Mesazhi i Lulzim Bashës në ditën e 53-të të qëndresës për zgjedhje të lira e të ndershme 

 

Mbrëmë nga ky shesh, opozita e bashkuar çoi deri në fund zotimin dhe premtimin solemn para qytetarëve shqiptarë që kanë marrë një vendim historik për demokracinë, lirinë dhe Republikën e Re: Vendimin për të mos u regjistruar, për të marrë pjesë në zgjedhje fasadë dhe të diktuara nga krimi. Mbajtja e këtij premtimi është detyrimi elementar i koalicionit opozitar para lëvizjes së madhe popullore, kombëtare, qytetare e demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për Republikën e Re.

Eshtë hapi i parë drejt shkallmimit të fasadave që mbajnë peng përditshmërinë e shqiptarëve. Të demokracisë fasadë që në fakt është tirania e arrogancës dhe padrejtësisë së pushtetit, të Parlamentit fasadë që në fakt është gojëkyçja e njerëzve të zgjedhur për të përfaqësuar popullin, por që përfaqësojnë vetëm veten e tyre dhe oligarkët dhe kriminelët në pushtet, të qeverisë fasadë që është një çetë, me kreun e cetës në krye, i papërgjegjshëm dhe në shërbim vetëm të interesave, xhepave, pushtetit dhe pasurisë së tij dhe të  çetës që e rrethon.

Kjo fasadë është shkatërruar dhe rrëzuar nga fuqia e madhe e bashkimit popullor, nga një bashkim i paqët  dhe demokratik, por i vendosur për të mos jetuar më në këtë makth, por për të ndërtuar së bashku një realitet të ri me mundësi të vërteta, me parlament të vërtetë, me qeverisje të vërtetë dhe demokraci të vërtetë për çdo shqiptare dhe çdo shqiptar.

Në shërbim të këtij komploti të madh kundër pasurive, mirëqenies, punësimit, shëndetësisë, arsimit dhe të drejtave të shqiptarëve, vazhdon të jetë një pjesë e korporatës mediatike  e cila në vend që të kryejë detyrat e pushtetit të katërt, bëjnë zëdhënien dhe shpërndarjen e gënjeshtrave qeveritare. Sepse krimi në pushtet, korrupsioni galopant, vjedhja masive e taksave tuaja përmes koncesioneve dhe tenderave korruptivë, mbulohet dhe qëndron në këmbë vetëm përmes gënjeshtrës.

Gënjeshtra të cilat gëluan prej momentit të parë të lëvizjes tonë popullore dhe instalimit të këtij sheshi të lirisë, sheshit të parë të lirë të Republikës së Re, të republikës së qytetarëve shqiptarë.

“Nuk e kanë me të vërtetë, do vijë ora do futen në zgjedhje. Nuk janë bashkuar. Do iki Duka, do iki ky e do iki ai”, –gënjeshtra, mashtrime, diversione nga mëngjesi deri në darkë. Por kur ke me vete faktet, kur ke me vete argumentat, kur ke me vete të drejtën, kur ke me vete kauzën, dhe mbi të gjitha, kur ke me vete shumicën dërrmuese të qytetarëve shqiptarë, gënjeshtrat nuk të bëjnë përshtypje e vërteta shkon përpara dhe shkon në vend.

***

Edhe sot, është momenti t’i drejtoj një falenderim dhe mirënjohje të gjithë aleatëve të koalicionit tonë opozitar. Jo besën me mua, as me Partinë Demokratike, por fjalën e dhënë para qytetarëve shqiptarë. Sepse kjo betejë është vetëm dhe vetëm për qytetarët shqiptarë.

Ka nisur si e tillë dhe duhet patjetër të përfundojë si e tillë. Që të përfundojë si e tillë duhet të shmangim çdo kurth, çdo qark, çdo dredhi që ka për qëllim t’i japë oksigjen republikës së vjetër në koma, dhe të shmangë, ndalojë apo ngadalësojë projektin e Republikës së Re, të fuqizimit të qytetarëve dhe të kufizimit të pushtetit të politikanëve dhe pushtetarëve, me instrumente europianë të kontrollit dhe të balancave të cilat do të mishërohen në Kushtetutën e Re të Republikës së Re.

