Mesazhi i Lulzim Bashës në ditën e 72 të protestës për zgjedhje të lira e të ndershme: Nga Kavaja nis bashkimi, clirimi dhe fitorja e shqiptarëve të bashkuar për Republikën e Re. 

 

Një përshëndetje të veçantë kavajasve, të rinjve dhe të rejave, grave dhe burrave të Kavajës, që kanë mbushur dhe ndriçuar sot këtë agorë të lirisë.

Përshendetje të gjithë qytetarëve dhe qytetareve të kryeqytetit të lirisë dhe demokracisë, të Kavajës heroike.

 

Sot është një ditë e madhe për Shqipërinë.

 

Dua ta nis me mirënjohjen dhe falenderimin më të thellë njerëzor, për sakrificën, kurajon dhe përgjegjësinë tuaj, e të qindra, mijëra qytetarëve që në 72 ditë të bashkimit më të madh qytetar dhe popullor, për liri, demokraci, për zgjedhje të lira dhe ndershme dhe për Republikën e Re, keni transformuar njëherë e përgjithmonë historinë moderne të Shqipërisë.

Tashmë, çdokush e di, i madh e i vogël, shqiptar e i huaj, se pluralizmi për Shqipërinë nuk mjafton. Duhet dhe do të kemi demokraci të vërtetë.

 

Demokraci të vërtetë që nuk do të thotë sundim nga partitë, prej partive e për partitë, por do të thotë sundim nga populli, për popullin, dhe prej popullit.

 

Një falenderim të veçantë kam për të gjithë partitë opozitare, për të 27 aleatët e Partisë Demokratike, të cilët duke i dhënë shprehje vendimit popullor të 18 shkurtit, kanë qendruar të bashkuar e të vendosur në betejën qytetare për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

 

Mbrëmë në orët e mesnatës u luajt pazari i fundit i republikës së vjetër.

Ky Pazar, tregon edhe një herë para shqiptarëve, se sa poshtë ka rënë demokracia shqiptare. Se si është zëvendësuar mundësia e qytetarëve për të diktuar me votë qeverisjen e vendit, se si është zëvendësuar mundësia e qytetarëve për të vendosur me votë, nga një kupolë kriminale dhe e korruptuar e cila është pasuar mbi gjakun, djersën dhe taksat e shqiptarëve.

Dje, një grusht partish të pushtetit, anëtare të pazarit të peshkut që është qelbur nga koka, dhe një grusht parazitësh, të cilët janë paguar me paratë e pista të drogës dhe korrupsionit për të bërë fasadën e kupolës kriminale te republikës së vjetër, nxituan, në shkelje totale të ligjit elektoral, të paraqisnin listat e turpit pranë KQZ-së.

 

Në shkelje të Kodit Zgjedhor, KQZ, kjo vegël e pavlerë e republikës së vjetër që synon të tjetërsojë vullnetin e qytetarëve shqiptarë, i pranoi me 24 orë vonesë, në thyerje të Kodit zgjedhor, listat e turpit, të pazarit të peshkut, të Edi Ramës, të Ilir Metës, të Shpëtim Idrizit, dhe të një tufe mercenarësh të kësaj tresheje grabitqare të republikës së vjetër.

 

Ju duhet ta dini se republika e vjetër, kupola kriminale në pushtet, dje gjatë gjithë ditës dhe në orët e vona të natës, i ofroi shuma të majme, partive politike opozitare me qëllim regjistrimin e tyre në thyerje të vendimit të koalicionit opozitar, në thyerje të vendimit popullor të 18 shkurtit.

 

500 mijë euro, iu ofrua vetëm një kryetari partie, për t’u shkëputur nga opozita. Për t’u shkëputur nga ky vendim popullor, nga ky bashkim popullor, e për t’iu bashkuar pazarit të ndyrë, komplotit politik të republikës së vjetër.

 

Qindra mijëra euro të tjera, iu ofruan kandidatëve të tjerë potencialë të partive aleate.

 

Ata thanë JO. Askush nuk e mori lugën e çorbës së prishur të Edi Ramës, Ilir Metës me shokë. Arsyeja kryesore e refuzimit te sekserëve të ndyrë të republikës së vjetër, ishte fare e thjeshtë.

