le ta dinë miqtë tanë, se ky nuk është një projekt individual apo partiak, se nuk vjen e as nuk shkon me Lulzim Bashën apo me dikë tjetër. Se ky projekt ka një themel të patjetërsueshëm dhe kjo është shpresa dhe vendosmëria e rinisë për një jetë të re, për një Shqipëri të re, ku asgjë nuk duhet të jetë dhe asgjë nuk do të jetë më si më parë.
Këtë e di fare mirë dhe Edi Rama, i cili dje në monolog pranoi se, Shqipëria është në anomali, sigurisht nuk i njohin vetes përgjegjësitë se janë në këtë anomali, që janë përgjegjësit e drogës, krimit në pushtet, korrupsionit galopant që ia kanë shkruajtur të zezë mbi të bardhë SHBA, me Departamentin e Shtetit në raportin vjetor, BE në raportin e Europolit.
Jo, këto nuk i përmendi, por tha megjithëse është anomali, unë do ti shkoj deri në fund. E pra, përgjigjen më të mirë ia dha një nga gjigandët e mendimit intelektual, Aurel Plasari, kur i tha; “Mos mor djalë se do të përfundosh si Ducja”.
Edi Rama, ta dish se jemi këtu për të të shpëtuar lëkurën që të mos përfundosh si Ducja. Republika e Re do të garantojë që as ti e as ndokush tjetër mos të përfundojësi Ducja. Edi Rama ti je i ikur. Je i ikur. Misioni ynë, këta misionarë këtu, janë mbi të gjitha misionarë të paqes, sepse ne duam që ikja jote të ketë sa më pak kosto për Shqipërinë dhe për shqiptarët e thjeshtë.
Se po të ishte puna për karshillëk, 18 Shkurti i dytë, të gjen në lanë dhe jo në zyrë. Por ne jemi këtu si patriotë, si demokratë, si njerëz të një lëvizje të madhe të paprecedentë në historinë tone, që është mbi të gjitha një lëvizje qytetare dhe një lëvizje paqësore. Do të qëndrojmë gjatë, ne në fakt na pëlqen të qëndrojmë këtu, sepse ky shesh është pagëzuar tashmë, dhe domethënia e tij për sot dhe nesër, ka hyrë në histori.
Por do të qëndrojmë këtu me një vetëdije të madhe se, me vendosmërinë dhe qëndresën këtu, përmes një qëndresë paqësore por të vendosur, do t’i sigurojmë Shqipërisë jo vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme, por dhe fytyrën me parametrat e vërteta të një vendi evropian, të gatshëm për anëtarësim në BE.
Do ta bëjmë këtë shërbim ne. Do ta bëjmë këtë shërbim sepse gjithçka që ti bëre në katër vite, është se largove Shqipërinë nga Europa. Gjithçka që bëre në katër vite, nxive Shqipërinë në sytë e Europës.
Me krimineltë, me drogën, me nxirjen e Shqipërisë në çdo raport ndërkombëtar, e ata që lexojnë këto raporte, na pandehin si njerëz të botës së tretë. Na pandehin për një shoqëri të pacivilizuar që nuk meriton të jetë as në gjeografinë europiane e jo më në gjeopolitikën europiane.
E pra, këtë borxh të madh që Edi Rama dhe një grusht kriminelësh ndërtuan për katër vite në konton europiane, po e lan ditë për ditë kjo qëndresë qytetare, europiane, nga ky Shesh i Lirisë.
Hiqe nga mendja se ka rrugë tjetër.
Sado të shpifësh ti dhe ca zullapër që ti ke shpërndarë në disa media zullape, të blera, kanale qeveritare, të cilat nga mëngjesi deri në darkë kanë marrë për detyrë, përkundër pagesave të majme me paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe me paratë e ndyra të drogës, e vërteta është fare e thjeshtë.
Nuk ka patur që prej vitit 1990, lëvizje më europiane, më euroatlantike se kjo që zhvillohet sot në këtë shesh. Ndaj, përfundimi është i qartë, është fitorja e Shqipërisë europiane. Përfundimi është; Republika e Re që do të themelohet mbi votën e lirë të çdo qytetari shqiptar.
Zgjedhje pa garantuar votën e lirë të çdo qytetari shqiptar, ne nuk do të lejojmë. Nuk do të ketë zgjedhje fasadë.
Ndaj, bëji derman vetes, na kurse edhe ne, gjithë këtë hare dhe gëzim, rritjen e rradhëve ditë për ditë, bëhu i zgjuar, jep dorëheqjen, hap rrugën për qeveri teknike dhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Se çfarë do të ndodhë, do ta caktojnë qytetarët.
U them të rinjve dhe të rejave shqiptare, Demokratë, socialistë dhe çdo partie qofshin, apo pa bindje politike.
Kur ju, kur qytetarët të kenë vendosur me zgjedhje të lira dhe të ndershme, qeveria e dalë nga vota juaj dhe kryeministri që ju do të zgjidhni, realiteti i ri politik, Republika e Re, do të konkretizohet me një akt.
Këtu, në këtë shesh, orën e parë të betimit të kabinetit të Republikës së Re, do të firmoset anulimi i Ligjit për Arsimin e Lartë.
Këtu në këtë shesh, orën e parë!
Rinia do të ketë jo vetëm veshin, por edhe mbështetjen e fuqishme të Republikës së Re. Arsimi i lartë publik do të jetë me tarifa të përballueshme nga çdo i ri dhe e re shqiptare.
10 mijë të rinj do të paguhen nga Republika e Re çdo vit me stazhe 1 vjeçare për të ndërtuar urën mes bankave të Universitetit dhe tregut të punës.
Ndaj, kemi shumë e shumë çështje të tjera për të diskutuar e për të vendosur. Pjesë e një mozaiku të bukur të shpresës dhe të projektit të Republikës së Re.
Nuk e di sa kohë do të kemi këtu në këtë çadër.
Shanset janë që nuk do të kemi edhe shumë kohë, sepse e vjetra po bie, krimi do të bjerë, korrupsioni do të dorëzohet, por, ju garantoj se ajo që së bashku kemi nisur këtu do të vazhdojë dhe do të shpërndahet anekënd Shqipërisë, si ëndrra më e bukur, projekti më i dlirë, që prej Shqipërisë së vitit 1990.
Dhe për këtë, ka një autor, një meritë të madhe, dhe kjo është rinia shqiptare.
Zoti e bekoftë atë,
Zoti ju bekoftë ju, të rinj dhe të reja të Shqipërisë,
Zoti e bekoftë Shqipërinë.