Që të ndodhë kjo, duhet me durim dhe vendosmëri të çmontojmë të gjitha gënjeshtrat dhe mashtrimet që dalin nga goja e njeriut të papërgjegjshëm që sot vendos pushtetin dhe pasurinë e tij para fatit të Shqipërisë dhe që shumëfishohet nga media të papërgjegjshme, të kapura, të blera të cilat në vend që t’i shërbejnë interesit publik, vazhdojnë t’i shërbejnë xhepave dhe pasurimit të një grushti pronarësh të bërë njësh me korporatën qeveritare, krimin dhe oligarkinë.

I tillë është fabrikimi, që gjoja ne paskemi rënë dakord për vendin dhe orën e dialogut, por opozita  është tërhequr. Eshtë tërhequr opozita? Pa kujtojeni se çfarë ka thënë pesë ditë me radhë: më jep vendin, më jep orën, më jep vendin, më jep orën. E ja pra, që vend dhe orë nuk ka patur dhe nuk mund të kishte. Sepse zgjidhjet e vërteta, jo zgjidhjet fasadë, dialogu i vërtetë dhe jo dialogu fasadë, nuk ka nevojë vetëm për vendin dhe orën, siç takohen të dashurit, por ka nevojë për një program dhe një përkushtim serioz për zgjidhur krizën politike ku e ka futur vendin një qeveri dhe një kryeministër që pasi ka vjedhur dhe shkatërruar gjithçka, do të shkatërrojë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, mundësinë e vetme për popullin që të vendosë.

Citoj atë që kam thënë: Që në këtë çadër, të vish me dorëheqje. Po, sigurisht. Shprehu dëshirën për të ardhur në këtë çadër, dhe në këtë çadër të lirisë ku shumica prej jush thatë që nuk mund të vinte, po, unë me përgjegjësinë që më keni ngarkuar, me zemërgjerësinë që duhet të kemi dhe duhet të na karakterizojë sot në opozitë dhe nesër në qeverisje, ju kërkova ta mirëpresim me dorëheqjen e firmosur për ta bërë pjesë të zgjidhjes, atë që është sot i vetmi problem dhe e vetmja pengesë: kryeministrin që refuzon t’i japë sot garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, përmes një qeverie teknike.

Prandaj e them, dhe e përsëris, meqë dëshirën për në çadër e ke shprehur shumë herë dhe e kuptoj se kjo çadër të bën shumë xheloz se është në fakt një tempull i madh i lirisë dhe demokracisë:; Eja në këtë çadër me dorëheqjen në xhepin e xhaketës dhe ne do të presim paqësisht. Por leri lojërat e fjalëve.

***

 

Dialogun e dakortësuam ditën e mërkurë, gjashtë ditë më përpara . U ra dakort se do të flitej për formimin e qeverisë teknike dhe për mandatin e qeverisë teknike. Dy tema që kërkojnë përgatitje serioze, aq më shumë po të meret parasysh se cfarë dredharaku fjalëngrenë e fjalëpambajtur kemi përpara. Ndaj, të nesërmen e deri më sot, plot gjashtë ditë e kemi negociuesin e opozitës, ka qenë në gadishmëri për të përgatitur një dialog të vërtetë në funksion të zgjidhjes, dhe jo monologje shterpë që bëhen për të ushqyer emisionet e lajmeve. Sigurisht me një dialog të tillë, mund të vijë dhe duhet të vijë si kryeministër dhe ky dialog politik, nëse është i vërtetë, do të ketë produkt qeverinë teknike që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme,  duke luftuar krimin dhe drogën, duke zbatuar dekriminalizimin dhe duke ofruar paketën e plotë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Mund të vijë si kryeministër në dialog këtu në çadër? (JOOOOO)  Nuk vjen dot si kryeministër. Këtu, duhet të vijë i dorëhequr. Por, nuk e kemi fshehur dhe nuk mund ta fshehim, nuk mund të bëjmë lojëra fjalësh. Ai do të hyjë si kryeministër në dialog, por do të dalë nga dialogu si kryeministër i dorëhequr, që i hap rrugën qeverisë teknike me mbështetje të gjerë politike, për të zgjidhur problemin e madh të krimit dhe të drogës dhe shkatërrimit të zgjedhjeve për hesap të krimit dhe drogës.