 

Këto para, nuk janë paratë e tyre, këto janë paratë e shqiptarëve të papunë, këto janë paratë e pensionistëve që mezi ia dalin të paguajnë faturat me pensionet e tyre të mjera, këto janë paratë e pacientëve shqiptarë që nuk marrin as ilaçet as trajtimin e duhur, sepse i vjedh Edi Rama me Ilir Beqën.

 

Këto janë paratë e nxjerra me zor nga xhepat e mjerë të nënave dhe baballarëve që paguajnë tarifat e rritura të universitetit, këto janë paratë e subvencioneve të munguara për fermerët. Këto janë paratë e asistencës së prerë për 40 mijë familje shqiptare dhe të reduktuara në nivele të papranueshme mbijetese për ata që akoma e marrin. Këto janë paratë e krimit dhe drogës.

Këto janë paratë e haramit që është ndërtuar mbi fatkeqësinë e një populli të tërë. Ne nuk i marrim këto para. Ne nuk i prekim këto para. Këto para do t’ju zënë fytin dhe frymën së shpejti.

 

Ky ishte qëndrimi burrëror i aleatëve të Partisë Demokratike që janë aleatët e kësaj lëvizje popullore dhe qytetare pa kthim për Republikën e Re.

 

***

Nuk është heroizëm të refuzosh zhaget e korrupsionit dhe drogës. Nuk është heroizëm, por detyrë. Ndaj do të thoni pse kaq shumë falenderime.

Por sepse në tregun e ndyrë të politikës së vjetër, vend ka për gjithçka, përveçse virtytit.

 

Sepse nga ana tjetër, ben blushër, bamir topër e të tjerë me shokë, jo vetëm kanë gëlltitur lugën e çorbës së prishur, por janë kthyer në parti-organizata të institucioneve publike.

 

Fryma e Re Demokratike është në fakt OSHEE-ja, e cila ka dhënë firmat e një partie që nuk ka asnjë anëtar dhe një kryetar me kohë të pjesshme. Ben Blushi apo siç do të njihet tani e tutje si Sali Rexhepi, është alibia, fasada e një pseudo opozite, makiazh për surratin e pamakiazhueshëm, të shëmtuar të republikës së vjetër, që është në gjunjë dhe po bëhet gati të japë shpirt.

 

Kjo është hera e parë dhe e fundit që unë merrem me ta dhe këshilla ime për ju dhe çdo shqiptar të ndershëm është t’i varrosni në harresën dhe indiferencën totale të një shoqërie e cila lufton kundër padrejtësisë, por përbuz akoma më shumë të shiturit, hamzatë e kohërave moderne, shushunjat që u gënjyen dhe u blenë me lekët e korrupsionit dhe drogës, në vend që t’i bashkoheshin kësaj kauze popullore, të pathyeshme, për demokraci të vërtetë.

 

Kjo është republika e vjetër. Zhagia e mbushur me paratë që u merret nga goja fëmijëve të shqiptarëve, që u merret nga trupi pacientëve shqiptarë, zhagia që u merret nga dëshpërimi i të papunëve, nga frika e atyre se mos humbasin vendin e punës nesër.

 

Zhagia, trajsa, torba e mbushur me lekët që u grabiten shqiptarëve, ky është mjeti i vetëm i republikës së vjetër.

Ndaj kanë shteruar dhe ekzekutuar çdo mjet tjetër të të bërit politikë në interesin e qytetarëve shqiptarë.

 

Kjo republikë e vjetër e ka firmosur me dorën e saj, në këtë akt të fundit të asgjesimit të pluralizmit dhe demokracisë së vërtetë, nevojën e ngutshme, për të vdekur dhe për t’u varrosur një orë e më parë.

 

***

Data 7 maj do të jetë data e atakut kardiak total të republikës së vjetër. Me 7 maj, në kryeqytetin e lirisë dhe të demokracisë, në Kavajën e fisnikërisë dhe të burrave dhe të grave trime, që u ngritën të parët – askush nuk e harron, te gjithe ju jemi mirenjohes – Kavaja është në këmbë, Kavaja është e vendosur. Por ndryshe nga 11 korriku i vitit 1990, që është shkruar me gërma të arta në historinë e demokracisë, më 7 maj Kavaja nuk do të jetë vetëm, e gjithë Shqipëria do të jetë në Kavajë dhe me Kavajën. E gjithë Shqipëria do të jetë në Kavajë dhe me Kavajën dhe të bashkuar do t’i japim grushtin vdekjeprurës republikës së vjetër.

