Pasditen e 27-të në Sheshin e Lirisë të organizuar rreth forumit për personat me aftësi të kufizuara, qytetarëve iu bashkua edhe shkrimtari, Kim Mehmeti, i cili udhëtoi nga Shkupi për të mbështetur qëndresën qytetare për zgjedhje të lira e të ndershme.
Mehmeti tha se si shqiptar nga shteti i Maqedonisë, e vetmja gjë që uron për Shqipërinë, është që të kthehet në një vend ku sundon ligji, e jo partitë politike.
“Shqipëria duhet të bëhet shtet normal, duhet të bëhet shtet demokratik, duhet të bëhet shtet ku të mbisundojë ligji. Duhet të bëhet shtet ku do të ketë një Parlament nga i cili nuk turpërohemi ne shqiptarët e tjerë. Duhet të bëhet shtet me institucione shtetërore , demokratike që do të jenë në shërbim të shqiptarëve e të shqiptarisë e jo në shërbim të partisë . Kur të bëhet Shqipëria e tillë, unë si shqiptar i Maqedonisë do të jetoj shumë i qetë”.
Mehmeti foli edhe për vendimin e Kryeministrit Rama për të shkarkuar katër minsitra, të cilët duhet të angazhohen me kohë të plotë në organizimin e partisë për fushatë.
“Ata që duhet të punojnë për të forcuar Shtetin,ai i con të punojë për të forcuar partinë që do të thotë se për të është më e rëndësishme Partia Socialiste se Shqipëria. Kjo është mendësi e pastër enveristë. Kjo do të thotë që partia e fortë e bën shtetin e fortë që partia është e barabartë me interesin e popullit , që balancon intresin partiak me interesin e popullit. Përsa i përket ikjes së Ramës, mua më kanë shkruar shumë gazetarë dhe më kanë pyetur a jeni për një mandat të dytë për Edi Ramën dhe u kam thënë: Rama e ka shumë edhe një mandat.”
Mehmeti tha edhe arsyen përse vendosi të flasë nga agora e qendresës qytetare për zgjedhje të lira.
“Unë tani e di se do fillojnë tregimet: Çfarë i dha Lulzim Basha, Kimit që erdhi aty? Unë do të tregoj, mos të lodhen fare. Më ofroi diçka që nuk refuzohet. Nuk refuzohet shpresa se ndoshta nga kjo çadër nis të ndërtohet Shqipëria e fortë. Unë dua nesër të kthehem në Shkup me shpresën se këtu fillon ndërtimi i asaj Shqipërie që ëndërrojnë të gjithë. Këtë e them vetëm e vetëm sepse Partisë Demokratike i ka hije ta bëjë këtë sepse ajo e rrënoi atë që rrënoi, ajo duhet ta rrënojë edhe këtë Shqipëri e cila është një Shqipëri partiake. Ç’do parti që do ta ndërtojë këtë Shqipëri, mua më ka partizan të vetin.”
Kryetari demokrat, Lulzim Basha falenderoi Mehmentin për fjalët e urta dhe u kujtoi qytetarëve se qëndresa e tyre është në emër të zgjedhjeve të lira e të ndershme, e jo pushteve partiake.
“Këtu jemi para të gjithash jo për PD as për fatin politik të ndonjë politikani por për Shqipërinë evropiane moderne demokratike. Për Shqipërinë e fortë me shqiptarë të fortë.Ne jemi këtu për zgjedhje të lira e të ndershme si themeli i Republikës së Re ku pushtetin e kanë qytetarët dhe qeveria duhet dhe do të mbahet përgjegjëse në raport me premtimet e saj.”
Njoftim per shtyp, 16 Mars 2017