***

 

Rruga e dialogut mbetet e hapur .

Por ta harrojë cdokush, që kjo betejë që ka nisur për interesat e qytetarëve, do të mbarojë me pazar për interesat e politikanëve. Kjo nuk ka për të ndodhur kurrë. Ne jemi bashkë. Jemi ngritur bashkë për një kauzë që tejkalon axhendat politike të cdo partie dhe koalicioni politik të opozitës. Sepse, sigurimi i zgjedhje të lira dhe të ndershme, themeli mbi të cilin do të ngremë Republikën e Re, duhet të jetë i fortë, i pastër, i qëndrueshëm, si vetë qytetaria dhe populli shqiptar.

Ndaj është koha të ndaj me ju vendosmërinë tonë, jo vetëm për ti shkuar në fund mandatit të qeverisë teknike, si e vetmja zgjidhje, por po kështu për ti shkuar në fund cdo standardi europian që garanton njëherë e mirë, jo vetëm lirinë e votës, por që garanton lirinë e vullnetin e qytetarëve, përmes zgjedhjeve parlamentare, përmes zgjedhjeve lokale, përmes zgjedhjeve të përgjithshme, përmes zgjedhjeve të pjesshme dhe përmes referendumeve për cështje që kanë të bëjnë me qytetarët. Dhe, për këtë arsye, duam dhe kërkojmë votimin biometrik, elektronik dhe numërimin elektronik, si garanci totale për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si detyrë kryesore të qeverisë teknike për qytetarët që jetojnë në Republikën e  Shqipërisë, por po kështu, për të garantuar të drejtën e votës për emigrantët shqiptarë kudo ku jetojnë, e drejtë që do të garantohet vetëm përmes një sistemi transparent, siç është sistemi i votimit biometrik elektronik dhe i numërimit elektronik.

Këto janë detyrat e mëdha që nuk mund ti kryejë kurrsesi qeveria që tregohet me gisht dhe nga bota mbarë, si përgjegjësja e kriminalitetit e shtetit, si autorja e kanabizimit të Shqipërisë dhe si atentatorja e demokracisë, në katër palë zgjedhje, që përgatitet po kështu të shkatërrojë e vrasë zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kjo nuk mund të ndodhë. Nuk ka asnjë shans ti besojmë autorëve të kësaj gjendje të  krimit, drogës korrupsionit, që janë arsyet e shkatërrimit të ekonomisë, arsimit, shëndetësisë dhe mirëqënies sociale, që të përgatisin zgjedhje të lira dhe të ndershme.Nuk ka e nuk do të ketë asnjë rrugë tjetër përveç qeverisë teknike me mandat të gjerë politik.

Por si do të arrimë aty, varet tërësisht nga rrethanat në të cilat gjendet kryeministri aktual. Nëse e ka për kokëfortësi ta dijë që kokëfortësi me popullin nuk bëhet, sepse nuk mbarojnë punët mirë kur bëhesh kokëfortë me popullin. Nëse është peng i krimit, nëse ka marrë paradhanëiet dhe tani nuk e lejojnë të largohet nga karrikja me të cilën krimi ka bërë miliarda nga droga, nga korrupsioni, nga vjedhjet, atëherë i themi se; qeveria teknike është edhe çlirimi yt, edhe çlirimi i Partisë Socialiste nga Rilindja e kriminalizuar dhe krimi i rilindur.