 

Qindra mijë shqiptarë të ndershëm, që do të bashkohen në Kavajë me datën 7 maj, në një bashkim gjigand dhe të paparë ne 27 vite pluralizëm, se bashku me mijëra banorë të Kavajës dhe në ballë me rininë e Kavajës, do të pamundësojnë zgjedhjet farsë, votimin farsë të diktuar nga krimi.

Do të pamundësojmë  rikthimin de juro dhe de facto të Kavajës në duart e Elvis Rroshit, që Kavaja e shporri me ligjin e dekriminalizimit, me ndihmën e qëndresës sonë të bashkuar, dhe së bashku me 7 maj, ne do t’i japim republikës së vjetër goditjen finale.

 

Të vendosur dhe në paqe totale asnjë lule dhe asnjë fije bari nuk do të preket.

 

Por asnjë qytetar i vetëm i Kavajës nuk do detyrohet nga krimi, nga droga dhe  republika e qeverisë së vjetër në një proces fasadë, në një farsë elektorale, sepse një proces të tillë nuk do të ketë, në 7 Maj në Kavajë, dhe as në 18 Qershor në Shqipëri.

 

***

Me aktin e djeshëm, me shkeljen e Kodit Zgjedhor me regjistrimin e tyre, me derdhjen e milionave të grabitura nga xhepat e shqiptarëve të varfëruar me zhagen e pseudo-partive, të pseudo-opozitës fasadë,  republika e vjetër firmosi aktin e saj të vdekjes.

Me 18 Shkurt ne kemi firmosur këtu vendosmërinë për të themeluar Republikën e Re.

 

Duke nisur nga dita e sotme, këto dy realitete të papajtueshme me njëra tjetrën, janë në një betejë totale për jetë a vdekje me njëra-tjetrën.

 

Nëse republika e vjetër nuk tërhiqet nga plani dhe projekti për të asgjesuar pluralizmin, për ta zëvendësuar atë me pluralizmin fasadë dhe për të vazhduar demokracinë fasadë, parlamentin fasadë që do të pjellë ekonominë fasadë, me papunësi, mjerim dhe vuajtje pas asaj fasade, nëse kjo ndodh, atëherë me 18 Qershor, në mesnate, kushtetuta dhe ligjet e republikës së vjetër për Republikën e Re do të jenë të pavlefshme, di të jenë nul dhe void, dhe me 19 Qershor asnjë qytetar i lirë shqiptar, që e ndjen veten pjesë të Republikës së Re, nuk duhet të paguajë asnjë taksë dhe nuk do ti bindet asnjë ligji të republikës së vjetër.

 

Bashkë me qytetarët e lirë ne do të shfrytëzojmë këtë kohë për të nisur krijimin e korpusit institucional ligjor dhe kushtetues të Republikës së Re, bazuar në parimet themeluese të SHBA dhe vendeve demokratike europiane që do të jenë Kushtetuta dhe ligjet e vetme të vlefshme për qytetarët e Republikës së re.

 

Nuk kemi cfarë të presim më. Gjithcka është e qartë. Republika e vjetër do të bëjë gjithcka që të qëndrojë në këmbë. Që të qëndrojë në këmbë, i duhet të zhvasë e të përvetësojë akoma më shumë, para, pasuri, koncesione, tendera nga xhepat e shqiptarëve dhe pasuritë tona kombëtare, i duhet të mbështet gjithmonë e më shumë te droga krimi e tek trafikantët që e sollën dhe po e mbajnë në pushtet, e po investojnë ta mbajnë kundër vullnetit popullor.

 

Të qëndrosh skllav i këtij realiteti, do të thotë pranosh pa vepruar tiraninë e krimit dhe të drogës, tiraninë dhe  diktaturën e re, antikushtetuese, antiligjore dhe që drejtohet kundër lirive dhe të drejtave të cdo shqiptari.

