Pasditen e së shtunës në Sheshin e Lirisë, kryedemokrati Lulzim Basha priti një nga miqtë më të afërt të shtetit Shqiptar dhe një nga personat të cilët kanë kontribuar me intensitet në hapjen dhe demokratizimin e vendit tonë, ish-kryetar i Asamblesë Parlamentare të OSBE, Vlofgang Grossruck.
I shoqëruar nga krerët e partive opozitare, Lulzim Basha tha se qytetarët të cilët kalojnë ditë e netë, plot 22 të tilla tashmë, nuk janë aty për koka turku.
“Sonte jemi mbledhur këtu ndërkohë që qeveria duket se është në grahmat e saj të fundit. Kjo është sot lëvizja më e madhe popullore, qytetare, demokratike dhe kombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndaj jemi mbledhur për të siguruar për shqiptarët sot e mot dhe për brezat që vijnë standardin europian të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ndaj, çfarëdo thashethemesh e prapaskenash të kurdisin, mesazhi ynë është një dhe i pandryshuar, qëndresa jonë është e vendosur deri në krijimin e një qeverie teknike me mbështetje të gjerë politike që do të bëjë detyrat para shqiptarëve dhe para Europës”.
Lajmin për shkarkimin e minsitrit të brendshëm Tahiri, Lulzim Basha edhe pse e sheh si truk politik të kryeministrit, suksesin ia atribuon vetëm qytetarëve qëndrestarë të sheshit të lirisë të cilëve në fund i bëri edhe një thirrje.
“Lajmi se ka shkarkuar Tahirin është një përpjekje mjerane për ti shpëtuar përgjegjësisë që vetë Edi Rama ka për gjendjen ku e ka sjellë vendin, për shkallën e mosbesimit që ka përfshirë çdo shqiptar, të djathtë e të majtë se ai mund të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme. E pra, nëse lajmi është i vërtetë kjo është fitorja vetëm e juaja, vetëm e bashkimit qytetar dhe prova e qartë se forca e vetme e ndryshimit në këtë vend është bashkimi qytetar dhe kjo lëvizje popullore. Eshtë koha për një bashkim edhe më të madh, për një realizëm edhe më të qartë, se beteja që kemi përpara mund dhe do të fitohet vetëm përmes kurajos, qëndresës dhe sacrifices”, tha Basha.
Kryedemorkati Basha tha se miqtë e Shqipërisë që vijnë nga jashtë kufijve, i janë bashkuar qytetarëve në qëndresën e tyre për dy arsye. Fillimisht pasi pikëllohen për regresionin e vendit tonë, por edhe sepse kanë shpresë se qytetarët shqiptarë përbëjnë garancinë e vertetë për Shqiperinë moderne europiane.
Volfgang Grossruk falenderoi kryeopozitarin Basha për mundësinë që i dha të përjetojë atë që e quajti si një moment historik në Tiranë.
“Tashmë e di se çfarë do të them pas e kam vizituar Shqipërinë që para 24 vitesh dhe kam qënë vizitor mbi 60 herë. Ju keni shumë miq në Europë dhe Austri. Zonja dhe Zotërinj, ne jemi të gjithë të interesuar që Shqipëria të luftojë kriminalitetin, korrupsionin dhe padrejtësinë dhe garant i kësaj fitore është kryetari demokrat Lulzim Basha. Të gjithë ne do të punojmë për integrimin europian të Shqipërisë në mënyrë që njerëzit të përfitojnë nga kjo”.
Njoftim per shtyp 11 Mars 2017