Koha për dialog është gjithnjë. Koha për pazare ka mbaruar një herë e mirë. Nuk ka më pazare. Nuk do të ketë më pazare. Republikë e Re do të thotë, fund i pazareve politike në kurriz të qytetarëve shqiptarë.

***

 

Po koha për dialog nuk është e pafund. Njerëzit e dinë se asgjë nuk do të ndryshojë nëse ne do të lejojmë të njëjtët faktorë që shpërbënë shtetin ligjor dhe demokracinë dhe instaluan shtetin e krimit, të mafias dhe të drogës, të shtijnë në dorë zgjedhjet e ardhshme.

Shqiptarët e dinë se asgjë nuk do të ndryshojë. E dinë kavajasit, iku Elvis Rroshi e tani kandidojnë zëvendës-Rroshin. Asgjë nuk do të ndryshojë nëse nuk e çmontojmë deri në burmën e fundit mekanizmin kriminal që ka pjellë politikën kriminale dhe të inkriminuar, duke nxjerrë një herë e përgjithmonë kriminelët nga institucionet, nga vendimmarrja politike e duke ia dhënë të pastër këtë vendimmarrje qytetarëve të ndershëm shqiptarë të djathtë e të majtë.

Ndaj minutat, orët, ditët që kalojnë, janë mundësi për reflektim dhe përgjegjësi. Dhe ai që është sot pengesa e vetme për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për shkak të karrikes së pushtetit, pasurisë, pushtetit të kriminelëve dhe fateve të lidhura me to, duhet të reflektojë.
Përndryshe, përballja me këtë lëvizje të madhe popullore, me këtë konsensus të madh qytetar që po zgjerohet dita ditës, përtej të djathtës, duke përfshirë të majtët e ndershëm që nuk mund të pranojnë kurrë katër vite të tjera të diktaturës dhe tiranisë së krimit të veshur me petk qeveritar, do t’i çojë deri në fund vlerat për të cilat jemi ngritur; demokracinë e vërtetë, zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Zgjedhje të tjera, votime të diktuara nga krimi me kriminelë dhe zëvendëskriminelë për kandidatë, koha për to ka mbaruar një herë e mirë në Shqipëri dhe provën e madhe për këtë, nëse krimi i lidhur me pushtetin dhe pushteti i bërë njësh me krimin nuk reflekton, do ta kemi në përballjen kombëtare për të çliruar Kavajën nga krimi, më datën 7 maj në sheshet dhe rrugët e Kavajës së lirë dhe demokratike.

 

***

Askush nuk mund të qortojë, por vetëm mbështet qëllimet dhe objektivat e kësaj lëvizje, pavarësisht prej censurës mediatike. Shqiptarët e kanë ndjekur se këtij sheshi, këtyre qytetarëve dhe shqiptarëve anembanë, u kanë ardhur mesazhet e mbështetjes totale nga miqtë tanë në Europë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me shkrim dhe me zë e me figurë, me persona, të ulur këtu në këtë shesh krahë për krahë qytetarëve shqiptarë. Kanë folur senator, kongresmenë e deputetë nga Italia, Gjermania, Austria, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sepse vlerat për të cilat ne luftojmë janë vlerat e përbashkëta europiane dhe euroatlantike.

Ndaj kjo betejë nuk ka si të kurorëzohet ndryshe, veçse me fitoren e Shqipërisë, me fitoren e vlerave të përbashkëta europiane dhe euroatlantike. Sot, jemi më të vëndosur se kurrë për të çuar këtë lëvizje deri në fund. Sot, jemi më të vendosur se kurrë, për të nisur së bashku rrugëtimin tonë, drejt asaj që dje ishte ëndërr e nesër do të jetë realitet, i Republikës së Re, të demokracisë së vërtetë, drejtësisë së vërtetë dhe lirisë së vërtetë për çdo qytetar shqiptar.

 

Zoti ju bekoftë ju!

 

Zoti e bekoftë Shqipërinë!