Një herë kjo ndodhi, dhe për 50 vite me radhe, Shqipëria mbeti në errësirën e diktaturës, e izoluar e varfëruar, e paditur, e përbuzur. I zgjuar nga ky gjume 50 vjecar, kombi shqiptar, shoqëria shqiptare e pa veten në fund të Europës, në mes të Afrikës në mes të mjerimit. 27 vite sakrifica të shqiptarëve të ndershëm , 27 vite sakrifica të burrave dhe grave, të majtë e të djathtë, 27 vite përparim me synim ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa, megjithëse zigzaget e veta, me gjithë të mirat që janë pjesë dhe kontribute edhe e kundërshtarëve tanë politike, megjithë gabimet që janë pjesë edhe e jona, Shqipëria ka ecur përpara.

 

Sot, kjo klikë do ta ndalë këtë progres, ta kthejë Shqipërinë në një republikë të kontrolluar nga droga dhe krimi me një fasadë demokraci, me një fasadë parlament dhe një popull të skllavëruar.

 

Vendimi popullor i 18 Shkurtit prandaj u mor, që ky stacion të mos rikthehej kurrë më në historinë tonë kombëtare. Ndaj, vendosmëria dhe qëndresa jonë ka tashmë këtë synim, këtë objektiv; që kurrë më të mos kthehemi pas. Dhe nuk do të kthehemi.

 

***

Rruga që kemi përpara është e vështirë.

 

Për të gjithë ju që keni sakrifikuar këto 72 ditë dhe që keni vendosur themelet e kësaj Republikës së re, duhet ta dini që interesat shumë miliardëshe të republikës së vjetër dhe të kupolës politike që e kontrollon, të kupolës politike që ekziston vetëm për pasurinë e saj dhe për mbrojtjen e kësaj pasurie, të gjitha këto interesa përbëjnë një pengesë të madhe për zgjidhjen e kësaj cështje në format institucional të dialogut politik. Nga ana tjetër, jemi zotuar prej ditës së parë se Republika e Re nuk mund, e nuk do të themelohet mbi themele dhune, por vetëm mbi themele paqeje e demokracie.

 

Kjo dikton para nesh një rrugë, një rrugë që është bashkimi masiv dhe i vendosur i shqiptarëve në një lëvizje pa paralele, në Europë në Ballkan dhe në Shqipërinë e 27 viteve të fundit.

 

Bashkimi, pjesëmarrja aktive në betejat që na presin, është tani përcaktues në fitoren e Republikës së Re dhe ëndrrës që të gjithë bashkë kemi thurur prej 18 Shkurtit, këtu në këtë shesh.

Refuzimi, refuzimi paqësor, por i vendosur prej datës 18 Qershor i cdo ligji dhe i cdo takse të republikës së vjetër, është detyra patriotike e cdo shqiptarie cdo shqiptareje të ndershme bashkëthemelues i Republikës së Re.

 

Kjo është një rrugë e lodhshme. Kjo është  një rrugë me sakrifica, por kjo është e vetmja rrugë e ndershme, paqësore, patriotike, europiane, që na con drejt të ardhmes që të gjithë duam dhe dëshirojmë.

 

Ajo ditë po vjen, ku ju ta keni në dorë fatin tuaj dhe të gjithë së bashku të kemi në dorë fatin e Shqipërisë. Dita kur populli e ka në dorë, dita kur njerëzit e kanë në dorë, dita kur qeveritarët nuk janë pushtetarë arrogantë, por shërbëtorë të përulur të qytetarëve, unë  e kam përë këtë ditë, e kam parë në vendet e Europës kur kam jetuar dhe kam studiuar, dhe nga thellësia e shoh se; kjo ditë për të gjithë ne po agon edhe në Shqipëri.

 

Por për këtë, duhet të refuzojmë me vendosmëri dhe të bashkuar pushtetin arrogant dhe kupolën politike të republikës së vjetër. Për këtë, duhet të bashkohemi në një betejë vendimtare, totale, cdo ditë, dhe pa asnjë tërheqje nga kjo ëndërr e madhe kombëtare. Bashkimi nis nga Kavaja, clirimi nis nga Kavaja. Fitorja nis nga Kavaja.

 

Zoti e bekoftë Kavajën e lirisë, Kavajën e demokracisë. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!