Kryetari Lulzim Basha në bashkëbisedim me të rinj dhe të reja shqiptarë në Sheshin e Lirisë. Në Republikën e Re, qeveritari do të ulë kokën para qytetarit, dhe jo qytetari para qeveritarit
Paraditen e 20 marsit kryetari i PD Lulzim Basha bashkëbisedoi me rininë shqiptare në Sheshin e Lirisë lidhur me problemet e shumta të shkaktuara nga qeverisja, por dhe për shpresën e besimin për të dalë nga kriza, për entuziasmin që ka ngjallur projekti i Republikës së Re.
Pjesmarrës në forum ishin të rinj dhe të reja të penalizuar nga reforma e arsimit të lartë, një ligj që ka sakrifikuar ëndrrat dhe të ardhmen e qindra studentëve shqiptarë.
Barbara Doda, studente e arkitekturës tha se realiteti me të cilën përballen studentët sot është shumë larg atyre vlerave europiane në të cilat rinia sot beson dhe aspiron.
Gerald Metko tregoi eksperiencën e tij, ku si student me mesatare 9.11 në gjimnaz dhe me rezultate maksimale në provimet e maturës, u gjend jashtë bankave të shkollës pasi nuk arriti të fitonte asnjë degë universiteti.
Marash Logu, student i fakultetit të drejtësisë në Shkodër hoqi një paralele mes protestës së studentëve të viteve ’90. Duke cituar profesor Artan Fugën i cili e quan sheshin e qytetarëve si çadrën e lirive politike, Logu tha se ashtu si 27 vite më parë edhe kërkesat e qytetarëve sot fillojnë me zgjedhje të lira e të ndershme dhe përmes qëndresës popullore dhe mbështetjes intelektuale dhe ndërkombëtare po kthehet në gurin e themelit të Republikës së Re.
Belind Këlliçi tha se të rinjtë dhe të rejat shqiptare sot kanë dy modele mes të cilëve të zgjedhin. Fillimisht është model i kryeministrit Rama, Shqipëria për njerëzit si Armando Prenga, Elvis Roshi dhe gjithë kriminelët të cilët i veshi me pushtet. Modeli tjetër është ai i vlerave europiane i propozuar nga kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Lulzim Basha i tha të rinjve të mbledhur në forum sot, se ashtu si çdo i ri që i është bashkuar kauzës për zgjedhje të lira e të ndershme, janë në ballë të kësaj proteste dhe do të jenë edhe në ballë të Republikës së Re që po vjen.
“Sa herë që ai flamur ngrihet këtu në hyrje të Sheshit të Lirisë dhe valëvitet mbi këtë qiell, kemi një ëndërr, kemi një shpresë dhe kjo është rinia shqiptare. Në këtë shesh rinia e ka thënë fjalën e saj që prej ditës së parë, e tha edhe sot. Sot e mot ky shesh dhe gjithë Shqipëria do të jetë prona e të të rinjve dhe të rejave shqiptare dhe e vullnetit të tyre për liri, demokraci, barazi para ligjit dhe për konkurrencë të lirë e të ndershme. Republika e Re tashmë nuk është thjesht një koncept në kokën e askujt por është një shpresë dhe një vendim në shpirtin e gjithkujt.”
Të rinjtë duhet të jenë pararojë dhe pjesmarrës të republikës së re edhe përmes pjesmarrjes në politikbërje – tha Lulzim Basha.
“Republika e Re do të garantojë një shtet ligjor funksional, ku ligji shkruhet dhe votohet në emër të cdo shqiptari, zbatohet njësoj për çdo shqiptar. Republika e re e garanton këtë përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk do të thotë thjesht dhe vetëm rregulla loje me zbatime por do të thotë edhe rregulla loje brenda partisë , do të thotë qarkullim elitash, do të thotë sa më shumë të rinj e të reja në parlamentin e republikës së re. Sa më takon mua një e treta e kandidatëve të PD në zgjehdjet e lira dhe të ndershme do të jeni ju të rinj e të reja të PD , të rinj e të reja shqiptarë”.
Politikat e kabinetit të tij, në momentin e parë të marrjes së pushtetit, do të sigurohen për mbrojtjen e interest të të rinjve dhe xhepave të familjeve të tyre e jo oligarkëve shqiptarë – tha Basha.
“Kur ju, kur qytetarët të kenë vendosur me zgjedhje të lira dhe të ndershme, qeveria e dalë nga vota juaj dhe kryeministri që ju do të zgjidhni do të konkretizohet me një akt. Këtu, në këtë shesh, orën e parë të betimit të kabinetit të Republikës së Re, do të firmoset anulimi i Ligjit për Arsimin e Lartë. Arsimi i lartë publik do të jetë me tarifa të përballueshme nga çdo i ri dhe e re shqiptare. 10 mijë të rinj do të paguhen nga Republika e Re çdo vit me stazhe 1 vjeçare për të ndërtuar urën mes bankave të Universitetit dhe tregut të punës.”
Zoti Basha tha se korrupsioni në fund do të dorëzohet por ajo që sëbashku me qytetarët nisi një muaj më parë, do të vazhdojë të shpërndahet anëembanë Shqipërisë si ëndrra më e bukur dhe projekti më i dlirë që prej Shqipërisë së vitit 1990.