“Sapo përfundova një takim me Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme të Bashkimit Europian, znj.Federica Mogherini. Pata rastin ta njoh konkretisht me rrugëzgjidhjen e propozuar nga opozita për krizën e rëndë politike që vendi po kalon; i krimit të gjithëpushtetshëm të lidhur me pushtetin politik, i drogës dhe parave të drogës, i moszbatimit të ligjit të dekriminalizimit, i nxjerrjes së bandave dhe kriminelëve nga burgu me ndërhyrje të drejtpërdrejtë politike të niveleve të larta, i dështimit për të patur zgjedhje të lira dhe të ndershme në vitin 2014 në Korçë, në 2015 anembanë vendit, në 2016 në Dibër, i dështimit për t’i dhënë vendit reformë zgjedhore si plotësimi i të gjitha kushteve për të hapur rrugën për zgjedhje të lira dhe të ndershme, vetëm përmes një qeverie teknike. Një qeverie të vullnetit të mirë që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Duke zbatuar deri në fund ligjin për dekriminalizimin, duke ndërmarrë një aksion energjik dhe efektiv kundër narkokultivimit, narkotrafikimit dhe parave të pista të drogës që sipas tashmë gjithë mediave botërore kërcënojnë zgjedhjet në Shqipëri, dhe duke krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Pa dyshim duke i hapur kështu rrugë edhe zbatimit të reformës në drejtësi, sipas përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut për të cilën Partia Demokratike dhe opozita kanë dhënë kontribut dhe janë krenar për kwtw.
Pyetje: Çfarë ju tha znj.Mogherini?
Basha: Zonja Mogherini do të shprehet vetë. Unë nuk jam këtu të bëj zëdhënësin e saj, por mund t’ju them se kauza jonë, kauza e qytetarëve shqiptarë ka mirëkuptim dhe mbështetje totale nga të gjithë ata të cilët i kanë dashur dhe i duan të mirën Shqipërisë. Ata që na kanë shoqëruar në 26 vite tranzicion të vështirë e kuptojnë se Shqipëria me krimin e organizuar në pushtet dhe me problemin e jashtëzakonshëm të drogës nuk është një pacient me kollë që mund të shërohet me shurup, por është një pacient me kancer që ka nevojë për një operacion të thellë.
Ftesa ime është që faktorët e përgjegjshëm politikë të bashkohen në një pakt kombëtar për të kryer këtë operacion përmes një qeverie teknike e cila do t’i japë vendit zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo është në të njëjtën kohë edhe e vetmja rrugëdalje. Çdo rrugë tjetër e çon vendin në humnerë, në sundimin e krimit të organizuar për një kohë të gjatë, duke dëmtuar në palcë interesin kombëtar dhe jetët e të gjithë shqiptarëve në vendin tonë.
Pyetje: Z.Basha do të shkoni të hënën në Parlament në seancën për ngritjen e komisioneve të Vetingut?
Basha: Nuk ka dhe nuk për të pasur Parlament tjetër përveç Sheshit të Lirisë, deri në arritjen e një pakti kombëtar për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.